Edukimi mediatik, i domosdoshëm për 'dilemat sociale'! - Gazeta Express
string(50) "edukimi-mediatik-i-domosdoshem-per-dilemat-sociale"

Shkurt e Shqip

Gazeta Express

11/11/2021 11:39

Edukimi mediatik, i domosdoshëm për ‘dilemat sociale’!

Shkurt e Shqip

Gazeta Express

11/11/2021 11:39

Këngëtari i famshëm i grupit ‘The Doors’ Jim Morrison, dikur kishte thënë: “Kushdo që kontrollon mediat, kontrollon mendjen”, edhe pse Morrison nuk jeton më, kjo frazë është bërë realitet, Perceptimet në mendjet tona në masë të madhe po krijohen nga pushteti i katërt, por më i fuqishmi, Media!

Shkruan: Fazli Rrezja   

Çdo mëngjes, të rinjtë sapo zgjohen kontrollojnë mediat sociale, të ‘bombarduar’ me plotë informacione, mesazhe, e-mail, lajme, propaganda, lajme të rrejshme dhe stimuj të tjerë që shpesh krijojnë ndjenjën se dita e sotme ka filluar me ngarkesë informacionesh.

Të rinjtë duhet t’a shfrytëzojnë mëngjesin për të përmirësuar vetën, për të punuar drejt qëllimeve të tyre, për t’u përgatitur për një ditë të suksesshme duke u marr me aktivitete si leximi, meditimi, studimi, prioritizimi i detyrave, aktiviteti fizik dhe një shujtë mëngjesi të shëndetshme për të nisur një ditë të qetë rrugës për në shkollë.

Autorja e librit ‘Të vetmuar së bashku’, Sherry Turkle, psikologe sociale e Institutit të Teknologjisë në Massachusetts thotë se ‘Njerëzit sot janë më të lidhur me njëri-tjetrin se kurrë më parë në historinë njerëzore, falë faqeve të rrjeteve sociale të bazuara në internet dhe mesazheve me tekst. Por, ata janë gjithashtu më të vetmuar dhe më të largët nga njëri-tjetri në jetën e tyre reale. Kjo jo vetëm që po ndryshon mënyrën se si ne ndërveprojmë në internet, por, po tensionon edhe marrëdhëniet tona personale’.

Një studim në Universitetin e Goteborgut të Suedisë, tregon për efektet e përdorimit të ‘telefonave të mencur’ tek njerëzit në të 20-at, gjatë një viti. Studimi tregoi se përdorimi i lartë i telefonit  lidhet drejtpërdrejt me rritjen e raporteve të depresionit si te meshkujtë ashtu edhe tek femrat – dhe kjo është shqetësuese. Në vendin tonë ende nuk janë bërë studime të tilla, por, a do të rezultonte ndryshe ky studim!?

Të gjithë ne, jemi dëshmitar të një ngarkese masive informacioni përmes mediave sociale. Mënyra se si jetojmë është formësuar sipas fuqisë marramendëse të mediave, si në aspektin pozitiv ashtu edhe negativ. Pse, të rinjët e kanë të vështirë të përcaktojnë se çfarë është informacion i vërtetë dhe çfarë është i shtrembëruar?. Pa dyshim! është mungesa e edukimit mediatik që sipas organizatës amerikane për edukim ‘The Center for Media Literacy’ perkufizohet si: ’edukimi mediatik është një qasje e shekullit 21 në arsimim. Edukimi mediatik ofron një kornizë për të pasur qasje, analizuar, vlerësuar, krijuar dhe marrë pjesë me mesazhe në forma të ndryshme. Edukimi mediatik ndërton të kuptuarit e rolit të medias në shoqëri, si dhe aftësitë thelbësore të kërkimit dhe të vetë shprehjes, të nevojshme për qytetarët e një demokracie’. Edukimi mediatik, si koncept për të menduar në mënyrë kritike, do t’i ndihmonte të rinjtë në Kosovë të ndërtojnë një diskurs objektiv, duke lexuar dhe analizuar informacionin nga këndvështrime të ‘shëndetshme’.  Sociologu francez Jean Baudrillard thotë se: ‘Media, përfaqëson botën që është më reale se realiteti që ne mund t’a përjetojmë. Njerëzit humbasin aftësinë për të dalluar realitetin dhe fantazinë’.

Ndërsa, ata që kanë shikuar dokumentarin ‘Dilema Sociale’,(Anglisht: Social Dilemma) mbase duhet të brengosen! sepse dokumentari përshkruan se si mediat sociale, çdo ditë, ndikojnë në cenueshmërinë e adoleshentëve që përdorin platforma si Tik-Tok Facebook, Snapchat, Instagram dhe aplikacione të tjera duke krijuar një mendësi komplekse  e vartëse nga ndikimet e mediave. Dokumentari ofron një pasqyrim të thellë se si mediat sociale ushqejnë varësi, manipulojnë pikëpamjet, emocionet dhe sjelljen e të rinjëve dhe përhapin teori konspirative  për të maksimizuar fitimin. Por, cili është përfitimi për të rinjtë në vendin tonë?, pasi qe zbulimi i dezinformatave dhe lajmeve të rreme është shumë sfidues. Aktualishte, ky lloj dezinformimi është shtuar më shumë se kurrë. Për mesimëdhënësit dhe prindërit që u mësojnë nxënësve/fëmijëve se çfarë është e vërtetë dhe çfarë jo, mund të jetë e ndërlikuar, por, është e rëndësishme që ata të kuptojnë se vetëm sepse diçka është në internet, nuk do të thotë se është e vërtetë. 

