Eksploruesit e detit të thellë kanë arritur të kapin në kamera një nga krijesat më të rralla dhe më enigmatike të oqeaneve – kandilin gjigant “fantazmë”.
Pamjet mbresëlënëse tregojnë këtë kafshë të frikshme dhe tejet të rrallë, e cila është filmuar vetëm rreth një duzinë herësh në botë, duke pulsuara qetësisht dhe duke lëvizur në mënyrë rrethore në ujërat pranë brigjeve të Argjentinës.
Kandili u filmua nga shkencëtarët e Schmidt Ocean Institute, gjatë një zhytjeje kërkimore me një mjet të komanduar nga distanca (ROV), i cili po zbriste për të eksploruar murin e kanionit nëndetar Colorado–Rawson. Në një thellësi prej 253 metrash, studiuesit u përballën me këtë krijesë gjigante dhe fantazmagorike, e cila ishte zbuluar për herë të parë në vitin 1899.
Kandili gjigant “fantazmë” ka krahë që mund të arrijnë mbi 10 metra gjatësi, ndërsa trupi kryesor i tij ka një diametër mbi një metër. Ai mund të jetojë nga sipërfaqja e oqeanit deri në rreth 6,700 metra thellësi, por zakonisht qëndron në të ashtuquajturën “zonë e muzgut”, ku drita e diellit pothuajse nuk depërton.
Në pamje, kandili ndriçohet nga dritat e ROV-it dhe duket teksa lëviz ngadalë drejt thellësisë, duke pulsuara ritmikisht, ndërsa peshq të vegjël notojnë përreth tij. Më mbresëlënëse janë katër “krahët e gojës” jashtëzakonisht të gjatë, të cilët shkencëtarët mendojnë se shërbejnë për kapjen dhe bllokimin e prenë, duke u zgjatur mbi trupin e tij.


Sipas studiuesve, kandili gjigant “fantazmë” gjendet në të gjitha oqeanet e botës, me përjashtim të Arktikut. Mendohet se ushqehet me plankton dhe peshq të vegjël, por dihet shumë pak për mënyrën se si mbijeton dhe sillet në mjedisin ekstrem të thellësive detare.
Që nga zbulimi i tij, kjo specie është dokumentuar vetëm rreth 100 herë dhe konsiderohet si një nga grabitqarët jovertebrorë më të mëdhenj të ekosistemit të detit të thellë. Dy vëzhgime të mëparshme në Gjirin e Meksikës sugjerojnë se kjo specie mund të gjuajë duke u kapur pas strukturave nënujore, duke i lënë krahët e lirë për të kapur ushqimin – megjithatë, një sjellje e tillë nuk është vëzhguar kurrë drejtpërdrejt.
Para shpikjes së robotëve nënujorë, shkencëtarët përdornin rrjeta peshkimi për të studiuar krijesa të thellësive, si kjo specie e njohur shkencërisht si Stygiomedusa gigantea. Por, kur kandili nxirrej në sipërfaqe, struktura e tij delikate shndërrohej në një masë xhelatinoze pa formë, duke e bërë të pamundur studimin e tij.



Për këtë arsye, robotët nënujorë janë sot mjeti më i mirë për vëzhgimin e kësaj specieje dhe për të kuptuar më shumë rreth jetës së saj. Edhe pse ekzemplari i parë u mblodh 127 vite më parë, u deshën rreth 60 vjet që shkencëtarët ta identifikonin si një specie të re.
Instituti i Kërkimeve të Akuariumit të Gjirit të Montereit (MBARI) raporton se mjetet e tyre nënujore kanë realizuar mijëra zhytje në thellësi, por këtë specie spektakolare e kanë parë vetëm nëntë herë.
“Vëzhgimet e MBARI-t mbi Stygiomedusa gigantea kanë ndihmuar në ndriçimin e rolit ekologjik të saj në thellësitë e oqeanit,” shkruhet në faqen zyrtare të institutit. Gjatë një ekspedite në Gjirin e Kalifornisë, një nga robotët e tyre filmoi një peshk pelagjik brotula pranë kandilit gjigant. Studiuesit panë se si peshku qëndronte mbi ‘kapelën’ e kandilit dhe notonte brenda e jashtë krahëve të tij të mëdhenj oralë.
Sipas shkencëtarëve, ujërat e hapura të “zonës së mesnatës” ofrojnë shumë pak strehë, ndaj shumë krijesa gjejnë mbrojtje te organizmat xhelatinozë, të cilët janë të shumtë në këtë mjedis ekstrem. /GazetaExpress/