Egjipti dënon me burgim të përjetshëm ish-kryetarin e “Vëllazërisë Myslimane”, Mahmoud Ezzat - Gazeta Express
string(89) "egjipti-denon-me-burgim-te-perjetshem-ish-kryetarin-e-vellazerise-myslimane-mahmoud-ezzat"

Egjipti dënon me burgim të përjetshëm ish-kryetarin e “Vëllazërisë Myslimane”, Mahmoud Ezzat

Lajme

Gazeta Express

08/04/2021 15:51

Një gjykatë në Egjipt të enjten e dënoi me burgim të përjetshëm ish-udhëheqësin në detyrë të “Vëllazërisë Myslimane”, Mahmoud Ezzat. Vendimi u mor disa muaj pas arrestimit të tij në një banesë në Kairo.

Forcat e sigurisë e arrestuan Ezzat-in në gusht të vitit të kaluar gjatë një bastisjeje në Distriktin e Pestë të kryeqytetit egjiptian. Ky vendim është goditja më e re ndaj lëvizjes që ka qenë cak i shtypjes që nga largimi i saj nga pushteti më 2013 përmes puçit ushtarak.

Lexo Edhe:

Ezzat u dënua nën akuzat për nxitje të dhunës dhe furnizim me armë zjarri gjatë përleshjeve afër selisë qendrore të “Vëllazërisë Myslimane” mes përkrahësve dhe kundërshtarëve të saj në vitin 2013, tha një burim i organeve të drejtësisë.

Në të njëjtin rast gjyqësor, edhe anëtarë të tjerë të “Vëllazërisë Myslimane” janë dënuar me burgim të përjetshëm, shkruan Reuters, transmeton Gazeta Express.

Ezzat ishte figurë me ndikim dhe zëvendës i ish-udhëheqësit të “Vëllazërisë Myslimane”, Mohamed Badie. Ai u bë ushtrues detyre i kryetarit të kësaj organizate pas arrestimit të Badie-s në gusht të vitit 2013.

Ezzat më parë është dënuar në mungesë me burgim të përjetshëm dhe me vdekje, por rasti ka shkuar në rigjykim. Anëtarët e tjerë të grupit janë burgosur ose janë detyruar që të ikin nga shteti.

Autoritete egjiptiane e akuzojnë “Vëllazërinë Myslimane” për militantizëm dhe tentim për përmbysje të sistemit, por këto akuza janë mohuar nga organizata.