Ejupi: Bizneseve u kanë mbetur më pak se 40 ditë për të gjetur operator, ose mbesin pa rrymë - Gazeta Express
string(90) "ejupi-bizneseve-u-kane-mbetur-me-pak-se-40-dite-per-te-gjetur-operator-ose-mbesin-pa-rryme"

Lajme

Gazeta Express

25/06/2025 7:49

Ejupi: Bizneseve u kanë mbetur më pak se 40 ditë për të gjetur operator, ose mbesin pa rrymë

Lajme

Gazeta Express

25/06/2025 7:49

Burim Ejupi nga Instituti INDEP ka kërkuar që Zyra e Rregullatorit të Energjisë të kryejë hetime për të identifikuar përgjegjësit që kanë çuar në luhatjen e çmimit të energjisë elektrike në vend. Derisa ka folur për situatën energjetike, ai ka thënë se në Kosovë çështjet teknike aktualisht po bëhen politike, kurse ato politike po kthehen në teknike.

Sa u përket daljes së bizneseve në treg të hapur, Ejupi ka thënë se bizneset janë gjendur të papërgatitura përballë këtij vendimi. Ka shtuar se ato kanë tani 40 ditë që të gjejnë operator, ose mbesin pa energji.

“Këtu nuk ka pasur as informata. Jemi vonuar në hapa… Sot jemi më 24, iu kanë mbetur më pak se 40 ditë nëse nuk nënshkruajnë kontratë të re. Nëse do të kishte qenë ky proces i organizuar mirë, kjo nuk do të ishte bërë problem”, ka thënë ai.

Sipas Ejupit, edhe pse kompania furnizuese KESCO ka të drejtë të blerë energji elektrike nga cilido operator, mungesa e transparencës dhe mbikëqyrjes efektive ngreh pikëpyetje të mëdha.

“KESCO ka të drejtë të blejë prej kujt të do rrymën, por dikush duhet ta monitorojë sa po e blen. Deri para 2-3 vjete ZRRE gjithë çmimin sa e ka pasur ka mundur ndoshta një 15-minutësh mos me qenë me çmimin e tregut, por nuk ka pasur devijime kaq të mëdha. Kur dihet që çmimi i rrymës më 2024 ka qenë më i lirë se më 2023, çmimi i energjisë është në rënie e sipër. Në raportin e ZRRE-së, vërehet që 6 euro ka qenë importi më i lirë se në vitin paraprak, humbje teknike kanë qenë 5% më të vogla, e ne na shtrenjtohet rryma 16.1%, plus kjo që po liberalizohet tregu”, ka thënë ai në “Interaktiv”.

Ejupi insistoi se ZRRE-ja përmes një hetimi mund të gjejë nëse ka qenë ose jo i rregullt procesi i blerjes së rrymës.  

“Hetimet duhet të kryhen prej ZRRE-së. Me vërejt ku është përgjegjësia e KOSTT-it, e KESCO-s, a i ka thënë dikush KESCO-s bleje rrymën prej NOA-s, pse nuk e ke ble prej operatorëve të tjerë po e ke ble rrymën që ne si qytetarë tash po e paguajmë më shtrenjtë. Në fund, ndoshta hetimi tregon se gjithçka është në rregull”.