E vërteta, apatia dhe cinizmi - Gazeta Express
string(28) "e-verteta-apatia-dhe-cinizmi"

OP/ED

Gazeta Express

22/07/2025 15:33

E vërteta, apatia dhe cinizmi

OP/ED

Gazeta Express

22/07/2025 15:33

Shkruan: Ben Andoni

Beteja e radhës ndaj informalitetit e ka treguar kryeministrin Rama si të papërballueshëm në aksionet e tij të befta. Bash në stinën më të vështirë të vitit, kur pjesa më e madhe njerëzve ulin impenjimet e përditshme dhe kërkojnë prehjen për të përballur pjesën tjetër të vitit; ashtu si një pjesë tjetër e vogël që biznesin e vet e ka ngritur mbi turizmin dhe shërbimin është konfrontuar me një fushatë që në thelb është e drejtë, por që në kohën kur bëhet dhe nga mënyra sesi e kanë ushqyer dhe toleruar mekanizmat administrativë dhe institucionet e terrenit të kontrollit dhe certifikimit është e lodhshme dhe absurde. Opozita ka rezistuar dobët kurse mungesa e idesë sesi ata do të përballeshin ata në këtë rast me informalitetin i ka bërë palë të dështuar. Në këtë fillimjavë të javës së tretë të korrikut, gjërat janë fashitur, përveç kërcënimeve alla mafia që nuk mbarojnë. Pronarët kanë nisur t’i çmontojnë vetë impiantet e tyre; njerëzit e bulmetit po shikojnë se çdo bëjnë me realitetet e reja; në plazhe, pronarët po kujdesen të jenë “korrekt”, paçka çmimeve të lodhshme dhe shërbimit që me sa duket ne nuk i kapim dot standardet. Qytetari tjetër shqiptar, pa këto “andralla” pret vitin, mbijetesën dhe përballjen me institucionet. Kudo flitet për të vërtetën dhe rregullin. E shpreh dhe e ushtron si vullnet Rama, e kërkon Berisha, e mëtojnë banorët e Thethit dhe ngado. Cila është e vërteta dhe për cilën të vërtetë flasim?! Kjo ka qenë dilema e banorëve të Thethit këto ditë dhe e shqiptarit zakonisht para institucioneve të tij. Ku ishin moria e këtyre njerëzve të inspektorateve para kundravajtjeve, po drejtorët që japin dorëheqje njëzëri pa bërë dhe mbrojtjen më të vogël të tagrit, ku është plani i zhvillimit të vendit?!

Në fakt, e vërteta vazhdimisht paragjykohet, pasi ndryshe e shikojmë në jetën e përditshme, ndryshe në histori dhe krejt tjetër në shkencë. Një gjë është e sigurt, sidomos në Shqipëri, se nuk e kemi perceptuar kurrë si duhet, kurse historia vazhdimisht dhe në momentet më të rëndësishme na tregon se e vërteta modifikohet. Në shkencë, ajo mbijeton më shumë, ndaj vendet më të përparuara, logjikën e çojnë drejt racionalitetit dhe si pasojë zhvillimi i tyre është më solid, ashtu si administrata dhe inspektoratet homologe me ne nuk rrinë si pemë kur u kërkohet llogari. Qoftë kushdo autoritet, qoftë personazhe si Rama përballë dhe qofshin akuzat e shumta të opozitës sonë, që tashmë duket krejt në drejtim të paditur. Një nga autorët më të mirë të kohës sonë, shkrimtari spanjoll Javier Cercas Mena, e zbërthente shumë thjeshtë konceptin e të vërtetës në intervistën me gazetarin e njohur grek Anteos Hrisostomidhis. Autori i “Ushtarëve të Salaminës” shprehej lidhur me të se: nëse do merremi thjesht me ekzistencën e një të vërtete atëherë “…kjo duhet të jetë shuma e gjithë varianteve të realitetit. Kjo mund të vlejë për Historinë, por nuk mund të vlejë ama për moralin: ekziston një larmi tejet e madhe të vërtetash morale. Atje, nuk kemi vetëm një të vërtetë, por shumë syresh”.