Propaganda dhe lajmet e rreme janë një nga sfidat më të mëdha të epokës sonë. Shkolla e gazetarisë Craig Newmark në Universitetin e Qytetit të Nju Jorkut në një publikim mundohet te na mesojë se si të mos mashtrohemi nga informacioni. Hulumtimi thotë se kur lexojmë një lajm, duhet të jemi skeptikë dhe të kemi parasysh burimin; titujt mund të jenë të sensacional në përpjekje për të marrë klikime; zbuloni  autorin: bëni një kërkim të shpejtë për autorin; a është i besueshëm? a është i vërtetë? kontrolloni datën; ripostimi i lajmeve të vjetra nuk do të thotë se ato janë të rëndësishme për ngjarjet aktuale; kërkoni faqen dhe autorin për t’u siguruar; merrni parasysh nëse mund të ndikojë në gjykimin tuaj. Pyetni ekspertët ose konsultohuni me një faqe zyrtare interneti për kontrollimin e fakteve.

Ka përfitime të shumta për të rinjtë që e kuptojnë edukimin mediatik. Para së gjithash, i ndihmon studentët të bëhen konsumatorë më të mençur dhe prodhues të përgjegjshëm të mediave të tyre. Mësimdhënia e edukimit mediatik në shkolla do t’i ndihmonte studentët të nxisin të menduarit kritik për forcimin e aftësive të procesit dhe njohurive për përmbajtjen.

Sipas organizatës jofitimprurëse amerikane ‘Common Sense Media for Education’, edukimi mediatik është aftësia për të identifikuar lloje të ndryshme të mediave dhe për të kuptuar mesazhet që ato po dërgojnë. Ndërsa, sipas temës së projektit ‘Trajtimi i propagandës’ botuar nga Këshilli i Evropës, temë që mund të përshtatet me prioritetet e shkollave dhe autoriteteve qëndrore ose lokale, thotë se stereotipet është e vështirë të çrrënjosen nga shkolla, sepse origjina e tyre qëndron në mbarë shoqërinë dhe përkeqësohen nga mbizotërimi i gjuhës së urrejtjes, lajmeve të rreme dhe teorive të konspiracionit në mediat sociale. Është jetike që shkollat t’u ofrojnë nxënësve një arsimin solid edukumin mediatike si pjesë e kurrikulës. Mësuesit duhet të jenë të trajnuar mirë në këtë lëndë për të fuqizuar studentët me kompetencat e nevojshme për të kuptuar dhe vlerësuar në mënyrë kritike informacionin e raportuar nga të gjitha format e mediave.

Zhvillime të dobishme për edukimin mediatik në Kosovë ka bërë Rrjeti i mësimëdhënsve të gjuhës angleze në Kosovë (KetNet), duke trajnuar mësimdhënësit për mendimin kritik, zhvillimin e debatit dhe edukimin mediatik. Po ashtu, misioni i OSBE-së në bashkëpunim me festivalin më të njohur të filmit të shkurte në vend Dokufest. Programi i tyre ka perfshire mësimdhënësit e fushës se gjuhëve dhe komunikimit, arteve, shoqërisë, mjedisit dhe edukatës qytetare në punëtorinë mbi përdorimin e edukimit mediatik në mësimdhënie.  Kjo punëtori ka synim të forcojë aftësitë e mësimdhënësve në edukimin mediatik, duke e perdorur filmin dokumentar si njësi mësimore për t’i aftësuar dhe edukuar nxënësit të kuptojnë më thelbësisht tema, koncepte dhe probleme të ndryshme kulturore.

Çdo moment, ne prodhojmë dhe konsumojm lajme. Interneti, përveç faktit që përdoret për komunikim dhe edukim, është bërë edhe platforma më e madhe për të shpërndarë lajme, gjuhë urrejtjeje dhe propagandë. Kjo është arsyeja pse të nxënësit duhet të kuptojnë edukimin mediatik.

Zhvillimi gjithëpërfshirës i mediave sociale, rrjedha masive e lajmeve te rrejshme po ndryshon mënyrën se si ne krijojmë perceptimet për jetën tonë dhe te tjerëve. Ministria e Arsimit duhet te mendoj që edukimin mediatik t’a perfshijë si lëndë të vecantë mësimore, ndersa shkollat, mësuesit, prindërit, shoqëria civile duhet të krijoj platforma dhe aplikacione të ndryshme që ndihmojnë të rinjtë e shkollave fillore dhe te mesme të kuptojnë dhe të përdorin edukimin mediatik për qëllime edukative dhe shkencore.  

Manjati i Facebook-ut Mark Zuckerberg, ka thënë se ‘Realiteti virtual dikur ishte ëndërr e fantashkencës. E ardhmja po vjen’.

Të shpresojmë, për një të ardhme ku te rinjët kanë aftësitë e edukimit mediatik për të kuptuar një realitet të vërtetë, e jo të zhyten në ‘realitetin virtual’, drejtë të cilit po shkojmë me shpejtësi të dritës.