Tri skuadrat shqiptare që po garojnë në raundin e dytë kualifikues të Ligës së Konferencës kanë përfunduar pjesët e para të ndeshjeve të tyre me rezultate premtuese që i mbajnë në garë për kualifikim.
Ballkani, nënkampioni i Kosovës, është duke barazuar 1-1 në udhëtim kundër Floriana-s në Maltë. Pasi vendasit kaluan të parët në epërsi në minutën e 38-të përmes golit të Vella-s, skuadra nga Suhareka reagoi menjëherë. Në minutën e parë shtesë të pjesës së parë, Adjetunji realizoi një gol të rëndësishëm që barazoi shifrat. Me këtë rezultat, Ballkani është me një këmbë në raundin tjetër, pasi në ndeshjen e parë kishte fituar me rezultat të thellë 4-2, duke e çuar rezultatin e përgjithshëm aktualisht në 5-3 në favor të Ballkanit.
Nga ana tjetër, Dinamo City, e udhëhequr nga trajneri Ilir Daja, është në rrugë të mbarë për kualifikim. Skuadra shqiptare po fiton 1-0 ndaj Inter Club d’Escaldes nga Andorra, falë golit të Zabergja-s në minutën e 18-të. Me këtë rezultat dhe fitoren 2-1 në ndeshjen e parë, Dinamo e thellon epërsinë në rezultatin e përgjithshëm 3-1, duke kontrolluar fatin e kualifikimit në duart e veta.
Ndërkohë, Vllaznia e Shkodrës po barazon 1-1 në përballjen jashtë fushe ndaj Vikingur Reykjavik në Islandë. Islandezët kaluan të parët në epërsi në minutën e 10-të me golin e Hafsteinsson, por shkodranët reaguan shpejt. Në minutën e 26-të, Bekim Balaj shënoi nga penalltia, duke rikthyer baraspeshën. Me rezultatin e parë 2-1 në favor të Vllaznisë në Shkodër, ky barazim aktual e dërgon ekipin shqiptar më tej në kompeticion.
Tri ndeshje, asnjë disfatë deri tani për skuadrat shqiptare në pjesën e parë, të cilat po japin sinjale serioze për kualifikim në raundin e tretë të Ligës së Konferencës. Pjesët e dyta pritet të jenë vendimtare dhe emocionuese, por me këtë performancë, skuadrat shqiptare po konfirmojnë ambiciet për një verë të gjatë evropiane. /Gazeta Express/