Gjykata e Apelit ka refuzuar ankesën e mbrojtësit të të dyshuarit Igor Popoviq, avokatit Millosh Deleviq, duke lënë në fuqi vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, me të cilin Popoviqit i është caktuar 30 ditë paraburgim, për nxitje të përçarjes dhe mosdurimit nën dyshimin se mbajti fjalim kundër UÇK-së.
Igor Popoviq, ndihmësdrejtor i të ashtuquajturës “Zyrë për Kosovë” në Qeverinë e Serbisë, ishte arrestuar më 19 korrik në pikën kufitare të Bërnjakut nën dyshimin për nxitje të përçarjes dhe mosdurimit, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Sipas vendimi të Apelit, shkalla e parë ka vepruar drejt kur ka caktuar paraburgimin, pasi që ekziston dyshimi i bazuar se Popoviq ka kryer veprën penale për të cilën dyshohet.
Apeli në vendim thekson se nga videoja shihet dhe dëgjohet teksa Popoviq mban fjalim në rajonin e Rahovecit, përmes të cilit mjaftueshëm krijohet dyshimi i bazuar se ka kryer veprën penale.
Gjithnjë sipas vendimit, Popoviq ka shtesësi të Serbisë dhe nëse i njëjti mbrohet në liri, do të ishte i pakapshëm nga institucionet e Kosovës për faktin se Republika e Serbisë nuk bashkëpunon me Republikën e Kosovës.
Apeli i ka dhënë të drejtë shkallës së parë lidhur me vendimin për caktimin e paraburgimit, me arsyetimin se nuk mund të justifikohet asnjë masë më e butë sesa ajo e paraburgimit ndaj Popoviqit.
“Betimi për Drejtësi” kishte raportuar lidhur me dosjen e Prokurorisë ndaj Popoviqit që dyshohet se me fjalimet e tij kishte nxitur publikisht urrejtje dhe mosdurim midis serbëve dhe shqiptarëve.
Sipas Prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri me dashje dhe dijeni, më 18 korrik 2025, rreth orës 12:00, në Rahovec, ju kishte drejtuar një mase të papërcaktaur të personave duke pasur në dijeni se fjalimi i tij përcillet nga mediat, me fjalimin e tij ka nxitur dhe përhapur publikisht urrejtje dhe mosdurim midis serbëve dhe shqiptarëve me fjalët me përmbajtjen – mënyrën që mund të prishë rendin publik.