Edhe pse të përfolura për ndërhyrje ruse, “Europa” fiton zgjedhjet në Moldavi - Gazeta Express
string(74) "edhe-pse-te-perfolura-per-nderhyrje-ruse-europa-fiton-zgjedhjet-ne-moldavi"

Lajme

Gazeta Express

29/09/2025 8:08

Edhe pse të përfolura për ndërhyrje ruse, “Europa” fiton zgjedhjet në Moldavi

Lajme

Gazeta Express

29/09/2025 8:08

Partia pro-evropiane e presidentes së Moldavisë, Maia Sandu, është në rrugë të sigurt drejt një fitoreje të qartë dhe një shumice të re në parlament, në zgjedhje të cilat shihen si vendimtare për të ardhmen evropiane të vendit.

Sandu kishte paralajmëruar për një “ndërhyrje masive ruse” pas votimit, duke thënë se në lojë është e ardhmja e Moldavisë, e cila kufizohet me Ukrainën dhe Rumaninë.

Partia e saj, Partia e Veprimit dhe Solidaritetit (PAS), ka siguruar 50% të votave me shumicën e 1.6 milionë votave të numëruara, shumë përpara bllokut elektoral pro-rus “Patriotik”, i cili ka marrë më pak se 25%. Pjesëmarrja në votime ishte mbi 52%, më e lartë se vitet e fundit.

Një nga liderët kryesorë të opozitës, Igor Dodon, kishte shpallur fitore që përpara se të shpalleshin rezultatet dhe bëri thirrje për protesta para parlamentit të hënën.

Zgjedhjet e fundit në Moldavi kanë qenë shumë më të ngushta, por tashmë është bërë e qartë se partia e Sandut është në rrugë për të siguruar një tjetër shumicë në parlamentin me 101 vende.

Katër vite më parë, partia e presidentes kishte fituar me 52.8% të votave, ndërsa sipas rezultateve më të fundit, tani pritet të sigurojë 54 vende në parlament.

Për të formuar qeverinë, nuk do t’i nevojitet mbështetja e partive të tjera si blloku Alternativa apo partia populiste “Partia Jonë”.

Në shenjë të tensionit që ka shoqëruar këto zgjedhje, u raportuan kërcënime me bomba në qendra votimi në Itali, Rumani, Spanjë dhe SHBA. Alarme të ngjashme janë raportuar edhe në Moldavi vetë, dhe tre persona janë arrestuar nën dyshimin për organizim trazirash një ditë pas votimeve. Kreu i partisë së Sandut, Igor Grosu, fajësoi grupe kriminale të mbështetura nga Moska për incidentet e së dielës dhe bëri thirrje për “durim dhe qetësi” për të lejuar vijimin normal të procesit zgjedhor.

Moldavia ka gjithashtu një rajon të shkëputur pro-rus, Transnistria, përgjatë kufirit me Ukrainën, ku ndodhet edhe një prani ushtarake ruse. Banorët e këtij territori posedojnë pasaporta moldave dhe shumë prej tyre janë hapur në mbështetje të Moskës.

Lideri i Partisë Socialiste, Igor Dodon, deklaroi se ka pasur “çdo lloj pengese dhe shqetësimi për ta ndaluar ata të votojnë”.

Moldavët janë ndikuar fort nga lufta e Rusisë në Ukrainën fqinje, por përballen edhe me rritje të çmimeve dhe nivele të larta të korrupsionit.

Presidentja Sandu, 53 vjeç, e cila fitoi mandatin e saj të dytë në nëntorin e kaluar, paralajmëroi qytetarët moldavë se e ardhmja e demokracisë së tyre është në duart e tyre:

“Mos luani me votën tuaj, ndryshe do t’i humbni të gjitha!”

Dodon, një nga rivalët kryesorë të Sandu-së, doli menjëherë në televizionin kombëtar sapo u mbyllën qendrat e votimit për të pretenduar se aleatët e tij pro-rusë nga Blloku Zgjedhor Patriotik kishin fituar zgjedhjet – megjithëse nuk kishte as sondazhe exit dhe as rezultate të para zyrtare.

Duke falënderuar moldavët që “votuan në numër rekord”, Dodon u bëri thirrje qeverisë së PAS-it të japë dorëheqjen dhe i kërkoi mbështetësve të të gjitha partive opozitare të dalin në rrugë të hënën, për të “mbrojtur” votën e tyre para parlamentit në mesditë.
“Nuk do të lejojmë destabilizim,” premtoi ai. “Qytetarët kanë votuar. Vota e tyre duhet të respektohet, edhe nëse nuk ju pëlqen,” shtoi ai, duke iu drejtuar Presidentes Sandu dhe partisë së saj.

