Po shënohet dita e gjashtë prej kur Ukraina u sulmua nga Rusia, ndërsa ukrainasit nuk po e dorëzojnë vendin e tyre. Rusia është bërë edhe më agresive në 24 orët e fundit. Ka sulmuar veçanërisht kryeqytetin Kyiv dhe Kharkiv. Më poshtë gjeni të gjitha ngjarjet e ditës së sotme lidhur me Ukrainën.
[21:26] 80 mijë ukrainas që jetojnë jashtë vendit u kthyen për të luftuar në atdhe
Ministria e Brendshme e Ukrainës ka thënë se 80 mijë ukrainas janë kthyer nga jashtë vendit që të luftojnë për liri kundër agresorit rus.
Këta njerëz janë kthyer prej momentit kur Rusia filloi fushatën e pushtimit të Ukrainës.
Kështu bën të ditur the Kyiv Independent në një shkrim.
“80,000 ukrainas u kthyen nga jashtë që kur Rusia filloi pushtimin”, shkruan në Twitter.
“Sipas Ministrisë së Brendshme, e cila citon Shërbimin Shtetëror të Rojës Kufitare, shumica dërrmuese e këtyre shtetasve ishin burra që u bashkuan në radhët e Forcave të Armatosura dhe formacioneve të tjera ushtarake”, thuhet tutje.
[19:47] Ministri i Jashtëm i Ukrainës Dmytro Kuleba i kërkoi homologut të tij kinez në një telefonatë të martën që të përdorë lidhjet e Pekinit me Moskën për të ndaluar pushtimin ushtarak të Rusisë ndaj fqinjit të saj, tha në një deklaratë ministria e jashtme e Ukrainës.
Sipas deklaratës, Ministri i Jashtëm i Kinës Wang Yi i tha Kuleba se Pekini ishte i gatshëm të bënte çdo përpjekje për të ndihmuar në përfundimin e luftës përmes diplomacisë.
Kina, e cila është afruar më shumë me Moskën vitet e fundit, ndërkohë që ka pasur gjithashtu lidhje të përzemërta diplomatike dhe lidhje të forta tregtare me Ukrainën, ka refuzuar të dënojë sulmin e Rusisë ndaj vendit ose t’i quajë veprimet e saj atje një pushtim.
Telefonata mes të dyve është e para që raportohet që nga sulmi i Rusisë ndaj fqinjit të saj të enjten e kaluar. Ajo u iniciua nga Kuleba, sipas ministrisë së jashtme të Kinës.
Wang përsëriti thirrjen e Kinës për një zgjidhje të krizës përmes negociatave, duke thënë se ajo mbështet të gjitha përpjekjet ndërkombëtare që mund të ndihmojnë në arritjen e një zgjidhjeje politike, tha ministria e jashtme kineze në një deklaratë.
[19:43]- Nesër takimi i dytë Rusi-Ukrainë sipas mediave ruse, Ukraina nuk e konfirmon
Mediat ruse kanë raportuar se takimi i dytë mes përfaqësuesve ukrainas dhe rusë, do të mbahet nesër. Por, sipas asaj që shkruan CNN, takimi duhet të konfirmohet edhe nga pala ukrainase.
Agjencia ruse e lajmeve TASS, ka cituar sot një burim të afërt me palën ruse, që thotë se e mërkura e 2 marsit, është data për të cilën të dyja palët janë dakorduar për takimin e dytë.
Po ashtu, edhe agjencia tjetër e lajmeve RIA, ka raportuar për këtë takim, i cili parashihet të mbahet në Bjellorusi, afër kufirit me Poloninë. Agjencia e ka cituar politikanin rus Yuri Voskresensky, i cili është i informuar dhe i afërt me zhvillimet.
Sipas tij, anëtarët e parë të të dyja delegacioneve do të mbërrijnë në kryeqytetin bjellorus, Minsk, këtë mbrëmje, transmeton Gazeta Express.
Takimi i parë që u mbajt këtë të hënë, ka zgjatur për pesë orë dhe ka përfunduar pa ndonjë marrëveshje konkrete për të zbutur tensionet apo për të arritur armëpushimin.
Në fakt, sulmet nga armata ruse vetëm sa janë intensifikuar që nga e hëna, duke e rritur ndjeshëm numrin e civilëve të vrarë.
