Edhe një herë mbi zotimet tona ndërkombëtare dhe realizimin e tyre përmes përshtatjes me britmë - Gazeta Express
string(95) "edhe-nje-here-mbi-zotimet-tona-nderkombetare-dhe-realizimin-e-tyre-permes-pershtatjes-me-britme"

Edhe një herë mbi zotimet tona ndërkombëtare dhe realizimin e tyre përmes përshtatjes me britmë

OP/ED

Gazeta Express

04/10/2023 11:11

Ajo që çon peshë është gjetja e përgjigjeve të vërteta në pyetjet si më sipër, të cilat faktori i jashtëm i ka në mendje të njohura – së paku nëse gjykojmë në bazë të deklaratave publike në dy anët e Atlantikut. Kryeministri Kurti, ndërkohë që vazhdon me përshtatjen e zakonshme me britmë, tani ballafaqohet me dy sfida: një, dialogu me kuptim vazhdimin e zbatimit të zotimeve të Ohrit aty ku ka ngelur në Bruksel; dhe dy, rikthimi i gjendjes së paqes dhe sigurisë në veri të vendit duke ofruar garanci të prekshme të depërshkallëzimit afatgjatë të situatës dhe ndërtimit të institucioneve civile atje. Ndryshe, veriu dhe krejt Kosova bashkë me te ngelin në agjendë permanente të sigurisë rajonale e ndërkombëtare, me potencial përshkallëzimi të dhunës në çdo kohë. Përtej raportimit rutinë e krejt cerebral në bazë të rezolutës 1244, Kosova nuk ka çka kërkon në Këshillin e Sigurimit. Këto fjalë, që sot tingëllojnë profetike, pak ditë para sulmit terrorist të 24 shtatorit i tha për TV 21 një diplomat i rryer e i vyer  – ambasadori shqiptar në OKB, miku im Ferit Hoxha, me të cilin kishim punuar gjatë në MPJ në vitet e para të tranzicionit shqiptar.

Shkruan: Enver Hasani

Lexo Edhe:

Frika si shtysë për veprim politik

Në dy shkrimet e botuara para ngjarjeve tragjike të 24 shtatori 2023 ku në paqe u shua jeta e heroit më të ri të Kosovës, Afrim Bunjaku, nga terroristë serb në veri,  lexuesi ka pasur rastin të lexojë pikëpamjet tona rreth raportit tonë si shtet me natyrën e detyrimeve të marra përfundimisht me Marrëveshjen e Brukselit dhe Aneksin e Ohrit dhe mënyrën e zbatimit të tyre nga kryeministri aktual i Kosovës, zoti Albin Kurti.

Gjendja psikologjike e shpirtërore që u ndërtua pas sulmeve terroriste të datës 24 shtator ngjasonte shumë me gjendjen e një populli të frikësuar nga kujtimet e një të kaluare, jo fortë të largët të dhunës dhe terrorit nga duart e fqinjit më të fuqishëm. Ndjenja se miqtë tanë nuk na kishin harruar, që kishte ekzistuar deri në ditën e ushtrimit të territori në veri, sikur riktheu vetëbesimin ndër kosovarët dhe restauroi dinjitetin e tyre të ndrydhur. U mor vesh, ata që din pak nga politika e kanë të qartë se ne u izoluam për agjenda të tjera që ndiqeshin nga lidershipi aktual i ekzekutivit kosovar, jo në raport me çështjet e sigurisë dhe paqes në rajon dhe më gjerë. Pikërisht këtu qëndron e keqja, në u bëmë sërish me miqtë tanë në çështjet e sigurisë, jo në atë të ndërtimit të paqes dhe institucioneve demokratike, qeverisjes së mirë dhe sundimit të ligjit. Ky dimension i sigurisë edhe për një kohë të gjatë në vijim do të ngelet ombrella e dialogut Kosovë- Serbi, përkatësisht shpata mbi kokën e kryeministrin Kurti, në procesin e implementimit të tij të agjendës të cilën refuzoi në Bruksel para ushtrimit të terrorit në veri.

