Edi Rama dhe Kosova - Gazeta Express
string(19) "edi-rama-dhe-kosova"

Edi Rama dhe Kosova

OP/ED

Gazeta Express

15/10/2022 19:09

Kjo ndodhia e djeshme e Ramës me Albin Kurtin më bindi përfundimisht se Kryeministri i Shqipërisë është në një fazë të re në raportin me Kosovën. Ai po tallet me të. Po e shpjegoj siç e kuptoj unë.

Shkruan: Ermal Mulosmani

Lexo Edhe:

Rama është miksim i vanitozit, ekzibicionistit dhe donzhuanit. Kur them “donzhuanit” e kam në kuptimin metaforik të fjalës, pra në atë të mjeshtrit të joshjes për të robëruar zemrat e presë e, menjëherë pastaj, për ta harruar në kërkim të presë së re.

Letërsia ka prodhuar boll personazhe të tillë që nga Bel Ami, Zhylien Soreli, Kazanova apo Markeza De Mërtej e Laklosit etj etj.

Pretë e tij të zakonshme janë turma, figura publike, kundërshtarë, bashkëpunëtorë të ngushtë a të largët, funksionarë ndërkombëtarë apo udhëheqës shtetesh.

Preja më interesante e Edi Ramës është Kosova.

Edi Rama i dikurshëm as që donte të dëgjonte fjalën Kosovë. Kulturalisht ai ishte një kozmopolit ekzibicionist, një qytetar i botës për të cilin kauzat nacionale ishin aq arkaike, të tejkaluara e të kota sa ato fetare.

Mesazhi i publikuar nga Sinisha Mihajlloviç, një nga serbët më të zëshëm pro kasapit të Ballkanit Millosheviç, ku Edi Rama shpreh një inferioritet të skajmë kur i shpreh Mihajlloviçit ndjenjën e “admirimit antik”, është një tregues i shkëlqyer i të vërtetës. Vini re. Aspak nuk merakoset për teprimin e shprehjes. Ai ndien nevojën e miklimit të vanitetit personal duke mos çarë asfare kokën se Mihajlloviç ishte miku i Arkanit dhe Millsheviçit, dy kasapëve të Kosovës. Në momentin kur po shkruante atë sms, Edi Rama ishte duke pirë verë në shoqërinë e ish zëdhënësit të Millosheviçit dhe përmendja a nëpërmendja e Kosovës ishte një bezdi e padurueshme. Do ketë kohën e vet për Kosovën. Ai ishte momenti i joshjes së Mihajlloviçit, duhej të zgjidhte fjalët për të. Duhet të publikoj të plotë tekstin për të kuptuar karakterin seduktues të Ramës:

“I dashur mister, jam Edi Rama, kryeministri i Shqipërisë, ish-lojtar i Kombëtares së basketbollit shqiptar dhe një admirues i vjetër i Sampdorias së Vujadin Boshkovit. E mora numrin tuaj të telefonit nëpërmjet mikut tonë të përbashkët, Aleksandar Vuçiç. Folëm për ju dje në mbrëmje këtu në Novi Sad.
Kam dashur gjithnjë t’ju shprehja admirimin tim për egërsinë me të cilën po përballoni armikun tuaj më të frikshëm të jetës, por edhe për t’ju thënë se pasi keni mundur shumë portierë direkt nga goditjet e dënimit, ju me siguri jeni i zoti të mundni edhe hijen që është vendosur mes jush dhe portës tuaj të së ardhmes.

E di shumë mirë rrezikun që mesazhe të tilla solidariteti mund të bëhen të mërzitshme për një kokëfortë si puna juaj, por ju siguroj se ky i imi nuk është një mesazh i kësaj natyre. Përkundrazi, është shprehje e një admirimi antik.
Ju kërkoj ndjesë që nuk arrita t’ju shpreh më mirë ndjenjën e vlerësimit të lartë dhe simpatisë kundrejt jush, por nëse do të duhej një dëshmitar, atëherë miku ynë i përbashkët mund t’ju sigurojë se, tashmë prej vitesh, nuk ndodh asnjëherë që të mos flasim për ju si një figurë speciale në botën e futbollit.
Duke ju uruar gjithë të mirat juve dhe të dashurve tuaj, nuk po ju bezdis më me shpresën se një ditë do të mund t’ju takoj personalisht. ER”.”


Instrumentet e Ramës për joshjen e presë nuk kanë kufinj. Atë e shohim me ekzibicionizmin e kilotave në takime formale, në kollaret me dizenjo porno a çorapet e ndezura, atletet ekstravagante apo gjetjet artistike si ajo e tre lapsave në ngjyrën e flamurit francez në rastin e masakrës së Charlie Hebdosë. Për të tërhequr vëmendjen ai e shfrenon fantazinë si pakkush, ai është talenti i parë i tij. Në rastin e Charlie Hebdosë mori pas vetes edhe katër klerikë të të gjitha besimeve dhe arriti të marrë vëmendje maksimale.

Por krahas kësaj ai ka edhe talente të tjera ku spikat mbi të tjerët. Aftësia e Ramës për të luajtur me fjalën, manipulimi i ndjenjave të presë duke mikluar atë me pikat e dobëta, strategjia e komunikimit dhe interpretimi aktoresk i tij janë mbresëlënës për çdo njeri që nuk e njeh. Rama dallon me politikanët e çdo vendi në komunikimin publik sa një profesionist me amator. Ai është në sallonet mondane të politikës si peshku në det. Mundësisht do të donte të jetonte aty, të mahniste udhëheqësit me vizionin, batutat fine, fjalorin galant, elokuencën e përsosur apo sharmin ekstravagnat.


