Ekonomia kosovare mund të ringjallet së shpejti - Gazeta Express
string(47) "ekonomia-kosovare-mund-te-ringjallet-se-shpejti"

Ekonomia kosovare mund të ringjallet së shpejti

Gazeta Express

08/09/2020 15:25

Kriza pandemike ka goditur edhe ekonominë e Kosovës, ashtu siç ka goditur ekonomitë në mbarë botën. BQK ka raporte të shkëlqyeshme dhe komunikime të rregullta me institucionet financiare ndërkombëtare për kredi dhe ndihmë në rast nevoje. Tregu i Bankave dhe Sigurimeve është stabil. Shuma e kredive të aprovuara për shtyrje nga Bankat është rreth 1.52 miliardë euro. Guvernatori i BQK’së Fehmi Mehmeti flet ekskluzivisht për Express.  

Express : Masat kufizuese të ndërmarra me qëllim të parandalimit të përhapjes së pandemisë tani më është e qartë se kanë goditur ekonominë e vendit. Çfarë roli po luan BQK për të ndihmuar rimëkëmbjen e ekonomisë? 

Lexo Edhe:

F. Mehmeti : Pa dyshim se kriza pandemike ka goditur edhe ekonominë e Kosovës, ashtu siç ka goditur ekonomitë në mbarë botën. Kufizimi i ushtrimit në mënyrë normale i aktivitetit të shumë veprimtarive afariste ka bërë që të bie niveli i kërkesës dhe rrjedhimisht edhe niveli i punësimit dhe të ardhurave në ekonomi. Banka Qendrore e Republikës së Kosovës që në fillim të këtyre masave kufizuese ka treguar proaktivitet të lartë që, në kuadër të instrumenteve që ka në dispozicion, të ndihmojë agjentët ekonomik në përballimin sa më të lehtë të kësaj krize ekonomike. Masat e ndërmarra nga BQK-ja kryesisht kanë pasur për qëllim ndihmën në ruajtjen e likuiditetit të individëve dhe të bizneseve, duke u mundësuar atyre që të shtyjnë pagesat e kësteve kreditore. Këto masa më pas u pasuan me lehtësime të tjera për bankat që t’i mundësojnë huamarrësve të prekur nga kriza riprogramimin e kredive të tyre, duke e bërë kështu të mundur shpërndarjen e barrës kreditore përgjatë një periudhe më të gjatë kohore. 

Sidoqoftë, BQK-ja në vazhdimësi ka konsideruar se masat e lidhura me lehtësimin e barrës kreditore nuk mund të jenë të mjaftueshme për të mundësuar rimëkëmbjen e ekonomisë. Rimëkëmbja e ekonomisë kërkon një pako më komplekse të masave të cilat mundësojnë injektime të reja të fondeve në ekonomi për të mundësuar rritjen e kërkesës. Prandaj, BQK-ja gjatë gjithë periudhës së krizës ka vënë në dispozicion të gjitha kapacitetet e saja profesionale për të ndihmuar Qeverinë e Kosovës në përpilimin e një pakoje të masave për rimëkëmbje ekonomike. Me gjithë faktin se një pako e tillë e masave është formuluar, ajo ende nuk ka filluar të zbatohet për shkak se Ligji për Rimëkëmbjen Ekonomike ende nuk është miratuar nga Kuvendi i Kosovës. Çdo ditë shtesë që kalon pa fillimin e zbatimit të Ligjit për Rimëkëmbjen Ekonomike nënkupton pasoja edhe më të rënda për ekonominë e vendit. 

Express : A ka pasur rol bashkëpunimi ndërkombëtar në menaxhimin e pasojave ekonomike të krizës pandemike? 

F. Mehmeti : Banka Qendrore e Republikës së Kosovës ka raporte të shkëlqyeshme dhe komunikime të rregullta me institucionet financiare ndërkombëtare. Këto komunikime janë intensifikuar edhe më tutje gjatë muajve të fundit me qëllim të menaxhimit sa më të mirë të krizës, duke përfituar nga këshillat dhe instrumentet e institucioneve financiare ndërkombëtare, si Fondi Monetar Ndërkombëtar, Banka Botërore, Banka Qendrore Evropiane, Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, si dhe institucione tjera ndërkombëtare financiare dhe jo financiare. Në komunikimet dhe takimet e rregullta të zhvilluara të gjithë i ndajmë shqetësimet e njëjta për situatën e krijuar, e në veçanti për pasojat që mund të kemi në rast të zgjatjes së kësaj situate. 

