Pasurimi dhe funksionimi i mirë i bibliotekave shkollore, nëse bëhet siç duhet, mund të jetë një nga investimet më të mira për leximin në vitet e fundit.
Por ne vend te kësaj, ndodhi një konfuzion i panevojshëm ne këtë proces, megjithëse MAS kishte të gjithë kohën e duhur për përgatitjen e një liste cilësore.
MAS duhet të bëjë publike përbërjen e Bordit. Në mos, diçka nuk shkon. Nuk janë emra bindës?
Bordi i MAS duhet të mos bëjë gabime të tjera nën presion. Natyrisht duhen parë me vëmendje propozimet e reja plotësuese nga Botuesit, që Lista rekomanduese të përmirësohet.
Qëllimi kryesor i bibliotekës së shkollës është promovimi i leximit. Kritere kryesore për pasurimin e bibliotekave shkollore duhet të jenë cilësia e titujve apo autorëve që propozohen. Vërejmë se po ngulmohet për të përfshirë edhe tituj nga shtëpi botuese që nuk përfaqësohen apo përfaqësohen pak. Pasurimi i bibliotekave nuk është një mundësi për eksperimente. Nuk mjafton që libri të jetë bestseller, të ketë kopertinë të bukur apo të jetë promovuar nëpër rrjete sociale. Shumë tituj e autorë, apo edhe shtëpi botuese, nuk duhet të përfshihen në këtë proces, nëse nuk garantojnë cilësitë e kërkuara.
Këmbëngulim që asnjë autor të mos ketë më shumë se 10 tituj. Pra rrjedhimisht, asnjë seri librash për fëmijë nuk duhet të ketë më shumë se 10 libra.
Pasurimi i bibliotekave shkollore ka kritere të ndryshme nga bibliotekat e tjera, po kështu edhe pasurimi i tyre. Parimisht duhet të ketë edhe tituj nga fusha të rëndësishme të dijes, gjithmonë ne përputhje me nivelin e nxënësve dhe programet shkollore, por duhet pranuar se librat akademikë janë për një lexues të kufizuar, elitar, dhe përgjithësisht jo për lexuesin parauniversitar. Pra kjo është një literaturë e dobishme, sidomos për bibliotekat universitare.
Është e rëndësishme të kuptojmë se nëse lexuesit nuk rriten në numër dhe cilësi në vendin tonë, ka edhe arsye strukturore “bazë” që mund të korrigjohen, që kanë të bëjnë jo vetëm me pasurinë e bibliotekave shkollore por edhe me funksionimin e tyre, që është më vete një problem i madh, të cilit do t’i kthehemi edhe në ngjarjen më të madhe të librit, në nëntor 2023, Panairin e Librit të Tiranës. /Shoqata e botuesve shqiptarë