Prej kohësh, vëmendja ishte tek “Mamils” (Middle Aged Men in Lycra) – meshkujt në të mesme që merren seriozisht me biçikletë – për rrezikun se shalët e ngushta dhe xhupat e ngjitur mund të ndikonin tek shëndeti seksual.
Por një studim i ri sjell lajme jo të mira edhe për çiklistët më të rastësishëm: edhe sediljet e buta, të mbështjella me sfungjer, mund të ulin shanset për t’u bërë baba.
Sipas kërkimit të publikuar në revistën shkencore Human Reproduction, burrat që kalojnë më shumë se tre orë në javë mbi një biçikletë me “comfort seat” kanë 25% më pak gjasa që partnerja e tyre të mbetet shtatzënë brenda një muaji përpjekjesh, krahasuar me ata që nuk ngasin biçikletë.
Ekspertët shpjegojnë se:
Sediljet e buta mund të shtypin një arterie kryesore që furnizon me gjak organet gjenitale (arteria pudendale).
Kjo shkakton rritje të temperaturës në testikuj, duke ndikuar negativisht tek numri dhe cilësia e spermës.
Përveç kësaj, mund të çojnë edhe në disfunksion erektil.
Studimi analizoi rreth 5,000 meshkuj nga Danimarka dhe Amerika e Veriut, të cilët raportuan aktivitetin fizik dhe llojin e biçikletës që përdornin, ndërsa partneret e tyre u ndoqën për disa muaj për të parë nëse mbeteshin shtatzënë.
Interesant është fakti se sediljet e ngurta, sportive (racing saddle) nuk u lidhën me ulje të fertilitetit.
Profesorja Lauren Wise nga Universiteti i Bostonit, autorja kryesore e studimit, tha:
“Sediljet e buta, që shpesh përdorin materiale si sfungjer ose shkumë, mund të kompresojnë arterien pudendale dhe të rrisin temperaturën në zonën gjenitale. Nuk ka ende mjaftueshëm kërkime, por burrat që kanë vështirësi me fertilitetin mund të konsiderojnë të kufizojnë çiklizmin.”
Ndërkohë, profesori Allan Pacey nga Universiteti i Manchesterit shtoi se nuk është e qartë pse sediljet e buta paraqesin më shumë problem, por mund të lidhet me mënyrën se si përdoren ato në çiklizëm rekreativ./GazetaExpress/