Një tjetër dimension i dukshëm, që lidhet me dialogun, që u krijua si pasojë e frikës së qytetarëve të vendit ndaj fqinjit tonë verior, ka të bëj me bindjen krejtësisht irracionale se dialogu vdiq, u dorëzua Bashkimi Evropian dhe SHBA, bota u gjunjëzua ndaj lidershipit që nuk lëshon pe. Në fakt, krejt e kundërta ka ndodhur: përballja me terroristë dhe mundja e tyre, në veçanti mënyra e tërheqjes së pjesë dërrmuese të tyre sikur të ishin në një dasmë, tregon qartë për një proces politik ndërmjetësues me qëllim lehtësimin e largimit të tillë të tyre nga territori i Kosovës. Kjo ka një çmim! Në ndërkohë që paraqitja e Kurtit të dielën e 24 shtatorit paradite, dukej qartë si një paraqitje e njeriut të frikësuar, siç ishte krejt populli shumicë i Kosovës, daljet e pastajme të tij u dukën më të kalibruara. Ky kalibrim, megjithatë, nuk i referohej pozicionit të tij me aleatët tanë, por me kundërshtarët e tij politik – siç edhe pritej. Në raport me aleatët, megjithatë, qartë shihet që Kurti dukshëm ka humbur terren – ndihma kolosale për përballim të terrorit në veri ia ka ngushtuar hapësirën për refuzim të agjendës së skicuar në Bruksel, për implementim të zotimeve tona ndërkombëtare, ashtu siç janë përcaktuar ato me Aneksin e Ohrit. Manipulimi me frikën e votuesit dhe të popullit, ka pasur kuptim dhe sukses vetëm të përkohshëm dhe vetëm në raport me vrasjen e frikës dhe menaxhim të saj momental, atë të diel dhe pak ditë në vijim. Kjo fazë tani ka kaluar – narrativi i krijuar ato ditë nuk ka asnjë rëndësi përtej studiove televizive dhe betejës politike në Kuvendin e Kosovës.

Një përmbledhje mbi natyrën e zotimeve të Kosovës

Pse kjo paraqitet kësisoj? Arsyeja kryesore lidhet me dy fytyrat e Janusit që ka Kosova në termat më objektiv, si një shtet i pavarur dhe sovran në të drejtën dhe marrëveshjet ndërkombëtare – fytyra e shtet-ndërtimit (paqes) dhe fytyra e sigurisë (luftës). Deri në agresionin barbar rus ndaj Ukrainës,  dimensioni i paqes ka mbizotëruar – rastet sporadike të dhunës në veri janë parë si sundim i ligjit, përpjekje për bishtnim ligji, refuzim i sovraniteti të vendit në mënyrë demokratike përmes bojkotimit të zgjedhjeve lokale atje dhe kështu me radhë. Retorika luftarake e dy palëve nuk po çon peshë në këtë cilësim. Pas agresionit rus në Ukrainë, ndërkaq, gjërat nisën të ndryshojnë. Siç e kemi shkruar muaj para se të nis agresioni, Kosovës po i afroheshin disa re të zeza mbi kokë, jo fortë të mira; këtë gjykim e bazoja në analizën prima facie të diskursit publik në Kosovë, që shpresonte dhe besonte verbërisht se lufta atje e paraqet Serbinë në mënyrë objektive kundër perëndimit dhe si një aleat besnik rus. Ky ishte një kalkulim i thjeshtë, që në politikë dëmton shumë: nëse Serbet duan Rusinë, atëherë ata nuk janë me Perëndimin, kurse Kosova po; për pasojë, dividendin politik do ta merr Kosova, vetëm duhet pritur. Shumë kohë kaloi, nuk duket asnjë shenjë se është kuptuar ky fakt, aq më pak të ketë një ide e vullnet për ndryshim kursi zyrtar në Kosovë: u humb kohë e çmuar, po humbet aktualisht, për rikalibrim të pozitës sonë gjeostrategjike pas ngjarjeve në Ukrainë; nuk u kuptua se, krahas Kosovës  miqtë tanë të mëdhenj mund të kenë aleatë edhe Serbinë, pa dëmtuar pozitën e Kosovës! Në këtë premisë duhet të ndërtohet çdo hap në politikën e jashtme, këtu duhet kërkuar dhe gjetur vendin e ri të Kosovës në gjirin e aleatëve, të cilët akoma vazhdojnë të jenë të durueshëm ndaj nesh. Këtu qëndron çelësi i zgjidhjes së traumave dhe brimës që shfaqet në diskursin tonë politik.