Është me rëndësi të theksohet fakti se BQK-ja ka qenë e angazhuar në diskutimet e vazhdueshme lidhur me kreditë dhe asistencat e marra nga këto institucione dhe nënshkrimin e tyre, sikurse që është rasti me RFI (Rapid Financing Instrument) nga FMN-ja në shumë prej 52 milionë euro për të mbuluar nevojat urgjente dhe të përkohshme të bilancit të pagesave si rezultat i pandemisë. Në rast se kjo shumë rezulton të jetë e pamjaftueshme mund të bëjmë edhe një kërkesë të dytë për mbështetje financiare, për të cilën besojmë se FMN-ja është e gatshme për të na përkrahur. BQK-ja ka pasur komunikime të rregullta me Bashkimin Evropian dhe koordinim me institucionet vendore edhe sa i përket asistencës nga Bashkimi Evropian në shumë prej 100 milionë euro. 

Gjithashtu, në takimet me përfaqësues të Bankës Botërore, Bankës Evropiane për Rindërtim dhe zhvillim dhe institucionet tjera, BQK-ja ka pranuar përkrahje të pa rezervë për mbajtje të nivelit të lartë bashkëpunimit me BQK-në, në realizimin e projekteve që për qëllim kryesor kanë zhvillimin e vazhdueshëm të sektorit financiar dhe të ekonomisë së Kosovës në përgjithësi. 

BQK-ja para pak kohë ka arritur marrëveshje me Bankën Qendrore Evropiane për të vendosur një linjë të financimit REPO në shumë prej 100 milion euro sipas linjave të Eurosistemit për bankat qendrore. Kjo linjë e financimit do të zbatohet nga Deutsche Bundesbank në emër të Eurosistemit dhe do të jetë në dispozicion të BQK-së me mundësi të shfrytëzimit deri me 30 qershor 2021 për të përmbushur nevojat e mundshme të likuiditetit që mund të krijohen si rezultat i mosfunksionimit të tregut si rezultat i pandemisë COVID-19. 

Express: Rënia e aktivitetit ekonomik po konsiderohet që po i shkakton huamarrësve vështirësi në kthimin e kredive. Cilat masa i ka ndërmarrë BQK-ja në këtë drejtim? 

F. Mehmeti : Zhvillimet e deritashme na kanë bërë të qartë se pandemia Covid 19 ka shkaktuar krizë shëndetësore dhe ekonomike pothuajse në tërë botën, e cila ka pasur efekt të menjëhershëm dhe të madh në të gjitha ekonomitë botërore, duke goditur edhe anën e ofertës edhe atë të kërkesës. 

Pandemia ka ndikuar në ndërprerjen e aktivitetit në shumë sektorë të ekonomisë në Kosovë, duke lënë bizneset pa të hyra, përderisa detyrimet e këtyre bizneseve vazhdojnë të jenë aktive, gjë që ka rrezikuar aftësinë e tyre paguese duke ua vështirësuar edhe aktivitetin e tyre. 

Gjatë kësaj periudhe, Banka Qendrore e Republikës së Kosovës është treguar proaktive në ndërmarrjen e masave për t’iu lehtësuar huamarrësve përballimin e vështirësive financiare, të cilat i ka shkaktuar kriza pandemike, fillimisht duke u mundësuar atyre shtyrjen e pagesave të kësteve të kredisë dhe ruajtjes së likuiditetit të tyre përgjatë periudhës së ndërprerjes së aktivitetit të shumë veprimtarive ekonomike. 

Deri me 31 korrik 2020, sektorin bankar ka pranuar gjithsej 77,629 kërkesa për shtyrje të kredive, apo 49.2 për qind e gjithsej numrit të kredive. Këto kërkesa për shtyrje të pagesave të kësteve të kredive paraqesin 64.6 për qind e gjithsej portofolit kreditor. Është e rëndësishme të theksohet se sektori bankar iu është përgjigjur pozitivisht kërkesës së bizneseve dhe personave fizik për shtyrje të pagesës së kësteve të kredive, ku për biznese janë aprovuar 99 për qind e kërkesave për shtyrje dhe për persona fizik 89 për qind. Shuma e kredive të aprovuara për shtyrje është rreth 1.52 miliardë euro. 

