Edhe në rigjykim, deklarohen të pafajshëm Pal Lekaj dhe dy tjerët në rastin e njohur si “53-milionëshi” - Gazeta Express
string(100) "edhe-ne-rigjykim-deklarohen-te-pafajshem-pal-lekaj-dhe-dy-tjeret-ne-rastin-e-njohur-si-53-milioneshi"

Lajme

Gazeta Express

23/07/2025 17:51

Edhe në rigjykim, deklarohen të pafajshëm Pal Lekaj dhe dy tjerët në rastin e njohur si “53-milionëshi”

Lajme

Gazeta Express

23/07/2025 17:51

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë të mërkurën në rigjykimin e rastit të njohur si “53-milionëshi”, Pal Lekaj, Nebih Shatri dhe Besim Tahiri, u deklaruan të pafajshëm lidhur me akuzat për keqpërdorim të detyrës lidhur me autostradën “Arbën Xhaferi”.

Në këtë rast, Pal Lekaj, në cilësinë e ministrit të Ministrisë së Infrastrukturës (MI), Eset Berisha, në cilësinë e këshilltarit të lartë politik i tij, Nebih Shatri, si sekretar i Përgjithshëm në këtë ministri dhe Besim Tahiri, si drejtor i Prokurimit Publik në MI, ngarkohen nga Prokuroria për keqpërdorim të detyrës zyrtare në bashkëkryerje, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Deklarimin e lidhur me fajësinë, tre të akuzuarit e bënë pasi që prokurori special, Atdhe Dema e ka elaboruar pjesën e përmirësuar të aktakuzës, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Nuk kam të bëj fare me atë që jam akuzu. Unë e konsideroj veten të pafajshëm plotësisht”, u deklarua Lekaj.

Të pafajshëm janë deklaruar edhe të akuzuarit Shatri dhe Tahiri. Ndërsa, deklarimin lidhur me akuzën nuk e ka bërë i akuzuari Berisha, pasi siç deklaroi ai, nuk e ka kuptuar atë.

Seanca vazhdoi me dhënien e fjalës hyrëse të palëve në procedurë, ku prokuroi Dema deklaroi se mbetet pranë fjalës hyrëse të dhënë në shqyrtimin e kaluar.

Pranë fjalës hyrëse nga shqyrtimi i kaluar, qëndruan edhe mbrojtësi i të akuzuarit Lekaj, avokati Musa Damati, mbrojtësi i të akuzuarit Shatri, avokati Florent Latifaj, mbrojtësi i të akuzuarit Berisha, avokati Afrim Salihu dhe mbrojtësi i të akuzuarit Tahiri, avokati Urim Vokshi.

Ndryshe, kryetarja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Albina Shabani-Rama ka refuzuar kërkesën për përjashtimin e kryetares së trupit gjykues, Violeta Namani-Hajra nga gjykimi i rastit të njohur si “53-milionëshi”, kërkesë kjo e parashtruar nga i akuzuari Eset Berisha.

Gjykata Themelore në Prishtinë më 31 janar 2024 i shpalli fajtorë dhe i dënoi me 10 vjet e 3 muaj burigm (së bashku): Pal Lekajn, Eset Berishën, Nebih Shatrin dhe Besim Tahirin për rastin e njohur si “53-milionëshi”.

Sipas aktgjykimit të Themelores, Pal Lekaj u dënua me 3 vite e 8 muaj burgim efektiv. Ndaj tij, gjykata shpalli edhe dënim plotësues, ndalimi i ushtrimit të funksionit publik në administratë publike ose në shërbimin publik në kohëzgjatje prej 3 vite e 6 muaj.

Nebih Shatri u dënua me 1 vit e 8 muaj burgim, kurse Besim Tahiri u dënua me 1 vit e 8 muaj burgim. Ndaj tyre u shpall edhe dënim plotësues, ndalim i ushtrimit të funksionit publik në administratë publike ose në shërbimin publik në kohëzgjatje prej 2 vitesh. Ndërsa, Eset Berisha u dënua me 3 vite e 3 muaj burgim.

Po ashtu, ndaj Berishës u shpall edhe dënimi plotësues ndalimi i ushtrimit të funksionit publik në administratë publike ose në shërbimin publik në kohëzgjatje prej 3 vitesh.

Por, Gjykata e Apelit e ka kthyer në rigjykim rastin ndaj Pal Lekajt, Eset Berishës, Nebih Shatrit dhe Besim Tahirit.

“Betimi për Drejtësi” kishte raportuar lidhur me përmbajtjen e vendimi të plotë të përpiluar nga Themelorja në Prishtinë, duke publikuar gjetjet e gjykatës nga mbrojtja e të akuzuarve dhe gjetjet nga deklaratat e dëshmitarëve. Po ashtu, edhe për gjetjet e Apelit.

Sipas aktakuzës së ngritur më 4 shkurt 2022 nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, Pal Lekaj, në cilësinë e ministrit të Ministrisë së Infrastrukturës (MI), Eset Berisha, këshilltar i lartë politik i tij, Nebih Shatri, si sekretar  i Përgjithshëm në këtë ministri, në bashkëveprim dhe me dashje edhe me të pandehurin Besim Tahiri, drejtor i Prokurimit Publik në MI, akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare me rastin e ndarjes së 53 milionë eurove për konsorciumin “Bechtel &Enka”, për ndërtimin e autostradës Prishtinë – Hani i Elezit apo e njohur ndryshe si autostrada “Arbën Xhaferi”. /BetimipërDrejtësi