Ekspertët bërthamorë kanë deklaruar se dëmet në objektet bërthamore të Iranit nga vala fillestare e sulmeve ajrore të Izraelit herët të premten duket se kanë qenë të kufizuara.
Sipas agjencisë Reuters, e cila citon disa ekspertë, imazhet satelitore nuk tregojnë ende dëme të konsiderueshme në infrastrukturën bërthamore. Sipas David Albright nga Instituti për Shkencë dhe Siguri Ndërkombëtare:
“Dita e parë ishte e përqendruar në objektiva që mund të goditen përmes befasisë – eliminimin e udhëheqësisë, shënjestrimin e shkencëtarëve bërthamorë, sistemet e mbrojtjes ajrore dhe aftësinë për t’u kundërpërgjigjur.
Nuk shohim dëme të dukshme në Fordow apo Isfahan. Ka pasur dëme në Natanz,” tha Albright, duke iu referuar objekteve bërthamore iraniane.
Por, shtoi ai, “nuk ka prova që objekti nëntokësor të jetë shkatërruar”.
Albright vuri në dukje gjithashtu se mund të kenë ndodhur edhe sulme me dron në tunelet që çojnë te impiantet nëntokësore të centrifugave, si dhe sulme kibernetike që nuk lënë gjurmë të dukshme, raporton The Guardian, përcjell Gazeta Express.
“Sa i përket dëmeve të dukshme, nuk shohim shumë, dhe do të shohim çfarë ndodh sonte,” tha ai, duke shtuar se beson që sulmet e Izraelit janë ende në një fazë të hershme.