[19:00] Rusia sulmon Babyn Yar, vendin përkujtimor të Holokaustit
Shefi i Shtabit të Presidentit ukrainas, Andriy Yermak ka njoftuar se Rusia ka goditur vendin përkujtimor të Holokaustit, ku në vitin 1941 Gjermania naziste kreu një masakër të popullsisë hebreje të Kievit.
Yermak ka thënë se ‘këta zuzar po vrasin viktimat e Holokaustit për herë të dytë’, shkruan The Kyiv Independent, transmeton Gazeta Express.
“Është në këtë kohë që një sulm i fuqishëm me raketa është duke u zhvilluar në territorin ku ndodhet kompleksi memorial Babin Yar! Këta zuzar po vrasin viktimat e Holokaustit për herë të dytë”, tha ai.
[18:13]Pesë të vdekur nga bombardimi i antenës së televizioneve në Kiev
Pesë persona kanë mbetur të vdekur pas një sulmi rus mbi një kullë televizive në kryeqytetin e Ukrainës, Kiev, shkruan The Guardian, transmeton Gazeta Express.
Dy shpërthime u dëgjuan në zonat Borshchahivka dhe Dorohozhychi, me pesë persona të vdekur dhe pesë të tjerë të plagosur, tha agjencia e lajmeve Interfax-Ukraine.
[17:32] Rusia intensifikoi sulmet me aeroplanë, Zelinskiy i drejtohet NATO’s
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskiy, ka kërkuar nga NATO-ja që ta vendosë një zonë të ndalim-fluturimit për forcën ajrore ruse.
Zelinskiy ka thënë se Rusia duhet të ndalojë bombardimet e qyteteve ukrainase përpara se të fillojnë bisedimet kuptimplota për një armëpushim, raporton Reuters.
[17:22] Ministri ukrainas i Mbrojtjes: Shumë nga ata që do ta pushtonin Kyivin për 2-3 ditë, tash janë në ferr
Ministri ukrainas i Mbrojtjes, Oleksii Reznikov pasi kryesoi dje delegacionin e Ukrainës në bisedimet me Rusinë është kthyer menjëherë në vendin e tij, duke u ribashkuar me të tjerët në mbrojtjen e vendit.
Ai po i motivon ushtarët e tij edhe pas 128 orësh luftime në mbrojtje të vendit. “Shumë nga ata që prisnin ta pushtonin Kievin për 2-3 ditë tashmë janë në ferr. Le t’i mbajmë armët fort! Vazhdojmë rezistencën! Lavdi Ukrainës!”, ka shkruar ai në një postim në Facebook, ku i ka publikuar disa fotografi
[17:21] Ukraina jep alarmin: Bjellorusia ka stacionuar 300 tanke, do t’i bashkohet Rusisë në luftë
Inteligjenca ukrainase njofton se sipas të dhënave të saj, Bjellorusia ka vendosur 300 tanke në kufirin me Ukrainën të gatshëm për t’u futur në luftë.
Sipas inteligjencës së Ukrainës, Rusia po planifikon një provokim të ri për të justifikuar futjen e trupave ushtarake të Bjellorusisë në luftë.
[17:06] Pas vrasjes së disa ushtarëve të tij, Kadyrovi i Çeçenisë deklarohet publikisht
Lideri çeçen pro-Putinit, Ramzan Kadyrov, ka pranuar humbjet në radhët e ushtrisë së tij gjatë luftimeve në Ukrainë.
Për herë të parë, Kadyrov ka pranuar publikisht vrasjen e dy ushtarëve dhe plagosjen e gjashtë të tjerëve, shkruan CNN.
“Fatkeqësisht, ka humbje në radhët e bashkëvendasve të Republikës së Çeçenisë. Dy kanë vdekur dhe gjashtë të tjerë janë lënduar”, ka shkruar ai.
[16:43] Publikohet harta që tregon zonat ku rusët po sulmojnë në Ukrainë
Në Ukrainë vijon sot dita e gjashtë e luftimeve, pasi Vladimir Putin vendosi më 24 shkurt të pushtojë vendin, duke cenuar sovranitetin e një shteti të pavarur.
Kolona të gjata me mjete luftarake të Rusisë u publikuan sot në mediat e huaja, teksa tregonin se po futeshin drejt Kievit, raporton BBC.
Ndërsa, së fundmi Ministria e Mbrojtjes Britanike ka publikuar hartën, që tregon zonat ku rusët po sulmojnë në Ukrainë.
Për të shikuar hartën, kliko KËTU.
