Kandidati për kryetar të Prishtinës, Uran Ismaili, ka zhvilluar një bisedë online me mikun dhe kolegun e tij nga studimet në Harvard Kennedy School, ekspertin e transportit Andy Palanisamy. Ky i fundit ka një karrierë të gjatë në projekte të inovacionit dhe të qyteteve smart, duke punuar në kompani si Ford Motor Company dhe Parsons në Dubai, si dhe mbi 15 vite në institucione federale amerikane si Departamenti i Transportit të SHBA dhe NASA Jet Propulsion Laboratory.
Në këtë bashkëbisedim, Ismaili diskutoi mbi disa nga zgjidhjet konkrete për menaxhimin e trafikut në kryeqytet që i ka zhvilluar bashkë me ekspertë pjesë e të cilëve ishte edhe Palanisamy. Ndër to përfshihen vendosja e 60 semaforëve të rinj në kryqëzimet kryesore të qytetit, krijimi i Qendrës Digjitale të Menaxhimit të Trafikut, si dhe sjellja e 100 autobusëve të rinj për transport publik. Një tjetër zotim i tij është që deri në fund të mandatit, transporti publik në Prishtinë të bëhet falas për qytetarët.
Andy Palanisamy e vlerësoi lartë vizionin e Ismailit, duke theksuar se Kosova dhe Prishtina kanë mundësinë të shndërrohen në model të menaxhimit progresiv të transportit urban. “Kosova ka një mundësi ta bëjë Prishtinën model, dhe sinqerisht shpresoj të fitoni. Ky lloj i mendimit progresiv i duhet çdo qyteti, jo vetëm Prishtinës, por kudo në botë. Pajtohem plotësisht për rëndësinë e kësaj qendre digjitale, sepse parimi është: atë që nuk mund ta matësh, nuk mund ta menaxhosh,” tha ai.
Ai shtoi se 100 autobusë janë të mjaftueshëm për një qytet të madhësisë së Prishtinës dhe e mbështeti idenë për transport publik falas, duke e konsideruar autobusin si alternativë më të shpejtë dhe më të lirë se sa veturat private. “Në shumë mënyra, ju tashmë jeni në rrugën e duhur për të sjellë ndikim të madh për komunitetin tuaj. Jam i bindur se do të bëni gjëra të mëdha si kryetar, dhe na konsideroni ne si aleatët tuaj,” u shpreh Palanisamy.