Ejupi komenton dënimin e Agim Ademit dhe kandidaturën potenciale për president të FFK-së - Gazeta Express

Sport

Gazeta Express

10/07/2020 21:20

Ejupi komenton dënimin e Agim Ademit dhe kandidaturën potenciale për president të FFK-së

Sport

Gazeta Express

10/07/2020 21:20

Presidenti i Prishtinës, Remzi Ejupi, ka thënë se ai do të jetë prijës i ndryshimeve në futbollin kosovar, por s’ka pranuar të tregojë nëse do të kandidojë për postin e presidentit, përderisa e ka komentuar edhe situatën e presidentit Ademi.

Federata e Futbollit e Kosovës është përballur me kundërshtim të vazhdueshëm gjatë këtij sezoni. Vazhdimisht është kontestuar nëse presidenti Agim Ademi në vitin 2018 kishte marrë mandat katërvjeçar, deri më 2022, apo vetëm për ta vazhduar mandatin e presidentit të ndjerë Fadil Vokrri, dëri këtë vit, transmeton Gazeta Express.

Ademit i është bërë presion edhe përmes një procesi gjyqësor në të cilin gjendet, ku është dënuar me nëntë muaj burgim për një çështje të vitit 2012 jashtë futbollit. Ademi e kishte apeluar këtë vendim në Gjykatën e Apelit, e cila megjithatë e kishte përkrahur vendimin e Gjykatës Themelore.

Më vonë u bë e ditur se Ademi është urdhëruar të paraqitet në Qendrën e Paraburgimit në Prishtinë për ta kryer këtë dënim, përderisa e pret vendimin final nga Gjykata Supreme. Megjithatë, Ademi e apeloi edhe këtë vendim dhe atij iu shty ekzekutimi i dënimit për tre muaj, shkaku i gjendjes shëndetësore.

Për shkak të këtij dënimi, tashmë ka filluar të përflitet për organizimin e zgjedhjeve për një president të ri në Federatën e Futbollit të Kosovës dhe presidenti i Prishtinës thotë se ka nevojë për ndryshime në futbollin kosovar dhe se ai do të jetë prijës i këtyre ndryshimeve.

I pyetur se a e përkrah kërkesën e disa klubeve për largimin e Ademit nga posti i presidentit, Ejupi tha në “Favorit” në T7: “Po, rasti i tij [në Gjykatë] s’ka të bëjë asgjë me futbollin, është private dhe ai duhet të mos i bartë çështjet private brenda në Federatë, në institucion të futbollit.

Kur u pyet se a duhet të largohet Ademi shkaku i atij dënimi, Ejupi u përgjigj: “Ajo është punë e tij. Jo duhet, por duhet tjetërkush të marrë masa, ata që kanë marrë masa për ta neglizhuar këtë dhe ta bartë të gjithë problematikën në Federatë”.

“Në vend se të merremi me zhvillimin e kampionatit, me përgatitjet për ndeshjen me Maqedoninë, kemi mbetur që gjashtë muaj apo një vit me atë gjyqin, a do ta dënojë apo s’do ta dënojë. Ajo është çështje e tij dhe s’ka të bëjë asgjë me futbollin”.

Ndaj pyetjes se a do të jetë kandidat për postin e presidentit, Ejupi tha: “Unë do të jem prijës i ndryshimeve. Se kush do të bëhet kandidat do të jenë klubet që aty për aty do ta zgjedhin dikë, një kandidat që do të jetë më i arsyeshëm”.

“Deri tash nuk më është kërkuar të jem kandidat, por unë do të jem prijës, madje do të jem prijësi më i madh, për ndryshime. Kur të arrijmë te ndryshimet, ai është problemi më i vogël se kush do të zgjedhet”. /Gazeta Express/