[16:43] Qytetet e mëdha në flakë, por si është gjendja në zonat rurale të Ukrainës
Korrespondenti diplomatik i BBC, Paul Adams ka treguar se sa po zgjat rrugëtimi i civilëve ukrainas drejt Moldavisë, pas fillimit të luftës në Ukrainë, shkruan Gazeta Express.
Sipas tij vetëm dje, dalja nga Kievi për në Moldavi ka zgjatur nëntë orë. E udhëtimi ka përshkruar 250 milje nga Ukraina Lindore.
Përmes një shkrimi ai pohoi se forcat ruse i kanë kushtuar pak vëmendje pjesës rurale të vendit, e kryesisht nga pjesa perëndimore.
[16:36 ] Rusia ka nisur t’i bombardojë edhe shtëpitë afër Kievit, një burrë mbetet nën rrënoja
Forcat ruse kanë vazhduar bombardimet në disa qytete të Ukrainës, ndërsa siç duket, më nuk kursehen as vendbanimet me civilë.
Disa fotografi të publikuara nga autoritetet ukrainase dëshmojnë për një bombardim pranë disa shtëpive, përcjell Gazeta Express.
Si pasojë e bombardimeve, është shkatërruar një shtëpi dhe po kërkohet një burrë i cili ka mbetur nën rrënoja, njoftojnë autoritetet vendase.
Për të shikuar fotografinë, kliko KËTU.
[16:36] Rusia kryen sulmin e paralajmëruar, bombardon antenën e televizioneve në Kyiv
Gazeta ukrainase “The Kyiv Indepedent” ka raportuar se para pak minutave Rusia ka bombarduar antenën e televizioneve në kryeqytetin e Ukrainës, raporton Express.
Siç shkruan gazeta ukrainase, televizionet ukrainase kanë ndaluar se punuari disa minuta më herët.
Edhe gazetari ukrainas Ilia Ponomarenko ka publikuar pamjet e këtij sulmi të Rusisë, duke thënë se Rusia po tenton të ndërprejë komunikimin në Ukrainë.
Për të shikuar pamjet, kliko KËTU.
[15:52] Shkëmbime të pengjeve të luftës: Ukraina ia jep Rusisë një oficer të zënë rob, i merr 5 ushtarë
Në rajonin verilindor të Ukrainës, Sumy, u bë shkëmbimi i parë i pengjeve të luftës.
Ukraina shkëmbeu një oficer rus të kapur me pesë luftëtarë nga forcat e mbrojtjes së Ukrainës, tha guvernatori Dmytro Zhyvytskyy me një postim në rrjetet sociale.
Ai shtoi se ishte shkëmbimi i parë i tillë në zonë, raporton Reuters, transmeton Gazeta Express.
Dmytro Zhyvytskyy postoi një video të një burri me flokë bjonde në pranga dhe të veshur me një xhaketë kamuflazhi të gjelbër, duke thënë se ka lindur në vitin 1997 në qytetin rus Omsk. Ai tha gjithashtu se po merrej për t’u shkëmbyer me luftëtarë ukrainas.
[15:29] Ushtria ruse paralajmëron sulme kundër objekteve në Kyiv
Ushtria ruse tha të martën se do të kryejë sulme kundër objekteve në Kyiv, duke paralajmëruar civilët që jetojnë pranë zonave të largohen, raporton CNN, përcjell Gazeta Express.
Rusët do të synojnë Shërbimin e Sigurisë të Ukrainës dhe Qendrën e 72-të kryesore për Informacionin dhe Operacionet Psikologjike në Kyiv, tha ministria ruse e mbrojtjes në një deklaratë të martën përmes agjencisë shtetërore ruse të lajmeve TASS.
“Për t’i shtypur sulmet e informacionit kundër Rusisë, objektet teknologjike të SBU dhe qendra kryesore e 72-të PSO në Kyiv do të goditen me armë të precizionit të lartë”, thuhet në deklaratë, sipas TASS. “Ne u bëjmë thirrje qytetarëve ukrainas të tërhequr nga nacionalistët ukrainas të kryejnë provokime kundër Rusisë, si dhe banorët e Kyivit që jetojnë pranë tyre të largohen nga shtëpitë e tyre.”
[15:13] Raportohet për një takim të dytë Rusi-Ukrainë të mërkurën
Një takim i dytë në mes të Rusisë dhe Ukrainës pritet të mbahet nesër. Kështu shkruan britanikja “The Guardian” teksa citon agjencinë e lajmeve ruse “Tass”.