Në këtë intermexo, në një kohë që agresioni rus po vazhdonte, Perëndimi rriti përpjekjet për mbajtjen me çdo kusht nën kontroll të parametrave të sigurisë në Ballkan. Në një kohë që Mali Zi ndryshoi kursin, për t’u afruar më shumë me pikëpamjet serbe, entitet-gjenocidi i Bosnje-Hercegovinës, mprehu dhëmbët gjithashtu, me shpresë të madhe se kishte ardhur për te koha e qërimit të hesapeve me Dejtonin. Krejt këto zhvillimi shtonin peshën specifike të Serbisë dhe Alekandër Vuciq – konsideratat etike lidhur me personin e tij, gjendjen e demokracisë në Serbi, raportin e tij me mediat dhe krimin e organizuar, u shtyjnë për ditë më të mira. Bashkë me këtë shtyrje shkoj edhe heqja fatale e kërkesës për njohje të Kosovës, qoftë de jure ose de facto. Ky fakt u sanksionua në Aneksin e Ohrit, i cili, përveç mungesës së njohjes përmban dispozita paragjykuese ndaj statusit të Kosovës kundrejt Serbisë, krijimit të autonomisë serbe në Kosovë dhe, mbi të gjitha, ngeljen hapur të procesit të dialogut me Serbinë për një afat të pacaktuar në të ardhmen.

Si është e mundur tërë kjo? Ne kemi shpjeguar në njërin prej shkrimeve tona më herët se natyra juridike-ndërkombëtare e detyrimeve të Kosovës, të marra në Bruksel/Ohër në tërësi akomodohet në rendin juridik-ndërkombëtar: bëhet fjalë për marrëveshje që nuk është traktat dhe që nuk normohet shprehimisht me Konventën e Vjenës për të Drejtën e Traktateve (1969), siç i kishte cilësuar për herë të parë Karl Strupp më 1934. Ndaj tyre zbatohet në mënyrë të përshtatshme dhe në tërësi dispozitat e ligjit ndërkombëtar, atij zakonor dhe të shkruar. Këtë lloj të zotimeve ndërkombëtare shpeshherë e kanë krahasuar me të drejtën e butë, shumë më vonë, kah vitet ’70 dhe ’80 të shekullit të kaluar. Ndër dispozitat e ligjit ndërkombëtar që komandojnë këtë lloj të zotimit që Kosova ka marrë në Ohër hyjnë në veçanti ato që njihen si novatio, përkatësisht përtëritje e zotimit të mëhershëm. Ky institut i ligjit ndërkombëtar lejon palët që të modifikojnë detyrimet e tyre fillestare, gjithnjë me vullnet dhe mirëbesim, bile edhe duke anuluar detyrimin origjinal, siç ka ndodhur me rastin tonë. Detyrimi origjinal i Kosovës, siç dihet, ka qenë formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe, përmbajtja e të cilit nuk është ditur asnjëherë më saktësi, përveç rasteve kur vetë serbët i janë referuar atij – siç bëjnë sot e kësaj dite –  si “Bashkësia e komunave serbe”. Në Bruksel/Ohër ka ardhur deri te novacioni, me kuptim që u krijua koncepti i ri i vetëmenaxhimit me dy elementet e tij kyçe – personal, që ka të bëj me të drejtën e serbëve për vetërregullim të krejt jetës së tyre në Kosovë, sipas një strukture normative autonome nga rendi ekzistues kushtetues i Kosovës i bazuar në Kushtetutën e vitit 2008;  dhe ai territorial-politik, për aq sa ka të bëj me vetëqeverisjen në mënyrë autonome të jetës politike, kulturore dhe të institucioneve me rëndësi historike dhe shpirtërore për serbët si komb dhe si popullsi lokale që jeton në shtetin e Kosovës. Këto i kanë parasysh aleatët tanë kur thonë se dialogu nuk ka alternativë. Nuk bëhet fjalë për vrasje të dialogut, modifikim tjetër fare të tij nga formati i pajtuar në Ohër, aq më pak për fitim të ndonjë pozicioni të privilegjuar të Kosovës në procesin e zbatimit të zotimeve të Ohrit.

