Ekspo/ Mbuloja, transmetus i rrëfimeve jetësore - Gazeta Express
string(45) "ekspo-mbuloja-transmetus-i-rrefimeve-jetesore"

Arte

Donjeta Abazi

12/07/2024 17:17

Ekspo/ Mbuloja, transmetus i rrëfimeve jetësore

Arte

Donjeta Abazi

12/07/2024 17:17

Vazhdon të qëndroj e hapur në Galerinë e Ministrisë së Kulturës, ekspozita ‘Covers’ e artistes Barbara Prenka, kuruar nga Zef Paci.

Nga: Donjeta Abazi

Mbulesa ose jorgani u përdor si mjet për të përcjellë artin e Barbara Prenkes, mesazhin, profesionalizmin dhe idetë e saj.

Në dhomën e parë ku janë të vendosura punimet në Galerinë e Ministrisë së Kulturës, ne shohim një serë punimesh të detajuara nga afër, por që nga larg japin përshtypjen e disa hapësirave të kornizuara me plot ngjyra. Prenka ka përdorur mbulesën si mjet,  ani pse jo të papërpunuar, artistja qëllimshëm ndërlidh të vjetrën me modernen, duke përdorur një medium interesant, personifikues të një epoke, e cila, kur mbërrin në fazën e fundit të ekspozimit, merr trajtë tjetër.

Punimet që janë të vendosura njëra pas tjetër e që formojnë një varg të gjatë, fillojnë e mbarojnë më ngjyra më të errëta dhe përfundojnë njëjtë, përderisa në mes Prenka i ka përdorur ngjyrat më të ndezura. Prandaj i gjithë vargu i punimeve në ekspozitë i krijojnë harmoni hapësirës dhe vetë pamjes nga e cila vizitori i sheh.

Dyzimi i modernes me artizanalen (shto faktin që punimet e mbulesave, jorganit, artistja i ka realizuar vetë – flet për një mesazh që dëshiron të trajtohet dhe duket se ka lidhje me vetë artisten dhe pastaj një mesazh kolektiv i cili në njëfarë mënyre lidhet me jetesën e njerëzve tanë.

Të të njëjtit format janë punimet në jorgan të vendosura pranë njëra-tjetrës, përveç njërës, një punim në ballë të dhomës, është paksa më i sofistikuar së të tjerët. Duket se artistja i ka kushtuar më shumë mund këtij punimi, duke ravijëzuar mbi mbulesën më më shumë delikatesë. Interpretimet mbi këtë punim mund të jenë të ndryshme, mund të jenë rrëfime sekrete të artistes, ose mund të ketë në parim një rrëfim kolektiv që në bazë ka jetesën tonë etapë pas etape. Ndërhyrja mbi këtë punim që qëndron veçmas nga të tjerët është më kaotik, më intensiv, me më shumë vijëza që ndajnë e formojnë lakore të shpeshta mbi ngjyrat e kombinuara që për nga intensiteti ndahen në dy pjesë.

***

Në dhomën brenda Galerisë, ndarë me punimet tjera, janë të ndara disa tjera punime të cilat kanë tjetër format, artistja ka përdorur tjetër medium, është një lloj ekspozite brenda ekspozitës. Punimet aty, Prenka i ka realizuar me ndihmën e qirinjëve, shohim vijëza të shpeshta të shkëputura dhe që formojnë oaza të vogla brenda kornizave. Edhe tek këto realizime jorgani paraqitet si shpërndarës informate e artistes tek publiku. Edhe rrudhat që në këtë rast nuk krijohen mbi mbulesën, por që janë të realizuara me dorë mbi me vijëza homogjene e tregojnë mbulesën nga një tjetër perspektivë.

E krejt në fund mbulesa është diçka që i takon përditshmërisë tonë, një material të cilit nuk i kushtojmë edhe aq rëndësi, por e dimë që është aty, në momentin që dëshirojmë të krijojmë, në këtë rast artistja dëshiron dhe krijon nga ky material, atëherë mbulesa nuk mbetet më veç një material, shndërrohet në një transmetues të një numri të madh rrëfimesh.

Shënim biografik:

Barbara Prenka ka lindur në vitin 1990, në Gjakovë, Kosovë — jeton dhe punon mes Venecias, Bolzanos dhe Berlinit. Ajo diplomoi te profesor Carlo di Raco nga Akademia e Arteve të Bukura në Venecia. Ajo përdorë pikturën, pëlhurën dhe qëndisjen në praktikën e saj artistike. Hulumtimi i saj analizon një pikturë që përbëhet nga mediume të ndryshme që bëhet një reagjent i mjedisit të afërt dhe të largët. Kufiri që krijon perspektiva të reja gjenerimi. Puna e saj fokusohet në kërkimin e këtij kufiri, një rreth i krijimit-shkatërrimit-rikrijimit si një fund në vetvete. Ajo ekspozoi veprat e saj në pesë ekspozita solo dhe disa ekspozita kolektive në Berlin, Paris, Prishtinë, Milano, Meksikë, Vjenë, Tiranë, Palermo, etj.

“Arti për mua është një jehonë nostalgjike që mbetet brenda nesh dhe thirret vazhdimisht në kërkimin tonë për identitet. Të bësh art është të marrësh një qëndrim duke analizuar simbolet që fshihen rreth nesh. Unë bëj art të kundërshtoj dhe të reagoj”, ishte shprehur artistja për punën e vet.

Pjesë nga teksti kuratorial i Zef Pacit:

“Barbara Prenka asht nji artiste e re, e vendit dhe e ardhun, që ndonëse studimet i ka në pikturë (një art jo ngushtësisht utilitar), kësa radhe sjell jorganin, një objekt utilitar që ka udhëtuar nga bota e artizanatit në atë të design-it dhe të artit, nga teknika artizanale në atë industriale.

Prenka operon duke u mbeshtetur sa te koncepti aq edhe te preokupimet estetike e landore. Jorganat që ekspozon nuk janë prodhue duke ndjekë udhëzime a priori, apo duke ia delegue punën të tjerëve. Ato i ka realizue vetë, e përfshime në nji proces shkëmbimi ndërmjet poetikës së punës dhe traditës artizanale. Një prirje që duket se ka të bajë me përvojën e Bauhaus-it që çoi artin të dialogojë me estetikën artizanale, si dhe me traditen e arte povera-s, që nuk interpretoi, por, thjesht, perceptoi rrjedhën e jetës dhe të mjedisit.

Arësyeja e risjelljes sot të këtyne mbulesave gjendet ne ngarkesën e fortë simbolike që ato bartin për autoren, si dhe për mëtimin e saj se objekti i artit asht një jehonë që mbetë mbrenda nesh dhe asht i thirrun parreshtun prej kërkimit tonë për identitet.”

/Gazeta Express