Ekipi i mbrojtjes së Thaçit në rrezik, kërkesë urgjente Qeverisë dhe Ministrisë së Drejtësisë - Gazeta Express
string(92) "ekipi-i-mbrojtjes-se-thacit-ne-rrezik-kerkese-urgjente-qeverise-dhe-ministrise-se-drejtesise"

Lajme

Gazeta Express

23/07/2025 22:36

Ekipi i mbrojtjes së Thaçit në rrezik, kërkesë urgjente Qeverisë dhe Ministrisë së Drejtësisë

Lajme

Gazeta Express

23/07/2025 22:36

Personi i parë me të cilin Luka Misetiq e kishte ndarë gëzimin për lirimin e gjeneralit kroat Ante Gotovina, ishte Gregory Kehoe.

Në rast të një fitore të tillë për të cilën po punon, te rasti i Thaçit dhe të tjerëve në Gjykatën Speciale, nuk mund ta ndajë sërish me avokatin amerikan Kehoe, i cili u nda nga ekipi i mbrojtjes së Hashim Thaçit në janar të 2024-ës, për shkak të mungesës së mjeteve financiare.

Tani, ish presidenti ka rrezik të mbetet edhe pa pasuesin e tij në krye të mbrojtjes, kroatin Misetiq, për çka Fondacioni për mbrojtjen juridike të Hashim Thaçit i është drejtuar me kërkesë urgjente Qeverisë dhe Ministrisë së Drejtësisë.

“Siç edhe ju kemi njoftuar në kërkesën paraprake (të vitit 2024) vendosja e kufizimeve të shpenzimeve për qëllime të mbrojtjes juridike e bërë përmes UA për plotësimin dhe ndryshimin e UA për mbrojtjen juridike të personave të akuzuar potencial për krimet e pretenduara në proceset gjyqësore pranë DhSK, ekipin mbrojtës të ish presidentit Thaçi e ka vënë në situatë të pamundësisë objektive për të kryer funksionin e tij sepse në mungesë të mjeteve financiare jo vetëm që i është larguar njëri prej avokatëve kryesorë por edhe aktualisht avokati kryesor i angazhuar ka paralajmëruar se do të mund të largohet në periudhën e ardhshme.” – thuhet në një letër të Fondacionit “Përkrahje për mbrojtjen juridike të Hashim Thaçit” të cilën e ka parë televizioni.

Klan Kosova priti 3 javë që të mësojë nga Qeveria dhe dikasteri i drejtësisë, përgjigjen zyrtare për fondacionin. Pati vetëm deklarime të shkurta nga ministrat në detyrë.

Ministri në detyrë i financave, Hekuran Murati, deklaroi se nuk është as në dijeni të një kërkese të tillë, ndërkaq ministrja në detyrë e drejtësisë Albulena Haxhiu, pasi u pyet ekskluzivisht për letrën urgjente, foli për mjetet (rreth 32 milionë euro) që MD ka ndarë për të gjithë të akuzuarit në DhSK përgjatë viteve.

Sidoqoftë në pritje që mbi 40 ditë është edhe fondacioni për mbrojtjen juridike të Hashim Thaçit. Këta i thanë televizionit se kanë vetëm përgjigjen e vitit të kaluar, refuzuese.

Po për shkak të financave, edhe mbrojtësi kryesor i Kadri Veselit, Ben Emmerson, është tërhequr nga rasti më i madh i Speciales në Gusht të 2024.

Disa anëtarë të ekipeve po punojnë pa pagesë deri në 18 orë në ditë, për ta bërë gati rastin e mbrojtjes që nis më së largu në shtator.