Në kohën kur më shumë njerëz kanë nevojë për të marrë një vaksinë kundër koronavirusit, shumë po pyesin se cilat janë efektet anësore të saj që duhet t’i presin dhe nëse ka dallime mes efekteve anësore të vaksinave. Përgjigjja e shkurtër për të dyja pyetjet është po, ndërsa hollësitë i keni më poshtë, ndonëse çfarëdo shqetësimi zbehet në krahasim me prekjen nga Covid-19.
Jessica Glenza & Alvin Chang, The Guardian;
Përktheu: Nasuf Abdyli
Ne përdorëm të dhëna të testimeve klinike që janë mbledhur nga Administrata e Ushqimit dhe e Ilaçeve e ShBA-së për t’i eksploruar llojet e efekteve anësore që lidhen më së shpeshti me tri vaksinat që janë tash për tash të autorizuara për përdorim urgjent në ShBA. Këto vaksina janë zhvilluar nga kompanitë “Pfizer/BioNTech”, “Moderna” dhe “Johnson & Johnson”.
Cilat janë efektet anësore më të zakonshme?
Për të gjitha vaksinat, në mesin e efekteve anësore më të zakonshme përfshihen:
-Lëkura e lënduar apo ulcera në vendin ku është dhënë vaksina
-Lodhja
-Dhimbja e kokës dhe dhimbja e muskujve
Në mesin e efekteve anësore më pak të zakonshme janë ndjenja e të vjellurit, të dridhurat, ethet dhe temperatura e lartë. Shumica e simptomave shkaktojnë ndjenjë të parehatisë, por jo pengim të plotë të shprehive tuaja ditore.
A janë të sigurta vaksinat për Covid-19?
Po. Siguria e tyre është e testuar në testime të mëdha me dhjetëra mijëra njerëz. Pastaj, Administrata e Ushqimit dhe e Ilaçeve si dhe Qendrat për Kontrollimin dhe Parandalimin e Sëmundjeve vazhdojnë t’i vëzhgojnë të dhënat për sigurinë e vaksinave, përfshirë efektet anësore, pasi vaksinat të jenë autorizuar. Ky proces nganjëherë quhet si testimi i fazës së katërt. Vëzhgimi kryhet dorë pas dore me raportim përmes disa regjistrave për sigurinë e vaksinave.
Këto studime të vazhdueshme mund të ndihmojnë për identifikimin e efekteve anësore më të rralla dhe t’i dallojnë njerëzit që mund të kenë ndjeshmëri të veçanta ndaj vaksinës, siç është mundësia për një reagim alergjik.
Një nga shifrat kyçe të përfshira më poshtë është shkalla e personave që kanë përjetuar efekte anësore pas marrjes së “vaksinës së rreme”, që përdoret gjatë testimit për t’i krahasuar të dhënat. Njerëzit e përfshirë në testim nuk e kanë ditur nëse e kanë marrë vaksinën e vërtetë apo vaksinën e rreme. Kjo u ndihmon shkencëtarëve që ta kuptojnë shkallën e efekteve anësore në popullatë.
Efektet anësore të vaksinës së kompanisë “Moderna”
Zyrtarisht e quajtur mRNA-1273, kjo vaksinë është zhvilluar nga kompania “Moderna” në bashkëpunim me “Niaid”, por shumica e njohin thjesht si vaksina e Moderna-s, që jepet me dy doza, me 28 ditë dallim mes tyre.
Sipas një testimi me mbi 30.000 pjesëmarrës në 99 vende në Shtetet e Bashkuara, vaksina është e sigurt dhe efektive dhe i mbron 94.1 për qind njerëzit nga sëmundja Covid-19. Në mesin e këtij grupi, 15.168 persona e morën vaksinën e vërtetë, ndërsa pjesa tjetër vaksinën e rreme.
Efektet anësore të dozës së parë të vaksinës së kompanisë “Moderna”
Përqindjet e mëposhtme paraqesin përqindjen e mundësisë për përjetimin e simptomave të caktuara brenda një jave pas marrjes së dozës së parë. Mesatarisht këto simptoma zgjasin tri ditë e shpesh herë edhe më shkurt.
Dhimbje në vendin e vaksinimit: 86.9 për qind;
Lodhje: 38.5 për qind
Dhimbje koke: 35.4 për qind
Dhimbje në muskuj: 23.7 për qind
Dhimbje në kyçe: 16.6 për qind
Zmadhim i gjëndrave: 11.6 për qind
Ndjenjë e të vjellurit dhe vjellje: 9.4 për qind
Të dridhura dhe ethe: 9.2 për qind
Ënjtje: 6.7 për qind
Skuqje e lëkurës: 3 për qind
Temperaturë e lartë: 0.9 për qind
Efektet anësore të dozës së dytë të vaksinës së kompanisë “Moderna”
Dhimbje në vendin e vaksinimit: 90.1 për qind
Lodhje: 67.6 për qind
Dhimbje koke: 62.8 për qind
Dhimbje e muskujve: 61.3 për qind
Të dridhura dhe ethe: 48.3 për qind
Dhimbje në kyçe: 45.2 për qind
Ndjenjë e të vjellurit dhe vjellje: 21.3 për qind
Temperaturë e lartë: 17.4 për qind
Gjëndra të zmadhuara: 16 për qind
Ënjtje: 12.6 për qind
Skuqje e lëkurës: 9 për qind
Efektet e vaksinës së kompanisë “Pfizer”
Vaksina e zhvilluar nga kjo kompani emrin farmaceutik e ka BNT162B2 dhe e përdor teknologjinë me mRNA, ngjashëm si vaksina e kompanisë “Moderna”.
