Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, i ka kërkuar Feride Rushiti të tërhiqet nga kandidatura e saj për postin e presidentes.
Ai tha, nëse nuk tërhiqet, Rushiti “po bëhet pjesë e një procesi të montuar politikisht, i një procesi që është duke rrënuar rendin kushtetues”.
Më herët, edhe PDK-ja kërkoi tërheqjen e Rushitit nga gara për postin e presidentit.
Sipas Tahirit, mund të gjendet një zgjidhje për situatën e krijuar, por jo duke e imponuar atë mbi opozitën.
“Kjo qasje veç unifikuese nuk është, kjo qasje është përjashtuese”, tha Tahiri, duke i cilësuar si propozime arbitrare kandidatet e ofruara nga LVV-ja./REL/