Ekspertët e krizave ushqimore: Skenari më i keq i urisë po ndodh në Gazë - Gazeta Express
string(71) "ekspertet-e-krizave-ushqimore-skenari-me-i-keq-i-urise-po-ndodh-ne-gaze"

Lajme

Gazeta Express

29/07/2025 13:42

Ekspertët e krizave ushqimore: Skenari më i keq i urisë po ndodh në Gazë

Lajme

Gazeta Express

29/07/2025 13:42

“Skenari më i keq i urisë po ndodh aktualisht në Rripin e Gazës”, tha autoriteti kryesor ndërkombëtar për kriza ushqimore më 29 korrik, duke parashikuar “vdekje të shumta” nëse nuk merren masa të menjëhershme.

Ky paralajmërim, që ende nuk përbën shpallje zyrtare të urisë, vjen pas reagimeve të shumta pas publikimit të imazheve të fëmijëve të kequshqyer dhe raportimeve për dhjetëra vdekje të lidhura me urinë pas gati 22 muajsh luftë.

Presioni ndërkombëtar e shtyu Izraelin që gjatë fundjavës të shpallë disa masa, përfshirë ndalesa të përditshme në luftime për shkaqe humanitare në disa pjesë të Gazës dhe hedhjen nga ajri të pakove me ndihma. Megjithatë, Kombet e Bashkuara dhe palestinezët në Gazë thonë se situata ka ndryshuar pak, teksa turmat e dëshpëruara të palestinezëve vazhdojnë të dynden drejt kamionëve me ndihma para se ato të arrijnë në destinacionet e parapara.

Klasifikimi i Integruar i Sigurisë Ushqimore (IPC) paralajmëroi se Gaza që dy vjet është buzë urisë, por zhvillimet e fundit kanë “përshkallëzuar në mënyrë dramatike” situatën.

Shpallja zyrtare e urisë, që është e rrallë, kërkon të dhëna që nuk mund të merren në Gazë për shkak të pengimit të qasjes në këtë territor.

Porm ekspertët e pavarur thonë se nuk kanë nevojë për një shpallje formale për të kuptuar atë që po shohin në Gaza.

“Ashtu si një mjek familjar mund ta diagnostikojë shpesh një pacient me të cilin është i njohur bazuar në simptomat e dukshme, pa pasur nevojë të dërgojë mostra në laborator dhe të presë rezultatet, po ashtu mund t’i interpretojmë simptomat e Gazës. Kjo është uri e vërtetë”, tha për Associated Press Alex de Waal, autor i librit “Uria Masive: Historia dhe e Ardhmja e Saj” dhe drejtor ekzekutiv i Fondacionit për Paqe Botërore.

Teksa situata humanitare në Gazë është rënduar, Ministria e Shëndetësisë në territorin palestinez njoftoi më 29 korrik se numri i viktimave që nga nisja e luftës më 2023 ka shkuar në mbi 60.000.

Lufta në Gazë ka nisur më 7 tetor 2023, kur radikalët e Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – sulmuan jugun e Izraelit, duke vrarë afër 1.200 persona dhe duke rrëmbyer afër 250 të tjerë. Afër 50 persona besohet se ende mbahen në Gazë, ndërsa të tjerët janë liruar në marrëveshjet paraprake të armëpushimit. /REL/