Prej 20 deri më 26 korrik, sportistët kosovarë do ta përfaqësojnë vendin në Festivalin Olimpik Evropian për të Rinj, që këtë vit mbahet në Shkup të Maqedonisë së Veriut.
Të pajisur me veshje të brendit të njohur 4F, Kosova do të përfaqësohet me 32 sportistë në nëntë sporte: Xhudo, atletikë, çiklizëm, pingpong, gjimnastikë, not, taekwondo, shenjëtari sportive dhe badminton.
Presidenti i KOK-ut, Ismet Krasniqi e priti ekipin olimpik dhe iu uroi suksese, duke i inkurajuar që ta japin maksimumin në gara.
Disa prej sportistëve nuk ishin të pranishëm, për shkak të përgatitjeve jashtë vendit që janë mundësuar po ashtu nga KOK-u.
Udhëtimi drejt Shkupit bëhet të shtunën, ndërsa ceremonia hapëse mbahet të dielën. /Gazeta Express