Tetë ditë pas aktit monstruoz të rrëmbimit, mbytjes dhe hedhjes në liqen të trupit të Renis Dobrës, janë identifikuar autorët, ku dy prej tyre kanë rënë në pranga, ndërsa dy të tjerë janë shpallur në kërkim.
Bëhet fjalë për Petrit Çakrrin, një emër jo pak i njohur prej më shumë se dy dekadash dhe tre vëllezërve, të gjithë nga Tropoja. Kryepolici i Dibrës, me kryeprokurorin dhe prokuroren e çështjes dolën dje para kamerave të mediave lokale dhe dhanë detajet e operacionit të vështirë të zbulimit të autorëve të vrasjes makabre të Renisit.
Ata treguan dinamikën e punës hetimore, dhanë pak informacion në lidhje me faktimin e pranisë së të akuzuarve në krim, treguan se viktima ishte pjesë e një grupi kriminal në Gjermani dhe se autorët e kishin vrarë të riun për sherret në lidhje me shpërndarjen e lëndëve narkotike.
Po ashtu, në deklaratën e gjatë për punën zbuluese të krimit të rëndë, policia mohoi që autorët të kenë qenë të veshur me uniforma policia, përkundër dëshmisë së dhënë nga kushëriri i viktimës, i cili në fakt dha edhe alarmin se Renisin e kishte ndaluar policia. Madje, ka qenë ky detaj që ka vënë në lëvizje shumë shpejt të atin e djalit të rrëmbyer, që solli edhe mundësinë që autorët të nxitonin e të gabonin për të lënë gjurmë ngado, që jo vetëm të gjendej trupi i Renisit dhe familja ta kishte një varr ku ta qante, por madje edhe të identifikoheshin dhe të viheshin në pranga.
Referuar të dhënave zyrtare është mësuar se autorët e krimit të llahtarshëm kanë lëvizur me mjete të marra me qira, të cilat kanë qenë nën kontrollin e pikës ku janë marrë, një tjetër element që ndihmoi hetimin të shkonte te grupi i Petrit Çakrrit, i cili vetë i katërti sulmoi një djalë vetëm 23 vjeç, duke e rrëmbyer, mbytur dhe duke tentuar ta zhduknin në fundin e liqenit të Shkopetit. Për të realizuar zbardhjen e plotë të krimit, policia e Dibrës ka pasur mbështetje nga skuadra të posaçme të Policisë së Shtetit, ku bëhet me dije se Fation Bushkolaj është ndaluar në zonën e Astirit, nga Komisariati nr. 6, e po ashtu bashkë me të janë shoqëruar edhe 4 persona të tjerë, mes tyre edhe një femër.
Po ashtu Çakrri, i cili ka ndryshuar mbiemrin në Hoxha, është prangosur në Golaj të Kukësit, ndërsa dy djemtë e tjerë të familjes Bushkolaj dyshohet se janë larguar nga Shqipëria, ndonëse janë ushtruar me dhjetëra kontrolle në dhjetëra banesa, vendstrehime dhe kudo ku policia ka pasur informacion për lëvizjen e tyre
OPERACIONI I POLICISË
Referuar të dhënave zyrtare të policisë mësohet se tre vëllezërit Bushgjoka, që rezultojnë të jenë të njohur për Policinë, dyshohet se në bashkëpunim me njëritjetrin kanë organizuar rrëmbimin dhe vrasjen e 23-vjeçarit Dobra. Bëhet fjalë për Fationin, 31 vjeç, Kristin 29 vjeç dhe Aleksandrin 24 vjeç, ku në bashkëpunim me ta ka dalë edhe Petrit Çakrri, 55 vjeç, i njohur që në kohën e atentatit kur iu mor jeta Azem Hajdarit.
Policia bëri me dije se, “nga hetimet e thelluara të kryera nga grupi i posaçëm hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, rezultoi se më datë 08.07.2025, rreth orës 22:10 në fshatin Zenisht, Burrel, shtetasi R. D. është marrë peng dhe me pas është vrarë, nëpërmjet strangulimit (mbytjes me litar). Autorët, pas vrasjes, e kanë hedhur automjetin e 23- vjeçarit bashkë me trupin e pajetë të tij, me qëllim që të binin në liqenin e Ulzës. Gjatë rënies, trupi i 23-vjeçarit ka mbetur pranë sektorit “C”, pa rënë në liqen, ndërsa automjeti ka rënë në liqen, ku dhe u gjet.
Nga informacionet e siguruara rezulton se 4 shtetasit që kanë marrë pjesë në vrasjen e 23-vjeçarit, nuk kanë qenë të veshur me uniformë policie, si dhe nuk kanë përdorur asnjë logo apo automjet të policisë. 23-vjeçari ka qenë i dënuar në Gjermani, për shpërndarje të lëndëve narkotike, në kuadër të grupit të strukturuar kriminal. Ai dyshohet se me 4 shtetasit e lartpërmendur, autorë të dyshuar të vrasjes, ka pasur mosmarrëveshje që lidhen për veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve.
Gjatë periudhës hetimore dhe veprimeve operacionale u sekuestruan 20 celularë, 7 automjete, një shumë eurosh, një sasi lënde narkotike kokainë, si dhe prova të tjera të cilat do t’i shërbejnë hetimeve. Ndërkaq, në lidhje me ngjarjen, Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale e Policisë së Shtetit ka shoqëruar në ambientet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, Tiranë, 4 shtetas të tjerë, për të cilët po kryhen hetime intensive për të përcaktuar dhe individualizuar përgjegjësinë penale”.