Pas përfundimit të afatit tremujor mars-qershor të shtyrjes së kredive, gjithmonë duke pas parasysh situatën e krijuar në të cilën ndodhen bizneset dhe ekonomia e vendit, si dhe me qëllim të krijimit të lehtësirave për kredimarrësit, BQK-ja ka përgatitur një udhëzues për institucionet kredidhënëse lidhur me ristrukturimin e kredive për shkak të COVID-19. Me këtë udhëzues janë vendosur kriteret e procesit të ristrukturimit të kredive në mënyrë që kredimarrësit që kanë vështirësi financiare të mund të përmbushin detyrimet e tyre të parapara me kontratë dhe t’i kthehen normalitetit të aktivitetit të tyre biznesor. 

Pra, duke marrë parasysh ndikimin e madh të Covid-19 në ekonomi dhe në performancën e kredimarrësve, BQK-ja ka udhëzuar institucionet kredidhënëse që të bëjnë Ristrukturimin e kredive me qëllim të lehtësimit të pagesave të kredive për individët dhe kompanitë në vështirësi financiare që t’u mundësohet vazhdimi i veprimtarisë dhe tejkalimit të vështirësive financiare. 

BQK-ja vlerëson se ky udhëzues do jetë një faktor shumë i rëndësishëm në lehtësimin e detyrimeve të bizneseve dhe qytetarëve të prekur nga pandemia, duke i mundësuar sektorit bankar zbatimin e kritereve të përshtatshme që ndërlidhen me kriteret e afatit kohor, normave të interesit, grace periudhës. Gjithë kjo me qëllim të rimëkëmbjes së bizneseve e me këtë edhe të ekonomisë në përgjithësi. 

Express : A ka ndikuar kriza në stabilitetin financiar dhe cilat janë pritjet e juaja për këtë sektor në të ardhmen? 

F. Mehmeti : Sistemi Financiar vazhdon të jetë stabil dhe i qëndrueshëm përkundër vështirësive që ka hasur gjatë pandemisë. Sektori Bankar është komponenta kryesore e Sistemit Financiar. Ky sektor është mjaft mirë i kapitalizuar dhe ka nivele të larta të likuiditetit. Ky sektor pas diskutimeve me BQK-në fillimisht ka aplikuar moratorium për pagesat e kredive për të gjithë huamarrësit e afektuar ekonomikisht nga pandemia. Pas përfundimit të moratoriumit ky sektor do të vazhdoj të merret me ristrukturimin e kredive jo-performuese për shkak të pandemisë si dhe të ndihmoj sektorin privat në përmbushjen e nevojave të tyre për likuiditet dhe investime. Është e rëndësishme të theksohet se sektori bankar ka kapacitete të mjaftueshme për të vazhduar përkrahjen dhe zhvillimin ekonomik të Kosovës. Sektori pensional tashmë pothuajse është rikuperuar plotësisht nga rënia e vlerës e shkaktuara në tregjet financiare ndërkombëtare gjatë pandemisë. Në vitin aktual kthimi është pozitiv prej 0.9% apo €25.5 milion. Sektori mikrofinanciar përfshirë institucionet financiare jo-bankare vazhdon të japë kontribut në kreditimin e ekonomive familjare ndonëse më një ngadalësim të aktivitetit kreditues si rezultat i pandemisë. Sektori i sigurimeve edhe pse me peshë më të vogël në sistemin financiar vazhdon të këtë performancë dhe stabilitet të kënaqshëm dhe të përmirësoj vazhdimisht aftësinë e pagesës së dëmeve. 

Express : Kriza pandemike ka goditur edhe ekonomitë e huaja, ku edhe janë të investuara një pjesë e konsiderueshme e kursimeve pensionale të qytetarëve të Kosovës. Si është ndikuar vlera e kursimeve pensionale nga këto zhvillime? 