Kjo është dilema e madhe sot, nëse duhet të jemi me të vërtetën që përballin institucionet; atë që e dikton morali; atë që kërkon opozita; apo atë ‘sublimen’ që na e përcjell Rama. Individi shqiptar jo vetëm po dobësohet prej vetes dhe makutërisë së një pjese të administratës por nuk mbledh dot veten nga këto “ndryshime” të befta për të pasur një ide afatgjatë zhvillimi në kokë. Kujto këtu edhe amullinë që përcollën një pjesë e njerëzve të opozitës si Noka, Vokshi, Alizoti, Shehu, Boçi, kudo që shkonin kur flisnin për spastrime, anulime dhe masa. Fushata që Rama po i bën sipas mënyrës së tij, ku pushteti i majtë i të cilit duket si një koperturë e një të djathte shumë agresive që do t’ia kishte zili me të drejtë PD-ja, nëse do të arrinte ndonjëherë në pushtet. Larg këtyre, është e lodhshme goditja e njerëzve më të dobët dhe të pambrojturve dhe liria e një grupi të vogël që nuk i hyn kurrë gjembi në këmbë. Dhe, realiteti “i barazisë” relative te ne është tregues: Në raportin vjetor të Agjencisë së Sigurimit të Depozitave, depozituar dhe publikuar nga Kuvendi i Shqipërisë, tregojnë se në 7 përqindëshin e depozitave të të pasurve gjenden 7.4 miliardë euro ose 58% e të gjitha depozitave të individëve në sistemin bankar, ndërsa në 93 për qind të depozitave të tjera gjenden 42% e kursimeve totale ose 5.34 miliardë euro.

Reagimi dhe bindja që po ndodh duket normal në kohën tonë, veç atyre të tipit mafioz në Shkodër. Nga ana tjetër, qytetari shqiptar është bërë cinik, sepse sheh një sistem të manipuluar dhe e kupton se asgjë nuk është më e dedikuar për të. Media po përball dhe interviston shumë individë që e tregojnë hapur këtë paradoks, ku njerëzit janë të lodhur nga ndjenja e pafuqisë. E moshuara e Vlorës që pak ditë më parë, rendte të takonte Ramën e dinte se vetëm tek ai mund të gjendej një përgjigje, pasi sistemi i krijuar prej tij është shurdh dhe ironik me të varfrit. Në masë shqiptari po e përdor cinizmin si një mjet mbrojtës para ndjenjës sonë dërrmuese të pafuqisë. Në literaturë, cinizmi trajtohet si një shtresë mbrojtëse psikologjike që na pengon të ngjallim shpresat tona dhe zhgënjimin që vjen pas. Aq vetë-shkatërrues sa është e bën sot ikjen masive të shqiptarit dhe humbjen e besimit në fasha të gjëra të shoqërisë. Cinizmit të shoqërisë i shtohet pjesa apatike dhe papërgatitja për ndryshim dhe mungesa e informimit të duhur politik. Zgjedhjet e fundit të përgjithshme e treguan më së miri këtë. Anthony Downs në artikullin e tij të njohur të vitit 1957: “Një Teori Ekonomike e Demokracisë” shkon më tej dhe e shikon këtë në lënien në terr të njerëzve dhe mënyrën e trajtimit të tyre me rastin e vendit të tij SHBA-së. “Meqenëse ka shumë të ngjarë që asnjë zgjedhje të mos jetë aq e ngushtë sa ta bëjë vendimtare votën e ndonjë personi të vetëm, ose votat e të gjithë atyre që ai mund të bindë të bien dakord me të, rrjedha racionale e veprimit për shumicën e qytetarëve është të mbeten të painformuar politikisht”. Media dhe aktorë të ndryshëm interesi, përfshirë vetë politikën gjenden përballë një publiku ku cinizmi dhe apatia është mjet mbrojtës që i bën të mos informohen më para një sistemi që nuk i pyet dhe mbahet me bekimin e dy forcave kryesore. Në shoqëritë e sotme nuk duket më as në horizont ndonjë mënyrë që ne, si shqiptarë të punojmë së bashku për të arritur çka është në interesin tonë kolektiv, secili prej nesh sillet në mënyrë “racionale” dhe për këtë arsye saboton veten kolektivisht. Sjellja me turizmin, shërbimet, administrata, mungesa e rregullave po na dëmtojnë të gjithëve. Themi se sjellja racionale na dëmton, duke mbështetur arsyetimin e Downs, pasi njerëzit po shkëputen nga sistemi ynë politik dhe votojnë me një logjikë të ngushtë dhe të deformuar. Kjo i bën që të zgjedhim deputetë, kryetarë bashkie dhe drejtorë që dorëhiqen me një fishkëllimë dhe njerëz që janë pa zë dhe pa shtyllë. Ndërkohë, kinse kontrolli i institucioneve dhe demokracia alla shqiptare vetëm sa po rrit pushtetin e atyre që janë tashmë në krye. Dhe, rasti i Ramës po e tregon këtë përballë të vërtetave, cinizmit dhe vetë apatisë…që e ka kapluar shoqërinë tonë.