Një përmbledhje mbi teknikën e përshtatjes së kryeministrit Kurti

Historia e marrëdhënieve ndërkombëtare e shekullit ’20-të është e mbushur me plot shembuj të përshtatjes së shteteve post-revolucionare ndaj rregullave ekzistuese të rendit ndërkombëtare. Zakonisht si shembuj të tillë merren vendet ish-komuniste dhe vendet ish-koloniale që ishin satelit të Bashkimit Sovjetik. Çdo gjë nis me Leninin dhe idetë e tij se do të shpërthente një revolucion botëror, për të kapitulluar para gjermanëve pak muaj pas kaosit që krijoj në vendin e tij. Ka qenë Lufta e Parë Botërore, jo idetë e revolucionit të tetorit, faktori vendimtar që ka ndryshuar politikën e Leninit ndaj ambientit ndërkombëtar: kur pa se idetë dhe etika pak rol kishin në marrëdhëniet ndërkombëtare, ai nisi ripushtimin e vendeve përreth, sulmoi vendet e Azisë Qendrore, vendet baltike provoj pa ndonjë sukses, njëjtë sikur Finlandën që i rezistoj me sukses rikthimit në orbitën ruse. Kur u nxor Kushtetuta e vitit 1923, Lenini kishte arritur të përfshinte aty krejt perimetrin e Rusisë cariste, duke ia lënë Stalinit amanetin e përshtatjes, që ky e realizoj me shumë sukses: më 1945 Bashkimi Sovjetik ishte për 500 mijë kilometra katror më i madh se Rusia cariste. Ngjashëm më Leninin kishin vepruar ish-kolonitë satelite: Libia e diktatorit pervers Mohamer Gadafi provoj ekspertoj terrorizëm global, në emër të shpërndarjes së revolucionit të gjelbër që bazohej në interpretim komunist të Kuranit. Dihet si ka përfunduar puna tij. Kështu kishin bërë shumica e vendeve të botës së tretë pas pavarësimit në vitet ’60 dhe ’70 të shekullit të kaluar që ishin nën ndikim sovjetik. Kështu janë sot sjelljet e Kinës dhe Rusisë.

Kjo po ndodhë me Kosovën dhe kryeministrin e saj: kur mori pushtetin, me një elan revolucionar nisi rrugëtimin kah Brukseli, i bindur për mos informimin e tyre për natyrën e nacionalizmit serb dhe vuajtjen e Kosovës përgjatë shekujve nën thundrën e fqinjit të vet verior. Në takimin tjetër të radhës në Bruksel, asnjë nga temat që i kishte ngritur herën e parë më nuk i ngriti. Ajo që shihnim më pas ishte përshtatja, por jo më me kokën kah Brukseli por kah votuesi i Kosovës: ruajtja e votës, që është krejt legjitime, u bë target i tij intensiv, sepse dera e leksioneve anti-serbe në Bruksel ishte mbyllur hermetikisht. Tani mund të përçonte mesazhe nga distance, për dy palët – për ndërmjetësuesit  dhe votuesin mesatar. Kjo nuk bënte shumë përshtypje në Bruksel, në një kohë kur Prishtina kishte dhënë mesazhe të qarta të bashkëpunimit dhe përshtatjeje  konstruktive në dialogun në vijim. Kjo u pa me arritjen e Marrëveshjes në Bruksel, e cila deri në formësimin e saj përfundimtare në Ohër, pati disa shkarje e britma, që tanimë tingëllonin si të zakonshme dhe merreshin, me plotë të drejtë, si shenja të pranimit dhe përshtatjes konformiste ndaj propozimeve që vinin nga jashtë.

