E zeza e vetes - Gazeta Express
string(14) "e-zeza-e-vetes"

E zeza e vetes

Gazeta Express

27/03/2020 14:25

Askush nuk na ka faj pse jemi të papërgjegjshëm në një situatë serioze. Askush nuk na ka faj pse vetë i kemi votuar këta që janë në gjendje të rrezikojnë jetën e qytetarëve, në beteja politike. Askush nuk na ka faj që jemi e zeza e vetes.

Imer Mushkolaj

Lexo Edhe:

Përnjëmend nuk po kam përgjigje logjike në pyetjet që po m’i bëjnë ditët e fundit kolegë gazetarë nga vende të ndryshme se si ndodhi që qeveria e Kosovës të bie në mes të krizës më të madhe shëndetësore që ka njohur bota. Të kota ishin përpjekjet për t’ua shpjeguar se nuk ishte coronavirusi arsyeja pse LDK vendosi të thërrasë mocion mosbesimi për qeverinë, pjesë e të cilës ishte, por ishte kërkesa e SHBA’ve për ta hequr taksën. Nuk e arsyetonin kurrsesi, se si në një krizë të tillë të thirret mocion mosbesimi. Pyetnin a nuk ka mundur të shtyhet për disa javë, muaj, deri sa të kalojë pak kriza me virusin. A ishte aq urgjente që një veprim i tillë të merrej tash?

Njësoj si ata, po pyesin edhe qindra-mijëra qytetetarë të Kosovës, të cilët ka javë që po jetojnë në frikë se çfarë mund të sjell e nesërmja, në kohën kur rastet e të infektuarve me virus po rriten, kapacitetet në çdo fushë janë të limituara dhe shteti është i dobët për të menaxhuar situatën nëse del jashtë kontrollit.

Nuk ka papërgjegjësi më të madhe se qytetarët të braktisen nga ata, të cilët i kanë zjedhur t’i udhëheqin, në një situatë pandemie. Nuk ka asnjë arsyetim që mund të jetë më i rëndësishëm se jeta e njerëzve – e njerëzve që për dy dekada nuk iu është siguruar sigurim shëndetësor, e njerëzve të cilëve iu janë ofruar shërbime të duhura shëndetësore, për shkak se korrupsioni ka gërryer gjithçka, për shkak se milionat e shtetit në vend që të shpenzohen për blerjen e respiratorëve, ilaçeve dhe përmirësimin e kushteve nëpër spitale, kanë përfunduar në xhepa politikanësh e biznesmenësh të afërt me ta.

Partitë në koalicionin qeveritar nuk mund të mbahen bashkë me zor dhe është e drejtë e tyre që ta prishin qeverinë, ashtu siç janë marrë vesh për ta ndërtuar. Por, nuk ka gjë më të poshtër se vendimi të merret në këtë situatë të vështirë. Gjihçka mund të presë, por jo edhe shpëtimi i jetës së njerëzve.

* * *

 Në të njëjtën kohë ku përpiqesha t’iu jepja përgjigje të interesuarve se çfarë po ndodh në Kosovë, qytetarë nga komuna të ndryshme më dërgonin fotografi turmash me njerëz, të cilët kishin vërshuar rrugë e markete pas orës katër, kur hiqet kufizimi i lëvizjes. Kolona të gjata automjetesh gjithandej vendit, tollovi nëpër markete, shumica pa dorëza e maska, në përpjekje për t’u furnizuar me ushqime.

Secili e di se nuk është e lehtë të rrish në shtëpi, aq më pak kur mijëra vetë që punojnë në sektorin privat nuk e dinë se si do t’ia dalin, pasi shumë nga ta nuk do të marrin pagë në fund të muajit. Por, është e domosdoshme të respektohen rregullat e vëna nga autoritetet. Vetëm duke i respektuar rregullat qytetarët ndihmojnë veten, personelin shëndetësor dhe të gjithë të jerat që po përkujdesen për rend e rregull në këto ditë të vështira.

Nuk mund të kuptoj se si dikush, i rritur e i vetëdishëm, mund të bëhet pjesë e turmave pa pasur shumë nevojë. E kuptojmë të gjithë se ka nevojë për furnizim me ushqime e ilaçe, por jo domosdoshmërisht duhet të dalin të gjithë, nga dy e tre prej një familjeje, që të furnizohen. Duhet kuptuar se nuk bëhet fjalë për shoping, për për plotësim nevojash elementare.

Nuk e di se si këtyre njerëzve nuk iu lënë aspak përshtypje pamjet e tmerrshme nga Italia dhe Spanja, ku mijëra vetë vdesin çdo ditë, ku të moshuarit lihen të vdesin për shkak se mjekët nuk kanë respiratorë të mjaftueshëm, ku është infektuar një pjesë e madhe e personelit shëndetësor, duke kolapsuar sisteme shtetesh shumë më të fuqishme e me më shumë kapacitete menaxhimi se ne.

Dikush mund të thotë se pse të jenë të përgjegjshëm qytetarët, kur nuk janë të tillë shumica e politikanëve. Me këtë logjikë, qytetarët nuk do të kujdeseshin fare për vete, për shkak se vazhdimisht, në dy dekadat e fundit, shumica e politikanëve kryesisht janë kujdesur për veten e të vetët. Nuk ka asnjë arsye që në një situatë serioze të tregohet papërgjegjësi nga qytetarët, edhe pse klasa politike po tregohet e tillë.

* * *

Askush nuk ka faj pse jemi të papërgjegjshëm në një situatë serioze. Askush nuk na ka faj pse vetë i kemi votuar këta që janë në gjendje të rrezikojnë jetën e qytetarëve, në beteja politike. Këta që më të rëndësishëm e shohin interesin e vet dhe të grupeve te veta, sesa interesin e qytetarëve. Askush nuk na ka faj që jemi e zeza e vetes.