Ekspertët shpjegojnë pse ilaçi për dobësim “Mounjaro” po ul dëshirën seksuale - Gazeta Express
string(75) "ekspertet-shpjegojne-pse-ilaci-per-dobesim-mounjaro-po-ul-deshiren-seksuale"

Keshilla Mjekësore

Gazeta Express

03/10/2025 18:40

Ekspertët shpjegojnë pse ilaçi për dobësim “Mounjaro” po ul dëshirën seksuale

Keshilla Mjekësore

Gazeta Express

03/10/2025 18:40

Ilaçet e reja për humbje peshe, si Mounjaro dhe Wegovy, të cilat fillimisht u përdorën për trajtimin e diabetit, tashmë janë bërë të njohura për efektin e tyre të shpejtë në uljen e peshës.

Por përveç dobësimit, mjekët po paralajmërojnë edhe një efekt anësor të pazakontë: uljen e libidos.

Këto injeksione funksionojnë duke imituar hormonin GLP-1, i cili lëshohet nga zorra pas ushqimit, duke ndikuar në ndjenjën e ngopjes dhe duke reduktuar oreksin. Por, sipas ekspertëve, ky mekanizëm prek gjithashtu dopaminën, kimikatin e trurit që lidhet me shpërblimin, motivimin dhe dëshirën – përfshirë atë seksuale.

“Seksi bazohet tek dëshira dhe shpërblimi, dhe shumë nga rrjetet nervore që kontrollojnë ushqimin dhe seksin mbivendosen,” shpjegoi Dr. Ryan Sultan, profesor i psikiatrisë klinike në Universitetin Columbia.

“Kur përdorim GLP-1, ne po zvogëlojmë proceset e brendshme që na shtyjnë drejt nevojave tona evolutive, si ushqimi dhe seksi.”

Dr. Bronwyn Holmes, specialiste në hormonoterapi në SHBA, shtoi se këto barna “zbehin sinjalet e dopaminës që lidhen me shpërblimin, duke ulur dëshirën për ushqim apo sjellje kompulsive, por kjo mund të ndikojë edhe tek intimiteti.”

Sipas saj, efektet tek dëshira seksuale zakonisht janë të kthyeshme pas ndërprerjes së ilaçit, edhe pse koha e rikuperimit ndryshon nga personi në person.

Një studim britanik i botuar në QJM: An International Journal of Medicine ka treguar se përdoruesit e rinj të këtyre barnave mund të përjetojnë ndryshime në vendimmarrje, jo vetëm nga mungesa e kalorive, por edhe nga ndikimi i GLP-1 në funksionin e trurit.

Profesori i neuroshkencës në Universitetin e Miçiganit, Dr. Kent Berridge, theksoi se zakonisht mendimi ose shikimi i partnerit nxit dëshirën seksuale, por frenimi i dopaminës e “sheshon” këtë proces, duke ulur natyrshëm dëshirën.

Aktualisht, mbi 500 mijë pacientë në Britani dhe rreth 15 milionë në SHBA po përdorin këto injeksione, duke arritur të humbin deri në 20% të peshës trupore brenda pak muajsh. Por ndërsa përdorimi i tyre po rritet, po shtohen edhe shqetësimet për ndikimin tek jeta intime.

Njëkohësisht, sondazhet tregojnë për një “krizë globale të seksit”. Një studim i vitit të kaluar zbuloi se 27% e britanikëve bëjnë më pak seks se më parë, ndërsa 1 në 6 persona pranoi se nuk ka kryer marrëdhënie gjatë gjithë vitit.

Pavarësisht kësaj, mjekët theksojnë se seksi dhe intimiteti sjellin përfitime të rëndësishme shëndetësore, si përmirësim të gjendjes së zemrës, reduktim të stresit dhe forcim të shëndetit mendor.

Në Mbretërinë e Bashkuar, Wegovy u përshkruhet aktualisht rreth 35 mijë pacientëve në klinikat e specializuara për menaxhimin e peshës, ndërsa Mounjaro është i disponueshëm që prej muajit mars dhe tani mund të përshkruhet edhe nga mjekët e familjes. /GazetaExpress/