Nga ekranet prekje në panele kontrolli te dorezat e fshehura të dyerve, shumica e makinave të reja sot janë të mbushura me teknologji të avancuar. Por ekspertët e sigurisë rrugore paralajmërojnë se disa nga këto funksione mund të jenë vërtet të rrezikshme.
Një nga rreziqet më të fundit janë dorezat “pop-out” të dyerve, të cilat u ndaluan këtë javë nga autoritetet kineze pasi mund të bllokojnë pasagjerët brenda makinës pas një aksidenti. Edhe paneleve me ekran prekje për “infotainment” u është tërhequr vëmendja, sepse detyrojnë shoferin të heqë sytë nga rruga, duke rritur rrezikun e aksidenteve.

Profesor Milad Haghani, ekspert i sigurisë në Universitetin e Melbourne, shpjegon: “Ekranet kërkojnë vëmendje vizuale dhe shikime më të gjata se ato të sigurta. Kjo gjë mund të jetë vdekjeprurëse.”
Këto lloje dorezash u bënë të njohura me Tesla Model S në 2012 dhe përdorin një buton elektronik për të hapur derën nga brenda, jo një levë mekanike. Në rast aksidenti, dështimet elektrike mund të bllokojnë hapjen e dyerve, duke rrezikuar jetën e pasagjerëve. Në Kinë, ndalimi erdhi pas dy aksidenteve fatale me automjete elektrike Xiaomi, ku supozohej se dështimet e energjisë penguan hapjen e dyerve.


Gjithashtu, ekranet prekje që janë bërë standard në shumicën e makinave të reja, detyrojnë shoferin të heqë vëmendjen nga rruga për detyra të thjeshta, si kontrolli i dritave, fshirësve apo klimës. Studimet tregojnë se përdorimi i ekranit prekje ul shpejtësinë e reagimit të shoferëve mbi 50%, më shumë se përdorimi i telefonit gjatë drejtimit.
Ekspertët sugjerojnë kthimin te butonat dhe levat tradicionale, që krijojnë vetëm një shpërqendrim manual dhe nuk kërkojnë të kesh sytë larg rrugës. Sipas Profesor Haghani: “Sa më intuitiv dhe i thjeshtë të jetë paneli, aq më i sigurt është drejtimi.”
Studimet tregojnë gjithashtu se shoferët nuk duan panele të komplikuara prekje. Një sondazh RAC me 2,395 drejtues makine tregoi se pothuaj një e katërta i konsideron sistemet infotainment një nga shqetësimet kryesore të sigurisë.
Disa vende tashmë po veprojnë. Euro NCAP njoftoi se makinat e reja do të marrin vlerësim pesë yjesh vetëm nëse kanë kontrolle fizike për funksionet thelbësore. Po ashtu, Australia dhe Zelanda e Re do të kërkojnë rikthimin e butonave fizikë në makina nga viti 2026, për të reduktuar shpërqendrimin gjatë drejtimit dhe rritur sigurinë rrugore. /GazetaExpress/
Nga një karrierë shumëvjeçare në gazetari, drejt sipërmarrjes dhe inovacionit në ndërtim – rruga profesionale e Esat Ahmetit pasqyron...