Përshtatja vazhdon, britmë me të njëjtin intensitet

Kosova dhe Serbia, pas ngjarjeve të 24 shtatorit 2023 janë në të njëjtën distancë ndaj miqve dhe raportin e tyre me dialogun: të dyja duhet të punojnë e të mbledhin prova të padiskutueshme rreth ecurisë së saktë të ngjarjeve tragjike në veri. Nuk diskutohet cilësimi i aktit si terrorist, sepse atë asnjëherë askush nuk e ka vënë në dyshim. Ajo që ka rëndësi është të provuarit e ecurisë së krejt ngjarjes, veçanërisht gjetjen e përgjigjeve në pyetjet si vijon: Si u fut tërë ai armatim në veri? Cili ka qenë roli i Kishës Ortodokse Serbe? Në çfarë rrethanash u vra heroi i Kosovës Afrim Bunjaku? në cilat rrethana u eliminuan terroristët serb? Kush dhe si ndërmjetësoi për largimin e terroristëve aq qetë nga territori i Kosovës? Këto përgjigje janë vendimtare për fitim ose jo të pozitës së privilegjuar kundrejt Serbisë, asnjëherë prononcimet retorike kundër Vuçiq dhe Serbisë, as kërkesat e pareshtura për sanksionim të Serbisë për ngjarjet në veri.

Përshtatja e kryeministrit Kurti më nuk mund të bëhet në një vakum faktik dhe institucional, çdo gjë tani e tutje ndodh në dritën e ngjarjeve dhe rrethanave të tjera nga ato që i kemi parë më herët. Kjo nuk nënkupton, megjithatë, se përshtatja nuk mund të mos shoqërohet me britmë të njëjtë, që shihet se po vazhdon me të njëjtin intensitet. Ajo që çon peshë është gjetja e përgjigjeve të vërteta në pyetjet si më sipër, të cilat faktori i jashtëm i ka në mendje të njohura – së paku nëse gjykojmë në bazë të deklaratave publike në dy anët e Atlantikut. Kryeministri Kurti, ndërkohë që vazhdon me përshtatjen e zakonshme me britmë, tani ballafaqohet me dy sfida: një, dialogu me kuptim vazhdimin e zbatimit të zotimeve të Ohrit aty ku ka ngelur në Bruksel; dhe dy, rikthimi i gjendjes së paqes dhe sigurisë në veri të vendit duke ofruar garanci të prekshme të depërshkallëzimit afatgjatë të situatës dhe ndërtimit të institucioneve civile atje. Ndryshe, veriu dhe krejt Kosova bashkë me te ngelin në agjendë permanente të sigurisë rajonale e ndërkombëtare, me potencial përshkallëzimi të dhunës në çdo kohë. Përtej raportimit rutinë e krejt cerebral në bazë të rezolutës 1244, Kosova nuk ka çka kërkon në Këshillin e Sigurimit. Këto fjalë, që sot tingëllojnë profetike, pak ditë para sulmit terrorist të 24 shtatorit i tha për TV 21 një diplomat i rryer e i vyer  – ambasadori shqiptar në OKB, miku im Ferit Hoxha, me të cilin kishim punuar gjatë në MPJ në vitet e para të tranzicionit shqiptar.

(Autori është kryetari i parë i Gjykatës Kushtetuese dhe profesor i së drejtës dhe marrëdhënieve ndërkombëtar)