F. Mehmeti : Shuma e aseteve të Fondi i Kursimeve Pensionale të Kosovës (FKPK) në tremujorin e dytë ka kaluar 2 miliardë euro. Një pjesë e tyre prej 614.5 milion euro, sipas të dhënave të qershorit 2020 janë të investuara në Kosovë në formë të letrave me vlerë të qeverisë së Kosovës dhe plasmaneve në Banka. Fondi i Kursimeve Pensionale të Kosovës vazhdon të ndikohet nga zhvillimet në tregjet ndërkombëtare financiare pasi që pjesa me e madhe e aseteve të Fondit është e investuar në këto tregje. Performanca e tregjeve financiare ndërkombëtare është përmirësuar vazhdimisht muajve të fundit dhe tashmë pothuajse janë rikuperuar rënien e vlerës e shkaktuara gjatë pandemisë. Kthimi në vitin aktual deri më tani është pozitiv prej 0.9%. Tregjet financiare ndërkombëtare mund të kenë luhatje të vogla të kohëpaskohshme megjithatë ne vlerësojmë se në afat të gjatë kthimet do të vazhdojnë të jenë pozitive duke marrë parasysh edhe rrezikun e investimit. 

Njëra ndër sfidat kryesore të sistemin financiar në vend, vazhdon të jetë industria e sigurimeve, duke pasur kapitalizim të pamjaftueshëm, provizionim jo të plotë, vështirësi në funksionim, të shtuar gjatë kohës së pandemisë e të ngjashme. Si e vlerëson BQK-ja aktualisht situatën e industrisë së sigurimeve. 

Sektori i sigurimeve në Kosovë, ndër vite nuk ka pasur performancë të kënaqshme. Përpos tjerash, një performancë e tillë është ndikuar nga disa faktorë, ku do përmendja tatimin në bruto primin e shkruar apo tatimin në qarkullim prej 5%, detyrimin e sektorit të sigurimeve prej 1% për Kryqin e Kuq, si dhe dëmet e shkaktuara nga automjetet e pasiguruara, që qarkullojnë në territorin e Republikës së Kosovës. Marrë parasysh këta faktorë, nga njëra anë dhe kërkesat e BQK-së për rivlerësim të provizioneve teknike dhe menaxhimi jo i duhur i shpenzimeve nga ana e siguruesve, si dhe mbikëqyrja më e përafërt e sektorit, ka ndikuar që rezultatet financiare të kompanive të sigurimit gjatë viteve të kaluara të jenë negative. 

Masat e ndërmarra nga ana e BQK-së, kanë rezultuar të jenë efektive në zvogëlimin dhe kufizimin e shpenzimeve duke marrë parasysh rënien e konsiderueshme të shpenzimeve të sektorit të sigurimeve, në periudhën e fundit. Po ashtu, gjatë kësaj kohe, në sektorin e sigurimeve kemi edhe rritje të pagesës së dëmeve. 

Është e rëndësishme të potencohet fakti se gjatë vitit të kaluar ka pasur zhvillime pozitive edhe me ndryshimin e Ligjit në të Ardhurat e Korporatave sa i përket trajtimit të siguruesve për pagesën e tatimit dhe vendimit të Gjykatës Kushtetuese lidhur me shfuqizimin e paragrafit 1.7 të nenit 14 të Ligjit për Kryqin e Kuq të Kosovës. Çështje akoma e pa trajtuar, e cila vazhdon të ketë efekt negativ në sektorin e sigurimeve janë automjetet e pasiguruara. Nga automjetet e pasiguruara, përveç humbjeve të shkaktuara kompanive të sigurimit, ku pagesat për Fondin e Kompensimit, i krijuar për mbulimin e dëmeve të shkaktuara nga makinat e pasiguruara në Kosovë, janë mbi 4 milion euro në vit, pa përmendur këtu primin e humbur nga mos sigurimi i këtyre automjeteve. 

Gjatë vitit 2020, sektori i sigurimeve ka filluar të ketë përmirësime në performancë ku, përveç numrit më të ultë të dëmeve të raportuara në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit 2019, për 

shkak të zbatimit të kufizimeve si rezultat i pandemisë Covid 19, ndikim më me peshë patën edhe dy faktorë tjerë. Faktori i parë ndërlidhet me ndryshimet tatimore, me ç’rast kalimi nga tatimi në qarkullim (5%) në zbatimin e tatimit në fitim (10%) pati efekte pozitive në performancën e siguruesve, ndërsa faktori dytë ndërlidhet me hyrjen në fuqi të rregullores për menaxhimin e shpenzimeve të siguruesve duke ndikuar kështu në rënien e nivelit të përgjithshëm të shpenzimeve. Vetëm gjatë periudhës janar – qershor 2020 niveli i përgjithshëm i shpenzimeve operative të siguruesve shënoi rënie për 11.7% në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit paraprak 2019. 

