Një ekspert i njohur ka paralajmëruar se vajpimi (përdorimi i cigareve elektronike) mund të rrisë ndjeshëm rrezikun e dëmtimeve afatgjata nga Covid-19, në një kohë kur rastet e virusit janë në rritje.
Sipas tij, personat që vazhdojnë të pijnë vajp gjatë kohës që janë të sëmurë ose në fazë rikuperimi nga Covid, po vënë seriozisht në rrezik shëndetin e tyre afatgjatë.
Vaping dhe “stuhia perfekte” në mushkëri
Profesori i bioshkencave në Universitetin e Dublinit, Keith Rochfort, shkroi për The Conversation:
“Ky është një moment kur mushkëritë e shëndetshme vlejnë më shumë se kurrë. Megjithatë, indet që lejojnë oksigjenin të kalojë nga ajri në gjak janë jashtëzakonisht delikate, dhe zakone si vajpimi i dobësojnë ato pikërisht atëherë kur mbrojtja është më e nevojshme.”
Ai shpjegoi se vajpimi irriton dhe inflamon shtresën e enëve të gjakut, ndërsa Covid mbush mushkëritë me molekula pro-inflamatore. “Së bashku krijojnë ‘stuhinë perfekte’: kapilarët bëhen të brishtë, lëngu depërton në alveola dhe oksigjeni e ka të vështirë të kalojë barrierën gjak-ajër.”
Gjithashtu, si Covid ashtu edhe vajpimi janë lidhur me rritjen e rrezikut për mpiksje gjaku në mushkëri, duke e shumëfishuar rrezikun.
Rikuperim më i ngadalshëm
Profesori Rochfort paralajmëroi se vajpimi mund ta ngadalësojë rikuperimin pas infektimit me Covid:
“Vajpimi shton stres mbi indet që virusi i ka dëmtuar tashmë, edhe nëse përdoruesi nuk ndien simptoma të menjëhershme. Rezultati mund të jetë frymëmarrje e vështirësuar për një kohë të gjatë, lodhje e vazhdueshme dhe rikthim më i ngadaltë në aktivitetet e përditshme.”
Ai theksoi se barrierat e holla të mushkërive, të cilat duhet të mbeten të forta dhe fleksibël, janë vazhdimisht nën presion nga ndotja, grimcat mikroskopike dhe infeksionet – dhe vajpimi i dobëson ato para se të godasë sëmundja.
Efektet mbi qelizat e gjakut
Një tjetër shqetësim janë kimikatet, tretësit dhe metalet e imta që përmbajnë avujt e vajpit, të cilët depërtojnë thellë dhe irritojnë endoteliumin – shtresën e hollë të qelizave që rreshton enët e gjakut.
Një endotelium i shëndetshëm parandalon mpiksjen dhe ndihmon në furnizimin e duhur të qelizave me oksigjen, hormone dhe lëndë ushqyese.
Por studimet tregojnë se vajpimi mund të prishë këto mbrojtje, duke shkaktuar disfunksion endotelial edhe tek të rinjtë që në dukje janë të shëndetshëm. Një studim i vitit 2018 tregoi se përdoruesit e rinj të cigareve elektronike kishin nivele të larta të grimcave endoteliale, një tregues i dëmtimit të qelizave të enëve të gjakut.
Rochfort, bazuar edhe në kërkimet e tij, thekson se vajpimi rrit ndjeshëm markerët inflamatorë dhe të stresit në gjak. “Të gjitha këto tregojnë se endoteliumi po lufton për të ruajtur funksionin e tij mbrojtës.”
Mesazhi i qartë i ekspertit
“Shkenca ende po zhvillohet, por mesazhi është i qartë: vajpimi dëmton shëndetin vaskular. Lënia e tij, edhe përkohësisht, i jep mushkërive dhe enëve të gjakut një ambient më të pastër për t’u shëruar dhe për ta bërë frymëmarrjen më të lehtë,” theksoi ai.
Rritja e rasteve me Covid dhe sëmundje të tjera
Britania po përballet aktualisht me një rritje të madhe rastesh nga variantet e reja të Covid-19, të quajtura Stratus dhe Nimbus, të cilat kanë bërë që rastet të dyfishohen që nga muaji gusht.
Ekspertët paralajmërojnë për një të ashtuquajtur “quin-demic”, pasi përveç Covid-19 po qarkullojnë edhe tre infeksione të tjera të frymëmarrjes dhe norovirusi.
Profesori Lawrence Young, virolog në Universitetin Warwick, e quajti këtë rritje “shqetësuese kaq herët në sezonin e vjeshtës,” duke fajësuar kthimin e fëmijëve në shkolla, temperaturat më të ulëta, ambientet e mbyllura me ajrosje të dobët dhe rënien e imunitetit mbrojtës.
Rreziqet afatgjata të vajpit
Nuk janë vetëm mushkëritë që preken nga vajpimi. Një studim i publikuar në shkurt zbuloi se përdorimi i rregullt i cigareve elektronike mund të rrisë rrezikun për demencë, sëmundje të zemrës dhe dështim të organeve.
Në Britani, rreth 1 në 10 të rritur përdor aktualisht vajp, një shifër që po rritet me shpejtësi. Megjithëse konsiderohet më pak i dëmshëm se cigaret tradicionale dhe një mjet për të lënë duhanin, rreth 8% e përdoruesve të vajpit nuk kanë qenë kurrë duhanpirës më parë.
Një raport i Organizatës Botërore të Shëndetësisë i publikuar këtë javë tregoi se numri i përdoruesve të cigareve elektronike në botë ka kaluar 100 milionë. /GazetaExpress/