Tani po kaloj pak te Kosova dhe raporti i Ramës me të. Për sa kohë rrugët e Ramës dhe Kosovës ishin paralele, Rama nuk kishte më shumë sesa përçmim për atë provincë katundare të prapambetur në qoshe të ish Jugosllavisë, vendit të idhujve të tij: Mihajlloviçit, Boshkovit, Stojkoviçit apo Dragan Xhaiçit. Atje jetonin shiptarë anadollakë, gjysmënjerëz që këndonin me çifteli dhe pinin çaj.

Të njëjtën ndjenjë ka edhe sot. Por tani nuk e thotë

Kur u ul në karriken e Kryeministrit ai e dinte largësinë që kishte me Kosovën dhe kosovarët por edhe rolin jetik të saj në suksesin politik të qeverisjes së tij. Ai ëndërronte veten një misionar politik që tejkalon përmasën e Shqipërisë dhe rruga më e lehtë për të qenë faktor ndërkombëtar kalonte nga Kosova.

Siç e kanë donzhuanët, sa më e largët mundësia për ta shtënë në dorë aq më e madhe joshja. Rama filloi strategjinë e seduktimit. Filloi me figura publike të Kosovës. Afrimi i Batos ishte i pari; ai nuk mund t’i rezistonte më shumë sesa tri orë elokuencës së pashoq dhe vizionit modern. Dorëzimi ishte pa kushte; ai u shndërrua në apostull i Ramës dhe ishte interlokutori për dorëzimin e udhëheqësve luftëtarë, kulturalisht e politikisht inferiorë ndaj Kryeminsitrit të Shqipërisë.

Por kjo nuk mjaftonte. Afrimi me kosovarët kërkonte një gjest publik më të fortë sesa udhëheqësit ish luftëtarë.

Ehhh, për këtë Rama është mjeshtër! Ai shfrytëzoi vizitën e parë, historike, në Beograd, për të thënë se Kosova e pavarur është një realitet dhe duhet pranuar edhe nga Beogradi! Ishte një thyerje brutale protokolli; Kryeministri Vuçiç hoqi kufjet në shenjë proteste por ku pyet mjeshtri për rregulla.

Serbët u çmendën por Kosova përfundoi në shtratin e Edi Ramës!

Pas kësaj dinte Zhylien Soreli se si e trajtonte dashnoren! Ai do ta përbuzte sa herë të donte, do të lidhte një miqësi sa të çuditshme aq edhe të tepruar me armikun më të madh të Kosovës, Aleksandar Vuçiç. Por kosovarët tashmë nuk ia hiqnin dashurinë. Fuqia e fjalëve, gjesteve dhe batutave i kishte bërë për vete përfundimisht. Siç i tërhiqte gratë mondane të ministrave frnacezë bukuria e Zhulien Sorelit apo Bel Ami-t. Kosovarët zbeheshin, dëgjonin fjalimet, hutoheshin, habiteshin.

Mjeshtri i fjalëve hudhte vazhdimisht “kocka fjalësh” për të ushqyer fanatikët e tij analistë që lëshoheshin me euforinë e rasti. “E kalli e hajt” – është sinjali që amplifikon emocionet e popullit opozitar.

Polarizimi politik i Kosovës shumëfishohet nga qëndrimi i Edi Ramës. Duket sikur opozita e Kosovës e ka liderin e saj në Tiranë. Liderët opozitarë të Kosovës, Krasniqi, Abdixhiku dhe Haradinaj ftohen në Tiranë dhe fotografohen të lumtur me Kryetarin de fakto të tyre. Ndërkohë që enturazhi i Kurtit lëshohet në sharje me dhe pa arsye.


Edhe episodi i fundit i djeshëm duhet parë në këtë kontekst, në nevojën gati fiziologjike të Ramës për shfaqje. Nuk ka rëndësi sesi, as protokolli, as etika e as skrupujt.

Rama është aq i sigurtë në epërsinë e tij ndaj Kosovës saqë arrin të luajë me duar me Kryeministrin e Kosovës, njeriun që ka pasë përplasjet politike më të mëdha; ai e bën të ndihet keq, të skuqet si nxënës filloreje, të humbasë toruan e fjalët nga veprimi skandaloz me maskë vëllazërore i një mujshari të paskrupullt!

Duke futur nën sqetullën e tij të stërmadhe Albin Kurtin dhe me shprehjen gjakftohte prej sipërani, Rama nën petkun e vëllait të madh po zvetënon imazhin prej “babe” të Kurtit. Ai mund të jetë “baba” juaj por për mua është si një nxënës hutaq e i turpshëm që emocionohet e kompleksohet si përpara Bidenit.

Sjellja e djeshme ndaj Albinit ishte padyshim një tallje e hapur me të. Rama dhe Kurti kanë mospajtime publike dhe i dyti nuk lë rast pa e treguar padurimin e alergjinë që i shkakton Rama.

Përkundrejt kësaj, apo i joshur prej një qëndrimi të tillë, Edi Rama zgjedh të bëjë gjeste publike gjasme vëllazërie. Për të treguar se unë as të llogaris fare.

Profesorët e filozofisë apo analistët mediatikë fillojnë zbërthimin e porositur…

Kjo është dhuna e dashnorit që e ka futur një herë në shtrat të dashurën e tani eksitohet vetëm nga poshtërimi publik, jo më nga pallimi. Ky është perversitet politik.

Vetëm një monstër si Edi Rama mundet që të ketë mikun më të mirë Aleksandër Vuçiçin, xhelatin e Kosovës, dhe njëkohësisht të ketë admirimin dhe dashurinë pakushte të viktimës më të madhe të tij, Kosovës.