Kryetari i Malishevës, Ekrem Kastrati, ka rrëfyer momentin kur për herë të parë mori vesh se Kosova ishte çliruar.
Ai tha se më 16 qershor 1999 ndodhej në burgun e Nishit si i burgosur politik dhe pjesëtar i UÇK-së. Aty, së bashku me të burgosurit e tjerë, dëgjuan të shtëna armësh, që fillimisht menduan se ishin pushkatime të shqiptarëve.
“Menduam se po pushkatoheshin shqiptarët, por më vonë kuptuam se ato të shtëna ishin për lirinë. Lajmin për përfundimin e luftës e dëgjuam në RTS, ku u prezantua sikur Serbia kishte fituar por ne e kuptuam ndryshe, NATO kishte ndërhyrë dhe Kosova ishte e lirë”, tha Kastrati për Kanal10.