E pranon agjenti i Januzajt: Jemi në bisedime me Romën - Gazeta Express
string(53) "e-pranon-agjenti-i-januzajt-jemi-ne-bisedime-me-romen"

E pranon agjenti i Januzajt: Jemi në bisedime me Romën

Gazeta Express

24/01/2020 13:56

Agjenti i Adnan Januzajt e ka pranuar se është në bisedime me përfaqësues të Romës për ta diskutuar mundësinë e një transferimi gjatë këtij muaji nga Real Sociedadi. Ai shtoi se shpreson që marrëveshja të arrihet brenda ditëve të ardhshme.

Sipas disa mediumeve të ndryshme në Itali – Sportitalia, Sky Sports Italia, Calcio Mercato – një delegacion i zyrtarëve të klubit verdhekuq ndodhen në Spanjë sot për negociatat me Real Sociedadin, transmeton Gazeta Express.

Lexo Edhe:

Futbollisti vlerësohet 12 deri në 15 milionë euro dhe dy palët duhet të vendosin sot se çfarë përqindje e kësaj shume do të paguhet për huazimin dhe pastaj çfarë përqindje do të lihet për opsionin për blerje.

“Ne jemi në kontakt me Romën. Jemi duke i vlerësuar kushtet e ofertës, që mund të jetë huazim me opsion për blerje. Tani shpresojmë ta përfundojmë gjithçka brenda pak ditëve”, tha Dir de Vriese.

Roma është në kërkim të Januzajt, pasi që i duhet një zëvendësues për Nicolo Zaniolon, i cili do të mungojë për pjesën e mbetur të sezonit, pasi që i ka këputur ligamentet e gjurit dhe e ka dëmtuar meniskusin.

Januzaj do t’i mbushë 25 vjeç këtë muaj dhe ai ka qenë i përfolur edhe për një transferim të mundshëm në Milan. Megjithatë, kuqezinjtë mund ta transferojnë atë vetëm nëse e shesin Suson fillimisht.

Kontrata e belgut me origjinë nga Kosova, Januzajt, me Real Sociedad do të skadojë në qershor të vitit 2022 dhe ai ka qenë pjesë e klubit spanjoll që nga vera e vitit 2017, kur u transferua nga Manchester Unitedi për 8.5 milionë euro.

Deri më tani këtë sezon, Januzaj ka kontribuar me katër gola dhe katër asiste në 13 paraqitjet e tij nëpër ndeshje të La Ligës dhe Kupës së Mbretit. /Gazeta Express/