Gjatë ditës së djeshme, për herë të parë në Tiranë, u zhvillua mbledhja e Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s, në të cilën mbledhje u morën disa vendime të rëndësishme.
Me të përfunduar mbledhja, anëtarët e Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s, presidenti i UEFA-s, Aleksandar Ceferin dhe presidenti i FSHF-së, Armand Duka e takuan Kryeministrin e Shqipërisë, Edi Ramën.
I pari i Qeverisë Shqiptare ia bëri një ‘kërkesë’ presidentit të UEFA-s, duke i kërkuar personalisht që finalja e Superkupës së Evropës e vitit 2027 të mbahet në Shqipëri.
Edi Rama kërkon që kjo finale të luhet në Shqipëri, pas finales së Ligës së Konferencës e vitit 2022 që u luajt në Tiranë, dhe Evropianit U21 që do të organizohet në vitin 2027.
Në finalen e Superkupës së UEFA-s përballen fituesi i Ligës së Kampionëve dhe Ligës së Evropës në gusht të çdo viti.
Finalja e vitit 2026 mbahet në Salzburg të Austrisë./GazetaExpress/