Testimi i kësaj vaksine është bërë në 152 lokacione në pjesë të ndryshme të botës. Shumica e tyre (130) ishin në ShBA, ndërsa të tjerat në Brazil, Argjentinë dhe Afrikë Jugore. Mbi 43.000 persona u përfshinë në testim. Vaksina doli të jetë 95 për qind efektive për parandalimin e sëmundjes Covid-19. Ajo jepet me dy doza, me 21 ditë dallim mes tyre.
Efektet e dozës së parë të vaksinës së kompanisë “Pfizer”
Dhimbje në vendin e vaksinimit: 83.1 për qind
Lodhje: 47.4 për qind
Dhimbje koke: 41.9 për qind
Dhimbje e muskujve: 21.3 për qind
Të dridhura dhe ethe: 14 për qind
Diarre: 11.1 për qind
Dhimbje në kyçe: 11 për qind
Ënjtje: 5.8 për qind
Skuqje e lëkurës: 4.5 për qind
Temperaturë e lartë: 3.7 për qind
Vjellje: 1.2 për qind
Efektet e dozës së dytë të vaksinës së kompanisë “Pfizer”
Dhimbje në vendin e vaksinimit: 77.8 për qind
Lodhje: 59.4 për qind
Dhimbje koke: 51.7 për qind
Dhimbje në muskuj: 37.3 për qind
Të dridhura dhe ethe: 35.1 për qind
Dhimbje në kyçe: 21.9 për qind
Temperaturë e lartë: 15.8 për qind
Diarre: 10.4 për qind
Ënjtje: 6.3 për qind
Skuqje e lëkurës: 5.9 për qind
Vjellje: 1.9 për qind
Efektet anësore të vaksinës “Johnson & Johnson”
Në testimin e kësaj vaksine janë përfshirë mbi 40.000 persona në 19 rajone të ndryshme gjeografike. Është me rëndësi të theksohet se në testim është përfshirë edhe Afrika Jugore, ku vaksina doli të jetë pak më pak efektive kundër variantit B1351.
Agjencia e Ushqimit dhe e Ilaçeve zbuloi se kjo vaksinë është mbi 66 për qind efektive në parandalimin e rasteve mesatare dhe të rënda të sëmundjes Covid-19. Vaksina e kompanisë “Johnson & Johnson” jepet vetëm me një dozë dhe në përgjithësi ka shkallë më të ulët të efekteve anësore.
Efektet e vaksinës së kompanisë “Johnson & Johnson”
Dhimbje në vendin e vaksinimit: 58.6 për qind
Dhimbje koke: 44.4 për qind
Lodhje: 43.8 për qind
Dhimbje në muskuj: 39.1 për qind
Ndjenjë e të vjellurit: 15.5 për qind
Temperaturë e lartë: 12.8 për qind
Skuqje e lëkurës: 9 për qind
Ënjtje: 7 për qind
Çfarë i shkakton efektet anësore?
Efektet anësore janë shenjë se vaksina është duke e nxitur trupin tuaj që të krijojë reagim imunitar. Ato mund të shkaktojnë parehati, por gjithashtu mund të jenë shenjë se vaksina është duke funksionuar sipas qëllimit të saj.
Efektet anësore shkaktohen nga lirimi i substancave kimike në trup, të cilat i japin shenjë sistemit imunitar se është koha që të krijojë reagim. Këto substanca kimike që shfaqen në mënyrë të natyrshme quhen citokine dhe kemokine. Ndonëse nuk ka lidhje një me një mes efekteve anësore dhe një reagimi imunitar, efektet anësore janë pjesë e pritshme e procesit.
Pse duhet t’iu besoj këtyre të dhënave?
Në shkencën e vaksinave, këto efekte anësore, që shpesh janë të lehta, përshkruhen si “ngjarje të kundërta”. Në studimet për vaksinën për Covid-19, hulumtuesit mblodhën të dhëna për gjithçka, nga thyerja e këllkut deri te sulmet në zemër, për ta vëzhguar sigurinë e këtyre vaksinave.
“Ne kemi një sistem shumë, shumë të fuqishëm në ShBA për t’i përcjellë ngjarjet e kundërta (efektet anësore)”, tha Dr.Greg Poland, kryeredaktor i revistës mjekësore “Vaccine” dhe drejtor i Grupit Kërkimor për Vaksina në Klinikën “Mayo”. “Kështu kemi arritur ta dallojmë rrezikun për anafilaksi në grupe specifike të njerëzve, që ndodh në shkallë prej 2.4 deri në 4.5 herë në një milion raste, diçka që kurrë nuk do të mund ta bënit me kohë në të kaluarën”, shtoi ai.
Ajo që është e rëndësishme është se shumica e këtyre efekteve anësore nuk janë të lidhura me vaksinat, por dokumentohen për t’u siguruar që të mos ketë motiv për shqetësim dhe për ta vërtetuar sigurinë e njërës prej ndërhyrjeve të vetme mjekësore që u jepet njerëzve të shëndoshë.
Agjencia e Ushqimit dhe e Ilaçeve më pas e harton analizën e vet të testimeve të vaksinës dhe të dhënat prezantohen para një grupi të pavarur të ekspertëve, që i rishikojnë ato dhe japin një rekomadnim nëse vaksina duhet të autorizohet, mbështetur në rezultatet që janë nxjerrë. Analizat e Agjencisë së Ushqimit dhe të Ilaçeve që i janë prezantuar komisionit janë publike dhe mund të lexohet në këtë link. Publike janë edhe takimet e këtij grupi të ekspertëve./Gazeta Express