Edon Zhegrova e frymëzon Baselin drejt fitores ndaj Luzernit të Domgjonit - Gazeta Express
string(73) "edon-zhegrova-e-frymezon-baselin-drejt-fitores-ndaj-luzernit-te-domgjonit"

Futboll

Gazeta Express

28/11/2021 19:04

Edon Zhegrova e frymëzon Baselin drejt fitores ndaj Luzernit të Domgjonit

Futboll

Gazeta Express

28/11/2021 19:04

Edon Zhegrova e ka frymëzuar Baselin drejt një fitoreje të lehtë 3:1 kundër Luzernit të dielën, duke i përgatitur dy nga tri golat për skuadrën e trajnerit Patrick Rahmen.

Përfaqësuesi i Kosovës Zhegrova asistoi te goli i parë i shënuar nga Arthur dhe te goli i Raoul Petretta, raporton Gazeta Express.

Lexo Edhe:

Matias Damian Palacios e shënoi golin e tretë për Baselin, ndërkohë që golin e ngushëllimit për vizitorët e realizoi serbi Nikola Cumic, pasi u shërbye nga një tjetër përfaqësues i Kosovës, David Domgjoni.

Zhegrova, i cili po kalon çastet më të mirë në karrierën e tij, me këto dy asiste tani ka plot gjashtë asiste në vetëm shtatë ndeshje në Superligën e Zvicrës.

25-vjeçari nga Prishtina ka kontribuuar edhe me dy gola në këto ndeshje, po ashtu.

Ky triumf bën që Baseli ta ruajë hapin me Zurich në garë për titull në ligën elitare zvicerane, pasi ka 29 pikë tani, dy më pak se lideri, por një ndeshje më pak të zhvilluar gjithashtu.

Zhegrova u zëvendësua pas 59 minutave lojë, kur Baseli tashmë e kishte siguruar fitoren dhe asistet e tij vijnë vetëm tri ditë pasi ai e shënoi një gol madhështor në fitoren e Baselit kundër Kairat në Europa Conference League.

Kosovari i ka zhvilluar 12 ndeshje për Baselin në të gjithë garat deri tani këtë sezon, duke i shënuar katër gola dhe gjashtë asiste.

Ai mungoi një pjesë të madhe të ndeshjeve shkaku i lëndimeve. /Gazeta Express/