Gjykata Themelore në Prishtinë ia ka vazhduar masën e paraburgimit edhe për dy muaj të tjerë të dyshuarës për spiunazh, Jellena Gjukanoviq.
Këtë për KALLXO.com e ka konfirmuar zëdhënësja e Gjykatës së Prishtinës, Mirlinda Gashi.
“Referuar kërkesës tuaj për informata, ju njoftojmë se pas kërkesës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës të datës 20.05.2025 për vazhdimin e masës së paraburgimit në çështjen penale kundër të pandehurës J. Gj. e dyshuar veprën penale Spiunazh, Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special, pas shqyrtimit të kërkesës më datë 26.05.2025 ka marr Aktvendim dhe ka aprovuar kërkesën e PSRK-së, ashtu që masa e paraburgimit të pandehurës J. Gj. i është vazhduar në kohëzgjatje prej 2 (dy) muaj, nga data 28.05.2025 deri më datë 28.07.2025”– thuhet në përgjigjen e Gashit
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës kishte njoftuar se pas zhvillimit të hetimeve disamujore, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës – Drejtorinë Kundër Terrorizmit dhe Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë, më 28.02.2025, në regjionin e Mitrovicës kishte arrestuar Gjukanoviqin për shkak të dyshimit të bazuar se në bashkëkryerje e ka kryer veprën penale – spiunazhi.
Gjykata Themelore në Prishtinë kishte caktuar masën e paraburgimit për herë të parë ndaj të dyshuarës Jellena Gjukanoviq.
Gjykata Themelore në Prishtinë përmes njoftimit kishte bërë të ditur se ekziston dyshimi i bazuar se Jellena Gjukanoviq, në bashkëkryerje ka kryer veprën penale të spiunazhit dhe se masa e paraburgimit i është caktuar për shkak të rrezikut se e ajo mund të ndikojë në prova dhe në dëshmitarë, si dhe mund të përsëris veprën e njëjtë penale ose mund të kryejë sërish vepra tjera penale në rrethana të njëjta ose më të rënda.
“Gjykata konsideron se pesha e veprës penale është e natyrës së rëndë, andaj caktimi i masës së paraburgimit është masë e domosdoshme në këtë rast penal dhe se çdo masë tjetër do të ishte e pamjaftueshme për zbatimin e suksesshëm të procedurës penale, pengimin e rrjedhës normale të kësaj procedure penale si dhe pengimin e përsëritjes së veprave penale” – thuhej në njoftimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë.
Misioni i OSBE-së në Kosovë ka thënë se e dyshuara për spiunazh në Mitrovicë, është anëtare e OSBE-së. Përmes një reagimi, OSBE-ja kishte thënë se janë në kontakt me përfaqësuesin e saj ligjor dhe po monitorojnë situatën.
“Ne jemi në kontakt me përfaqësuesin e tyre ligjor dhe po monitorojmë nga afër mirëqenien e tyre në përputhje me detyrën tonë të. Misioni është në kontakt si me institucionet përkatëse ashtu edhe me Sekretariatin e OSBE-së në Vjenë për të siguruar respektimin e procesit”- thuhej në reagim.