Edicioni i 13-të i ‘FemArt’, festivalit ndërkombëtar të artisteve dhe aktivisteve, këtë vit mbahet nga 16-21 qershor, nen moton “Çliroje Mendjen”.
Për edicionin e ri:
Çlirimi nuk është arratisje. Është guxim!
Të çlirosh mendjen është të shohësh qartë. Të zhveshësh frikën. Të dëgjosh veten përtej zhurmës së botës. Është përballje me demonët që kanë zënë qoshet e mendjes dhe shpirtit tonë. Heshtjet rëndojnë më shumë se zinxhirët. Plagët bëhen gurë, e gurët mure. E çlirimi është guximi e forca për të rrënuar këto mure.
Mendja është fushë betejë. Është strehë. Është altar i të vërtetës sonë. Në FemArt, ne zgjedhim të mos luftojmë me veten, por ta njohim atë. Ta shërojmë, e ta lëmë të vallëzojë. Kur mendja çlirohet, trupi e ndjek. Jeta merr frymë, e arti bëhet pishtar i çlirimit.
Në këtë edicion të 13-të të FemArt, ne nuk qendërzojmë vetëm artin dhe aktivizmin, por edhe shëndetin mendor si akti më i thellë i çlirimit. Kur mendja çlirohet, shpirti gjen paqen e jeta rilind.
Ndaj, për gjashtë ditë me radhë, 16-21 qershor, 2025 FemArt bëhet një hapësirë e çlirimit për të krijuar, përkujdesur, dashuruar, e për t’u shëruar me guxim të palëkundur.