Edhe profeti pshurr - Gazeta Express
string(19) "edhe-profeti-pshurr"

Edhe profeti pshurr

OP/ED

Gazeta Express

22/06/2022 13:27

Ardhja në pushtet mund t’i shërbejë Vetëvendosjes t’i kapërcejë papjekuritë e adoleshencës së saj politike… Dhe kështu, në fund, edhe fanatikët e shkretë të Vetëvendosjes do ta kuptonin se edhe profeti pshurr – si të gjithë mjeranët e tjerë

Arben Idrizi

Lexo Edhe:

Nuk dua që kjo që do të them të tingëllojë cinike a ironike, por është një e vërtetë nën dritën e diellit, që nuk duhet anashkaluar: Vetëvendosje e di më mirë se ne, madje Vetëvendosje kërkon – më shumë se kushdo tjetër – nga ne që të mos e harrojmë atë që është «thënë» dhe atë që është «bërë». Ngase Vetëvendosje është ngritur dhe ka ardhur në pushtet duke u marrë me atë që është «thënë» dhe me atë që është «bërë». Vetëm dhe sidomos me këtë.

Ashtu siç pothuajse të gjithë ne, në jetën publike e private, për të mirën personale a të përbashkët, merremi me aq sa mundemi me atë që «thuhet» dhe me atë që «bëhet».

Për t’i vënë një pikë këtij muhabeti, sa për të marrë frymë pak më lirshëm, shkoj me mendjen se do të mjaftonte që Vetëvendosje (tash pushteti) në këtë rast t’i pranonte në heshtje kritikat e mundshme, ose të argumentonte në mënyrë më të qëndrueshme, diplomatike, atë që po «thotë» dhe atë që po «bën» vetë, në vetvete dhe në krahasim me atë që është «thënë» dhe që është «bërë» nga të tjerët.

Përndryshe, për mendimin tim, cilado marrëveshje (që ishte nisur nga qeveritë e mëparshme dhe tash është) e finalizuar nga qeveria e re dhe cilado ulje në tavolinën e dialogut, me qëllim të arritjeve të marrëveshjeve të tjera, që do të hapnin një rrugë e pakthyeshme të përmbylljes së dialogut, është një e mirë e përbashkët, një rezultat dhe një sukses që s’ka të sharë as alternativë; është një nevojë imediate, injorimi dhe vonimi i së cilës i shkakton dëme, ndoshta edhe të pariparueshme, vetëm vendit tonë, pra vetëm qytetarit tonë.

Bindja ime është se këto kohë qeveria e drejtuar nga Vetëvendosje i ka bërë dëme të konsiderueshme vendit me qëndrimin injorues dhe përçmues të dialogut. Edhe atëherë kur është ulur për të arritur diçka, e shtyrë nga ai vullnet brutal për t’ia bërë të pamundshme palës tjetër (e cila në fakt është më e rryer në këtë perfiditet), e gjitha që na ka sjellë para duarsh është një marrëveshje absurde dhe e neveritshme.

Se s’ka si të jetë ndryshe, për mua, ta zëmë, ajo marrëveshja për targat. Nuk di të kemi pasur ndonjëherë ndonjë marrëveshje (edhe pse e përkohshme) më banale, ku dy palë, për t’ia nxirë jetën njëra-tjetrës, ndajnë mendjen t’ia nxijnë njëra-tjetrës stemat shtetërore në targa automjetesh. Duhet të jesh tepër i ngulfatur nga mëria dhe mosdurimi reciprok që të arrish një marrëveshje të tillë reciproke.

Natyrisht, shpesh duhet edhe shumë guxim të arrish një marrëveshje për të mirën e qytetarëve të të dy palëve. Por, të arrish një marrëveshje për t’ua vështirësuar përditshmërinë dhe errësuar ardhmërinë atyre qytetarëve, nuk nevojitet fare guxim, nevojitet vetëm marrëzi.

Ardhja në pushtet mund t’i shërbejë Vetëvendosjes t’i kapërcejë papjekuritë e adoleshencës së saj politike. S’ka si të jetë ndryshe, se në rast të kundërt i paguajmë ne, qytetarët, më shumë se ajo vetë.

Ai kapërcim nënkupton në radhë të parë që të merret seriozisht dhe të jetë imperativ dialogu; të finalizohen ato marrëveshje të lëna në gjysmë nga qeveritë e tjera (ndaj të cilave kishte kundërshtime që tani po dalin të jenë marrëzore); të zbatohen marrëveshjet e arritura (në radhë të parë Asociacioni dhe dorëzimi i pronave të Manastirit të Deçanit – marrëveshje që po ashtu janë kundërshtuar nga Vetëvendosje, por posa të nisin t’i zbatojnë si pushtet, do ta kuptojnë sa i marrë ka qenë kundërshtimi i tyre); t’u hapen rrugë marrëveshjeve të tjera drejt marrëveshjes finale.

Në një rast të tillë, do të kishte me qenë goxha një humbje kohe të hallakatemi rreth asaj se çfarë paska pas «thënë» dhe çfarë paska pas «bërë» kushdo qoftë, kurdo qoftë.

Dhe kështu, në fund, edhe fanatikët e shkretë të Vetëvendosjes do ta kuptonin se edhe profeti pshurr – si të gjithë mjeranët e tjerë.