Riola Xhemaili është një prej yjeve në ngjitje të futbollit zviceran, por lidhja e saj me Kosovën mbetet e fortë dhe e pandërprerë.
Edhe pse ka lindur dhe është rritur në Zvicër, Riola kurrë nuk e ka lënë pas dore origjinën e saj. Në një konferencë për media të mbajtur të dielën, ajo ndau me krenari ndjenjat e saj për vendlindjen e prindërve.
“Rrjetet sociale janë bërë virale në Kosovë dhe Shqipëri, si edhe në Zvicër. Jam e lumtur për këtë, sepse kam familje atje. Gjyshërit e mi janë atje dhe janë po aq krenarë sa gjyshërit e mi në Zvicër dhe prindërit e mi. Më bën krenare që iu kam sjellë gëzim dy apo tri vendeve”, ka thënë Xhemaili.
Riola rrëfeu se në shtëpi është rritur me gjuhën dhe kulturën shqiptare, ndërsa pushimet i ka kaluar rregullisht në Kosovë. Ajo thekson se përveç vlerave të mësuara në Zvicër, karakteri i saj në fushë është ndikuar edhe nga temperamenti shqiptar.
“U rrita me shumë disiplinë dhe korrektësi. Me vlerat zvicerane që i mësova në shkollë dhe në punë. Në shtëpi u rrita duke folur shqip, duke folur shqip me prindërit e mi dhe duke i kaluar pushimet në Kosovë. Edhe unë e kam atë anë timen, temperamentin që e kam në fushë. Por kjo është një gjë e mirë”, ka theksuar Xhemaili.
Të enjten, ajo u bë heroinë e Zvicrës duke shënuar një gol dramatik në minutat shtesë të ndeshjes ndaj Finlandës, që i siguroi Zvicrës kualifikimin historik në çerekfinale të Euro 2025 – suksesi më i madh i deritanishëm për përfaqësuesen e femrave.
“Edhe kur luaj si zëvendësuese, e jap maksimumin sikur të isha titullare. Jap gjithçka për vendin tim”, është shprehur Xhemaili.
Në çerekfinale, Zvicra do të përballet me Spanjën më 18 korrik në qytetin e Bernës. Riola është e vetëdijshme për vështirësinë e sfidës, por mbetet optimiste:
“Duhet të përpiqemi sa më shumë të jetë e mundur ta mbajmë portën e paprekur. Do të jetë ndeshje e vështirë, por jo e pamundur për t’u fituar”, ka thënë ajo.
Në moshën 17-vjeçare, Riola bëri debutimin me ekipin e parë të Zvicrës dhe deri tani ka grumbulluar 33 paraqitje, duke realizuar 7 gola.
Së fundmi, ajo ka përfunduar një sezon shumë të suksesshëm te PSV Eindhoven në Holandë, ku ishte e huazuar, duke shënuar 14 gola dhe dhënë 6 asistime në 26 ndeshje. Më parë ka luajtur për Baselin (2019–2021) dhe më pas u transferua te Wolfsburgu, me të cilin në vitin 2023 arriti në finalen e Ligës së Kampionëve.
Karriera e saj është në ngritje të vazhdueshme dhe emri i Riola Xhemailit tashmë është pjesë e rëndësishme e të ardhmes së futbollit zviceran – me rrënjë të thella në tokën shqiptare./GazetaExpress/