Kryeministri Edi Rama bëri me dije gjatë emisionit “Opinion” në Tv Klan se samiti i NATO-s që do të zhvillohet në vitin 2027 në Shqipëri do të mbrohet me dronë të prodhimit shqiptar.
Edi Rama: Po të them këtë gjë. Në samitin e NATO-s që është niveli më i lartë i sigurisë në botë do ta mbrojmë territorin e Tiranës me dronët e prodhimit shqiptar.
Blendi Fevziu: Ne?
Edi Rama: Ne.
Blendi Fevziu: Do ia lëmë Trump-it sigurinë në duart tona?
Edi Rama: Po.
Blendi Fevziu: Merrni më mirë amerikanë se do na fëlliqësh.
Edi Rama: Mbaje mend.
Blendi Fevziu: Do na bien dronët do lemë kokrrën e namit.
Edi Rama: Mos ki merak. Nuk bien dronët. Ata nuk do të nisen me fjalët tona, ata do t’i shohin dronët njëherë. Do prodhohen këtu.
Rama shtoi ndër të tjera se përveç dronëve, Shqipëria do të prodhojë edhe autobusë për fëmijë, makina ushtarake dhe uniforma.
“Ne do prodhojmë makinat tona ushtarake dhe do t’i shesim botës makina ushtarake. Shteti shqiptar, Ministria e Mbrojtjes që dikur hidhte në erë njerëz sepse demontonte municione me fëmijë skllevër në një fabrikë vdekjeje dhe lejonte trafiqe, Ministria e Mbrojtjes do të jetë bashkëpronare e gjithë kësaj industrie dhe shteti shqiptar do fitojë para nga kjo industri. Ne do të prodhojmë të gjitha llojet e uniformave për të gjitha llojet e trupave. Më në fund do t’i prodhojmë pa tendera. Kompani vetëm me shtet-privat. Kompania jonë ka një emër të bukur, quhet Guna”, tha ai.
Kryeministri Edi Rama u shpreh sot më 4 shtator se nuk janë rastësi samitet europiane dhe ai i NATO-s që do të zhvillohet në vitin 2027 në vendin tonë.
“Magneti jonë është bërë i fortë në këtë periudhë. Patjetër që këtu pastaj hyjnë shumë gjëra të tjera”, tha ai.
Po ashtu paralajmëroi se Shqipëria do të jetë vendi i parë që prokurimet do t’i bëjë me inteligjencë artificiale.
“Mbaje mend çfarë po të them se nuk jam duke bërë fushatë se i kemi fituar zgjedhjet. Do të jemi vendi i parë që do të kemi prokurimet me inteligjencë artificiale në 95% të procesit. Prokurim me inteligjencë artificiale. Ne te prokurimet jemi të parët në rajon për gjithë modernizimin që i kemi bërë procesit. Mandati i 4 fillon me në tjetër risi që ministritë dhe ministrat nuk bëjnë më asnjë tender. Zero. Nuk bëjnë më. Nuk bëjnë tendera. Ministritë do të përqendrohen vetëm në politikëbërje. Kemi ndërtuar një sistem të prokurimeve të përqendruara që po jep rezultat dhe kemi miliona euro kursime”, tha Rama.