Mjeku ligjor, Naim Uka, gjatë dëshmisë së tij në procesin gjyqësor ndaj Naim Murselit, Granit Plavës dhe Kushtrim Kokallës, të akuzuar për vrasjen e Liridona Ademajt më 2023, ka dhënë detaje për raportin e autopsisë së Ademajt.
Ai ka thënë se në bazë të provave mjeko-ligjore distanca e qitjes, nga e cila është vrarë Ademaj sillet rreth 2 deri në 5 centimetra.
Uka ka theskuar se përjashtohet mundësia e vrasjes me puthitje apo gjysmë-puthitje.
“Gjatë procedurave të autopsisë mjeko-ligjore është konstatuar vrima hyrëse në regjionin e djathtë të kokës, e shkaktuar nga veprimi dinamik e cila ka pas veprim na djathtas në majtës, nga poshtë pjerrtas lartë. Është e rëndësishme të ceket, se pjesë metalike e kësaj predhe është futur në pjesën e majtë të kokës, e cila është dorëzuar si provë te policët hetues. Si rezultat i kësaj plage, ka ardhur edhe gjakderdhja e brendshme dhe e jashtme trurore, e cila është shkaku i vdekjes”, ka theksuar Uka.
Ndryshe, raporti i Institutit të Psikiatrisë Forenzike të Kosovës ka konstatuar se Naim Murseli, i akuzuar për vrasjen e Liridona Ademajt, nuk ka pasur çrregullime apo sëmundje mendore në kohën e kryerjes së veprës penale.
Edhe në seancën e 22 shtatorit 2025, ekspertët Shpend Haxhibeqiri dhe Bujar Obërtinca, konstatuan se të akuzuarit Murseli dhe Plava nuk kanë çrregullime mendore.
Në seancën fillestare të mbajtur më 31 janar 2025, Naim Murseli u deklarua i pafajshëm për vrasjen e bashkëshortes së tij Liridona Ademajt, Granit Plava nuk u deklarua rreth fajësisë, kurse Kushtrim Kokalla tha se nuk deklarohet pa u konsultuar me mbrojtjen. Ndërsa, fajtor u deklarua i akuzuari Tom Dodaj. Ky i fundit, pasi pranoi fajësinë u dënua me 5 vjet burgim dhe 5 mijë euro gjobë.
Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prishtinë më 15 janar 2025 ka ngritur aktakuzë ndaj Naim Murselit, Granit Plavës, Kushtrim Kokallës dhe Tom Dodajt.