Ruben Amorim ka identifikuar dy objektivat kryesorë të merkatos këtë verë.
Manchester United ka identifikuar dy sulmuesit që do të synojë pas dështimit për të nënshkruar me Viktor Gyokeres.
Ashtu si disa prej rivalëve të tyre në Premier League, United ka qenë aktivisht në kërkim të një sulmuesi të ri gjatë kësaj merkatoje verore në prag të sezonit të ardhshëm.
Disa lojtarë janë lidhur me një kalim të mundshëm te Old Trafford në javët e fundit, përfshirë edhe Gyokeres-in shumë të vlerësuar, i cili ka punuar më parë me trajnerin aktual të United, Amorim, te ish-klubi i tij, Sporting.
Megjithatë, pavarësisht përpjekjes për ta rrëmbyer në momentet e fundit, duket se Gyokeres ka refuzuar ish-trajerin e tij për të nënshkruar në vend të kësaj me Arsenalin.
Për rrjedhojë, United duhet të përqendrohet tashmë tek emra të tjerë që besohet se janë të disponueshëm në merkato, dhe duket se tashmë kanë përzgjedhur dy objektivat kryesorë.
Pavarësisht se kanë nënshkruar më parë me Joshua Zirkzee dhe Rasmus Hojlund për një shifër të kombinuar prej 108 milionë paund në sezonet e fundit, është e qartë se United ka ende nevojë për një sulmues të ri për të udhëhequr repartin ofensiv.
Dhe sipas gazetarit të Sky Sports Germany, Florian Plettenberg, United i ka identifikuar Benjamin Sesko dhe Nicolas Jackson si opsionet më të mira për rolin e sulmuesit të qendrës.
Ashtu si Gyokeres, edhe Sesko është përmendur prej kohësh si objektiv i disa skuadrave të Premier League, përfshirë Arsenal dhe Liverpool, që raportohet se kanë shprehur interes për yllin e RB Leipzig.
Por me Arsenalin dhe Liverpool-in që kanë përfunduar tashmë marrëveshjet përkatëse për Gyokeres dhe Hugo Ekitike, duket se slloveni do të duhet të shohë mundësi të tjera nëse dëshiron të kalojë në elitën angleze.
United mund të jetë opsioni perfekt për Sesko, por kjo nuk do të thotë se marrëveshja do të jetë e lehtë, pasi Sesko mund të qëndrojë te Leipzig nëse nuk mbërrin një ofertë e përshtatshme.
Dhe nëse bëhet e qartë se ai mund të jetë i disponueshëm për një çmim të arsyeshëm, Plettenberg beson se edhe Chelsea mund të hyjë në garë për firmën e Sesko, pavarësisht se londinezët kanë nënshkruar tashmë me dy sulmues këtë verë.
“Tashmë ka shumë lëvizje prapa skenave për sulmuesin e RB Leipzig, Benjamin Sesko, por mund ta imagjinoj që ai të qëndrojë këtë verë nëse nuk ka ofertë të duhur,” tha Plettenberg për Sky Sports.
“Nuk mund ta përjashtoj interesin e mundshëm të Chelseat, ndaj të shohim se çfarë do të ndodhë në dy apo tre javët e ardhshme me Sesko.”
Përveç Sesko, sulmuesi i Chelsea-t, Nicolas Jackson, që nuk është në planet e klubit, besohet të jetë objektivi tjetër kryesor i United, pasi ka lënë përshtypje të mira tek skautët me 10 gola në 30 ndeshje të Premier League sezonin e kaluar.
Me Liam Delap dhe Joao Pedro që janë bashkuar me skuadrën e Enzo Maresca këtë verë, përpara triumfit të Chelsea-t në Botërorin e Klubeve, besohet se Jackson mund të jetë i disponueshëm për një çmim më të ulët këtë verë.
Nëse kjo ndodh, United pritet të shtojë interesin për përfaqësuesin e Senegalit përpara ndeshjes hapëse të sezonit kundër Arsenalit.
“Ka bisedime me klube të interesuara dhe është e kuptueshme që Man Utd po synon Sesko, ai është një nga dy kandidaturat për rolin e tyre të ri si sulmues qendre dhe tjetri është Nicolas Jackson,” tha Plettenberg.