Përveç kësaj, për shkak të angazhimit të BQK-së dhe kërkesës së vazhdueshme në plotësimin e kërkesave rregullatore, Siguruesit gjatë vitit 2019 dhe 2020 kanë shtuar kapital në shumë prej 11.2 milionë euro, ndërsa deri në fund të shtatorit presim që kjo shumë të jetë afër 15 milionë euro. 

Bazuar në këtë, ne vlerësojmë se sektori i sigurimeve ka filluar konsolidimin e tij dhe besojmë që brenda një afati shumë të shkurtër kohor ky sektor do të luajë rolin e saj pozitiv në zhvillimin ekonomik, sikurse në çdo vend tjetër të botës. 

Express : Çfarë ndikimi do të këtë digjitalizimi i shërbimeve bankare në qasjen në financa dhe zhvillimin ekonomik të Kosovës? 

F. Mehmeti : Digjitalizimi do të ndikoj në rritjen e ekonomike dhe krijimin e vendeve të reja të punës si dhe do të ju mundësoj kompanive jo vetëm të zvogëlojnë kostot por edhe të rrisin të hyrat e tyre. 

Sektori bankar jo vetëm në Kosovë por edhe në vendet tjera është duke kaluar nëpër një transformim të një shkallë të gjerë që do të këtë implikim edhe në mënyrën e bërjes biznes të kompanive. Teknologjitë e reja janë duke iu mundësuar bankave që të rishikojnë proceset e tyre dhe të identifikojnë mënyra dhe shërbime të reja më të avancuara për të përmbushur nevojat e klientëve të tyre. Investimet në zhvillimin dhe avancimin e platformave digjitale janë duke u rritur vazhdimisht. Adoptimi i teknologjive t reja është shumë i rëndësishëm për të përmirësuar kualitetin e të dhënave dhe rritur cilësinë e raporteve. 

Digjitalizimi i shërbimeve bankare do të përmirësoj këto shërbime financiare në shumë mënyra. Së pari do të thjeshtësoj dhe lehtësoj më shumë qasjen në këto shërbime por edhe do të mundësoj fokusim më të madh në nevojat e klientit për këto shërbime. 

Produktet e shërbimeve financiare do të përfitojnë shumë nga digjitalizimi. Së pari digjitalizimi do të mundësoj kursime dhe efiçiencë më të lartë të proceseve për krijimin e këtyre shërbimeve por edhe do t’i bëjë këto shërbimeve më tërheqëse për klientët. 

Aktualisht rinia është shfrytëzuesi më i madh i këtyre shërbime dhe duke pasur parasysh demografinë e Kosovës këto shërbime do të shfrytëzohen në masë të madhe dhe do të mundësojnë zhvillimin më të avancuar të sektorit financiar. 

Në Kosovë sipas të dhënave të muajit korrik 2020 janë afro 320 mijë llogari e-banking të cilat përbëjnë 17.5% të të gjitha llogarive. Prej tyre pjesa më e madhe apo afro 271 mijë janë llogari e-banking të individëve përderisa pjesa tjetër prej 49 mijë janë llogari e-banking të afaristëve. 

Digjitalizimi do të mundësoj kursimin në kohë dhe si i tillë do të bëhet më i përshtatshëm për klientët duke rritur edhe besnikërinë e klientëve. Sot shumë klientë në Kosovë kanë qasje në llogaritë bankarë 24 orë si rezultat i bankingut elektronik. Digjitalizimi do t’u mundësoj klientëve edhe kryerjen e shumë pagesave pa pasur nevojë për paranë fizike. Kjo do të ndikoj në rritjen e interaksionit në ekonomi dhe njëkohësisht do të ndihmoj në zhvillimin ekonomik të Kosovës. 

BQK po ashtu ka aprovuar një varg rregulloresh të natyrës së fintech, të cilat janë në fuqi nga janari i vitit 2021. Deri më tani, ne kemi licencuar tre operator dhe ekziston një intensitet mjaft i lartë i interesimit për këtë industri. Të mos harrojmë, licencimi në kohë pandemie, tregon se ky sektor do të ketë të ardhme të mirë.