Edi Hila me ekspozitë në formatin A4 - Gazeta Express
string(36) "edi-hila-me-ekspozite-ne-formatin-a4"

Arte

Gazeta Express

16/04/2024 15:12

Edi Hila me ekspozitë në formatin A4

Arte

Gazeta Express

16/04/2024 15:12

Në Galerinë e Ministrisë së Kulturës u hap ekspozita personale e Edi Hila, e kuruar nga Shkëlzen Maliqi me titull ”A4 Print”.

Ekspozita me skica në letër formati A4 që piktori Edi Hila i ka shfrytëzuar si makete për realizimin e pikturave, nuk është paraqitje publike e zakonshme. Aq më shumë që pikturat tashmë janë parë nëpër galeri e bienale prestigjioze dhe reflektuar dhe komentuar në libra e katalogë. Pastaj, kur dihet se maketet janë fotokopje me ngjyra të kursyera në letër të thjeshtë për dokumente ordinere, dikush do të mund të thoshte se ato qenkan kopje kopjesh të kopjeve, me distancë të madhe nga origjinali.

Por jo, është e kundërta. Në renditjen ontologjike të ngjizjes së imazheve, letrat e formatit A4 kanë status thuajse primordial në regjistrimin e fenomeneve të paraqiten në to, të realizuara përmes një procesi ku syri, truri, fokuset e kuadrimeve dhe momentet e shkrepjeve të foto-aparatit në dorën e artistit, përbëjnë një zinxhir ingjenioz të skenimit kreativ me pamje nga Shqipëria, si një vend me tranzicion tejet të habitshëm. 

Ansamblimi i këtyre pamjeve nga Edi Hila nuk është imazhineri dosido me vlera dokumentuese të rendit të tretë. Në procesin krijues të artistit, si dhe në gjenezën e pikturave ku regjistrohen fragmentet e gjendjeve të një realiteti lëvizës, që tanimë është zhdukur ose po transformohet, këto pamje e kanë rëndësinë primordiale. Kështu që, në opusin e autorit, ato bëhen jo vetëm plotësim, por edhe të barasvlershme me pikturat.

Ka një përputhje ndoshta jointencionale të praktikës së Edi Hilës, me teoritë dhe praktikat e artit konceptual botëror që është afirmuar nga mesi i shekullit 20. Konceptualizmi e ka pas bartur kuintesencën e arteve pamore nga piktura ose “vepra”, si produkt final i krijimit, te ideja dhe koncepti që ngjizet në trurin dhe shpirtin e artistit. Koncepti është primar sepse vetëm në atë stad arti shquhet me kreativitet të pastër, si burim dëlirësie dhe sinqeriteti të pakorruptueshëm kundrejt statusit që arti e ka në botën kontemporane, ku çmohet para së gjithash si vepër e realizuar dhe kornizuar si pikturë, ose artefakt tjetër, pasi që pos vlerave ideo estetike, i nënshtrohet edhe tregut dhe vlerës monetare. Si reagim ndaj komercializimit që e alienon artin, arti konceptuar shquan momentet e dëlirësisë, sinqeritetit dhe  pakorruptueshmërisë së ideve dhe imazheve primordiale.

Nga ky këndvështrim ndriçohet dhe vlerësohet edhe vlera ideo-stilistike e artit të Edi Hilës.

Ekspozita do të të qëndrojë e hapur deri më 25 qershor 2024 dhe ajo mund të vizitohet nga e marta në të shtunë.

BIOGRAFIA E EDI HILA:

Lindur në Shkodër në vitin 1944, Edi Hila jeton dhe punon në Tiranë. Në vitin 1967 Hila u diplomua në Institutin e Arteve të Bukura në Tiranë. Nga viti 1968 deri në vitin 1974 ka punuar në Radio Televizionin Shqiptar dhe si ligjërues i jashtëm i Vizatimit në Institutin e Larte te Arteve. Në vitin 1973 ai ndoqi një trajnim profesional për skenografi televizive në degën e RAI-t në Firence. Në këtë periudhë ai pikturoi “Mbjelljen e Pemëve”, vepër që u kritikua më vonë në Plenumin e Katërt të Komitettit Qendror të PPSH-së. Ai u kritikua edhe për skenografinë e Festivalit të 11-të të Radio Televizionit Shqiptar. Më 1974 atë e larguan  nga Radio Televizioni Shqiptar dhe u dërgua për riedukim si punëtor në Pularinë e Tiranës në Laprakë ku punoi nga viti 1977 deri në 1978. Më pas, në periudhën e parë të rehabilitimit pas dënimit, Hila u transferua në ndërmarrjen e Dekorit të Qytetit te Tiranës. Në vitin 1980, pas rehabilitimit të plotë, filloi punën si redaktor arti tek “Horizonti”, revistë për pionierë e botuar nga Komitetit Qendror i Bashkimit të Rinisë së Punës së Shqipërisë. Në vitin 1988 Hila fillon mësimdhënien si profesor i jashtëm në Atelienë e Pikturës në Akademinë e Tiranës dhe në vitin 1991 emërohet profesor në Atelienë e Pikturës në Fakultetin e Arteve Pamore në Akademinë e Arteve në Tiranë, ku edhe zgjidhet Dekan në vitin 1993. Nga viti 1996 deri në pensionimin e tij ka qenë profesor i Pikturës në Akademinë e Arteve të Tiranës, sot Universiteti i Arteve.

Hila është fitues i çmimit “Onufri” në vitin 1993 dhe 1998. Në vitin 2017 ekspozon në “Dokumenta 14“, Athinë dhe Kassel. Në viti 2018 hap ekspozitën e parë retrospektive në Muzeun e Artit Modern në Varshavë, Poloni, ekspozitë e cila u hap edhe në Galerinë Kombëtare, Tiranë. Ai ishte i ftuar në programin “Berlin Artist” të DAAD-së, në vitin 2019. Në vitin 2020 ekspozon në “Secession“ në Vienë. Më pas ekspozon në Galerine Raffaella Cortese në Milano, 2022-2023.