Një nga partitë në bllokun e Dodon-it u përjashtua nga zgjedhjet dy ditë para votimit për shkak të dyshimeve për financime të paligjshme.

Në prag të zgjedhjeve, policia raportoi prova për një përpjekje të paprecedentë nga Rusia për të përhapur dezinformim dhe për të blerë vota. Dhjetëra burra u arrestuan gjithashtu, të akuzuar se kishin udhëtuar në Serbi për trajnim me armë zjarri dhe për koordinim trazirash. Një hetim i BBC-së zbuloi një rrjet që premtonte pagesa për pjesëmarrësit nëse postonin propagandë pro-ruse dhe lajme të rreme.

Partitë që mbështesin Moskën i hodhën poshtë pretendimet e policisë si të rreme dhe të sajuara një shfaqje e inskenuar nga qeveria për të trembur qytetarët dhe për t’i detyruar të votojnë për ta.
Ambasada e Rusisë në Britani i hodhi poshtë akuzat e BBC-së, duke akuzuar Moldavinë dhe “sponsorët e saj perëndimorë” se po përpiqen të shpërqendrojnë vëmendjen nga “problemet e brendshme” të Chisinau-t.

Brenda të gjitha qendrave të votimit të vizituara nga BBC, ishte vendosur një kamera e vogël mbi një trekëmbësh që filmonte kutitë transparente të votimit.
Vëzhguesit zgjedhorë thanë se gjithçka po regjistrohej, në mënyrë që të kontrollohej në rast të ndonjë shkeljeje.

Dan Spatar, që ndodhej në një qendër votimi në kryeqytet me vajzën e tij të vogël, tha se po zgjidhte një të ardhme evropiane në vend të një të kaluare ruse:
“Ne kemi votuar për këtë katër vite më parë dhe meritojmë të vazhdojmë kështu. Shohim çdo ditë çfarë ndodh në Ukrainë dhe jemi të shqetësuar.”

Moldavisë iu dha statusi i vendit kandidat për anëtarësim në BE në vitin 2022, së bashku me Ukrainën, katër muaj pas pushtimit të plotë të Ukrainës nga Rusia.

Marina tha se po votonte “për paqen në Moldavi, për një jetë më të mirë, për rritjen e ekonomisë sonë” dhe ndjente se do të ishte shumë e vështirë që vendi i saj të vazhdonte rrugën drejt Europës me një qeveri pro-ruse.

Në kufirin e enklavës separatiste të Transnistrisë në Moldavi, të dielën, një radhë e gjatë makinash priste për të kaluar në 12 qendrat e votimit të hapura përtej kufirit administrativ, disa prej tyre më shumë se 20 kilometra larg.

Njerëzit kishin udhëtuar larg nga shtëpitë e tyre dhe numri i votuesve ishte më i ulët se vitet e fundit – vetëm pak më shumë se 12,000 një tregues i vështirësive që kishin hasur shumë prej tyre.

Policia moldave kontrollonte dokumentet dhe bagazhet e makinave para se t’i linte të kalonin. Shumica e makinave kishin disa persona brenda, shpesh familje të tëra.

Deri në mesditë, radha shtrihej larg, përtej një kioske që kishte në majë një simbol sovjetik – çekiçin dhe drapërin – dhe flamurin jeshil e të kuq me vija të bardha të Transnistrisë.

Duke biseduar me drejtuesit e makinave, shumica dukeshin të qetë dhe nuk shqetësoheshin shumë për pritjen. Atmosfera ishte relativisht e relaksuar.

Një burrë i tha BBC-së në rusisht se po votonte për ndryshim, sepse qeveria e PAS-it “premtoi parajsë dhe nuk dha asgjë”. Askush nuk donte të jepte më shumë hollësi, duke këmbëngulur se preferenca e tyre në votim ishte “sekrete”.

Afer një statuje gjigante të Leninit në qytetin Anenii Noi, në juglindje të kryeqytetit moldav, një grup votuesish nga Transnistria u ankuan se ishin dërguar fillimisht në një qytet dhe pastaj në një tjetër, pasi një alarm për bombë kishte mbyllur qendrën e votimit. Ata besonin se kjo ishte bërë me qëllim për t’i dekurajuar nga votimi.

Një burrë tha se kishte një “biznes rus” në enklavën separatiste dhe deklaroi qartë se donte që pro-rusët të riktheheshin në pushtet./BBC