Në Hanin e 2 Robërteve në Prishtinë, më 4 janar u hap ekspozita personale “I am free” e artistes Valentina Elshani, me kurim të Shkelzen Maliqit.
Valentina Elshani – e diplomuar në klasën e profesorit Xhevdet Xhafa në vitin 2000, me ç’rast edhe kishte bashkekspozuar me kolegët e saj – ka pasur një ekspozitë personale më 2007 dhe prej atëherë ka qëndruar larg publikut. Pas gati dy dekadash, me ftesën e Hanit të 2 Robertëve, ajo rikthehet në skenë me ciklin e ri të pikturave të punuara me akrilik. “Disa nga pikturat janë reminishencë e veprave të vitit 2007, me një stil karakteristik të figuracionit minimalist (veprat si Transformation, Inspiration, Your new way…) Ndërkaq, te pikturat tjera, ndonëse motivi kryesor mbetet figura e gruas, artistja është në kërkim të mënyrës tjetër te shprehjes”, thueht në tekstin kuratorial të përgatitur nga Shkelzen Maliqi.
Lidhur me rikthimin e artistes në hapësirat e ekspozimit, pos vetë krijimit të veprave flasin edhe titujt e tyre. “Keep going on”, “Your new way”, “You don’t have to hide”, janë disa prej tyre. Ani pse Elshani zgjedh formë të re të shprehjes në art, ajo që e mban të njëjtë artisten është tematika kyçe, brumi i krijimit, e cila ka në fokus gruan, sensualitetin dhe fuqinë e gruas në etapa të ndryshme.
Gratë e “fjetura” të artistes
Në veprën ‘I am free’ (80×80 on canvas), shohim një grua, trupin e saj të zhveshur deri në ije. Gruaja e Elshanit në këtë pikturë paraqet anën sensuale të vet saj dhe të grave tjera me të cilat artistja frymëzohet gjatë punës së saj. Fytyra e gruas në këtë pikturë i shkon njësoj titullit të veprës artistike, njëkohësisht shohim lirshmërinë dhe delikatesën e autores dedikuar punës së saj, një punë që siç thotë kuratori Maliqi veç ka ndryshuar mënyra e interpretimit të objektit kyç të saj, gruas.
Punimet që portretizojnë gruan si të bukur dhe idilike, në mënyrën e re të punimeve të Elshanit, gruaja “guxon” të jetë edhe mos përfillëse, rebele, delikate, dhe padyshim e lirë.
Valentina Elshani, potencon se gjatë kohës kishte kuptuar së tashmë kishte filluar një fazë ndryshimi në artin e saj.
“Vepra ”I am free”, ishte momenti i shpërthimit. Unë fillova aty ku e lashë, por e vërejta se unë tashmë jam në tranzicion dhe ajo formë e shprehjes si më parë e kufizuar dhe e kamufluar me dekorime, nuk më ngopte. Dhe kështu në mënyrë spontane dhe me një intensivitet të lartë pasuan veprat tjera me një lëvizje të lirë pa pasur kurrfarë vështirësi në gjetjen e formës së shprehjes. Gjithçka erdhi në mënyrë natyrale dhe në kohën e duhur. Ftesa nga z. MALIQI për të ekspozuar në Hanin e 2 Robertëve, ishte shumë domethënëse për mua. Një rikujtim për tu kthyer nga vetja dhe për të përqafuar artin tim i cili ishte akumuluar dhe përpunuar në mua ndër vite. Ky fishekzjarr nxori nga brendia ime në mënyrën më elegante sinqeritetin tim. Ishte njëherit edhe një vetënjohje dhe vetëvlerësim. Për mua është një arritje dhe këtë arritje dua ta shpërndaj, reflektoj tek të tjerët. Guxim dhe vetëbesim”, thotë ndër të tjera artistja.
Në anën tjetër “You’re good enough the way you are”, nëse studiohet më afër, krijon hapësirë interpretimi i cili përkon saktësisht me titullin. Trupi i një gruaje në rroba banje në fakt nuk është në proporcion perfekt, njëra dorë është me e shendosh se tjetra, njëjtë siç është këmba, prandaj mesazhi i artistes është i qartë. Në të dyja rastet dhe në raste tjera, trupi i një gruaje mund të interpretohet në plotë forma, por e rëndësishme është që gruaja të ndihet mirë në cilindo trup.
Prandaj delikatesa dhe sensualja e grave në këtë ekspozitë të artistet vjen si një bonus i madh duke kapërcyer të zakonshëm për ta vendosur në pah një anë edhe më të fuqishme të gruas, shkëlqimin e saj pas vlerësimit vetanak dhe kërkesës për më shumë.
Tranzicioni si trampolinë
Dy portretet, (në pamje të parë shihen dy sepse ne detaje janë më shumë se aq) tek dy veprat që janë të formatit të njëjtë, vijëzuar mbi ngjyrë të kuqe; “Keep going on” dhe “Transformation”, i takojnë një shpjegimi më të thellë se ajo që e shohim. Eksperimentimi me forma të tilla të shumë fytyrave brenda një punimi mund të interpretohet mes shumë formash po ashtu. Shpesh herë të tilla forma realizimesh paraqesin gjendje dhe rrethana të ndryshme të individit në shoqëri. Elshani vendos që në këtë formë të lëshohet nga përjetimet personale, të zhagitet dhe kapet në realitetin e përjetimeve të tjetrit, në këtë rast të grave tjera dhe përjetimeve të tyre.
Vetë artistja ndër të tjera potencon se këtë herë ka dashur të jetë pak më ndryshe dhe më e sinqertë ndaj vetes.
“Vetë fakti se kanë kaluar disa vite që jam shkëputur nga krijimtaria ime, dhe përgjatë këtyre viteve kam kaluar nëpër sfida nga më të ndryshmet, kuptova se tashmë është koha për veten time dhe padyshim se edhe shprehja ime në këtë cikël vjen natyrshëm më ndryshe si një klithmë gëzimi dhe krenarie. Gjatë punimit të këtij cikli isha krejt më ndryshe, pa korniza dhe pa ndrojtje. Një çlirim total i ndjenjave dhe dëshirës për të vazhduar aty ku e lashë. Tashmë jam direkte dhe i shpreh ndjenjat e mia personale pa ndonjë ndrojtje dhe pa kurrfarë fasadash. Jam unë në pikturat e mia dhe shumë e lumtur që arrita në këtë pikë. Pikturat e mia flasin me mua dhe unë me to. Dhe kështu bashkërisht duam të shpërndajmë dashurinë, forcën, qëndrueshmërinë, dëshirat, ëndrrat dhe dëshirën për të jetuar dhe për tu kultivuar, pa e lënduar askënd dhe pa paragjykime. Unë jam ashtu siç jam dhe jam krenare për veten time. Format e shprehjes në art nuk kanë kufi dhe është krejt normale që secila tablo është punuar në situata dhe përjetime të ndryshme të sensuales”, shton Elshani.
Cikli i punimeve të kësaj ekspozite dërgon publikun në përjetime vetanake dhe kolektive duke vendosur një trampolinë që krijon ndryshime të lëvizjeve dhe harmonisë së dërgimit të mesazheve, duke filluar nga entuziazmi (Inspiration) duke kaluar përmes sfidave (Transformation) dhe për tu përmbyllur me lirinë (I am free).
“Ky rikthim ishte edhe një vërtetim i vlerave personale dhe të artit tim. Tashmë e përqafova fort artin tim dhe do ta ruaj dhe kultivoj pambarim”, përfundon Elshani.
/Gazeta Express