Agjencia ruse ka cituar një burim nga Moska teksa ka raportuar për takimin e mundshëm.
Raundi i parë i bisedimeve që u zhvilluan pranë kufirit Bjellorusi-Ukrainë të hënën përfundoi pas rreth gjashtë orësh pa rrugëdalje, por të dy palët ranë dakord për një raund pasues në ditët e ardhshme.
[14:57] Rusia lëshon paralajmërim për sulm “me saktësi të lartë” në Kiev, reagon ministri ukrainas
Ministria ruse e Mbrojtjes ka lëshuar një paralajmërim për banorët e Kievit se është duke e përgatitur sulm në disa caqe në kryeqytetin e Ukrainës dhe iu ka bërë ftesë të largohen nga shtëpitë e tyre ata të cilët gjenden afër caqeve.
Në një komunikatë të lëshuar të martën, zyrtar rus kanë thënë se forcat ruse janë duke përgatitur “një sulm me saktësi të lartë” kundër “qendrave teknologjike dhe Shërbimit të Sigurisë së Ukrainës dhe gjithashtu qendrën kryesore të PsyOps në qendër të Kievit”, raporton BBC, transmeton Express.
Rusët kanë thënë se këto sulme do të bëhen për të parandaluar “sulmet informative kundër Rusisë”.
Ndaj kësaj ka reaguar ministri i Mbrojtjes së Ukrainës, Olesksiy Reznikov, i cili ka thënë se kjo është një “sulm psikologjik”.
Reznikov thotë se Rusia po synon që të prish komunikimin, në mënyrë që më pas të shpërndajë lajme të rreme se si “ lidershipi ushtrako-politik i Ukrainës është pajtuar me kapitullimin”.
“Për të mbështetur lajmet e rreme, ata do të publikojnë fotografi të dokumenteve të nënshkruara dhe një video të rreme. Kjo është gënjeshtër”, ka shkruar Reznikov.
“Ata nuk do ta marrin atë! Nuk do të ketë kapitullim! Vetëm fitore!”, ka potencuar tutje ministri i Mbrojtjes së Ukrainës.
[14:15] Ukrainasit i dalin përpara konvojit ushtarak, rusët shtijnë në ajër për t’i shpërndarë
Ukrainasit kanë dalë përpara konvojit me mjete ushtarake të forcave ruse në qytetin juglindor të Melitopol duke provuar që t’i ndalin. Një ushtar rus ka shtënë në ajër për t’i shpërndarë ata, transmeton Gazeta Express.
Qytetarët ukrainas u kanë thënë ushtarëve rusë se s’janë të mirëserardhur në Ukrainë.
“Ushtria ruse – s’jeni të mirëseardhur këtu, largohuni”, thuhet në një video të postuar të rrjete sociale.
Për të shikuar videon, kliko KËTU.
[14:02] Rusët bombardojnë ndërtesën e Qeverisë në Kharkiv
Forcat ruse e kanë bombarduar ndërtesën qeveritare, në qytetin e dytë më të madh të Ukrainës. Aty janë vrarë së paku 11 civilë, ndërsa është rritur numri i tankëve ruse që ia kanë mësyrë kryeqytetit ukrainas, Kyivit, raporton the Guardian, transmeton Gazeta Express.
Rusia ka rritur agresionin në 24-orët e fundit, duke e targetuar kryesisht Kyivin dhe qytetin tjetër më të madh, Kharkivin.
Ka pasur shpërthime në sheshin kryesor të këtij qyteti, ndërsa raportohet se atje është gjuajtur edhe ndërtesa e Qeverisë.
Për më shumë rreth këtij lajmi, kliko KËTU.
[13:21] Zelensky para Evropës: Nuk mund t’ju them mirëdita, kjo mund të jetë dita e fundit për disa
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, u është drejtuar pa përshëndetje eurodeputetëve, të cilët e kanë pritur me duartrokitje. Kjo e sotmja nuk është ditë e mirë, tha ai, transmeton Gazeta Express.
Zelensky po u adresohet deputetëve të Parlamentit Evropian, përmes një lidhjeje direkte nga Ukraina, ku po qëndron gjatë gjithë kohës, prej se vendi i tij është sulmuar nga forcat ruse.
Presidenti ukrainas fjalimin e tij e nis pa përshëndetje.
“S’mund të them mirëmëngjesi, ose mirëdita, ose mirëmbrëma. Sepse kjo nuk është ditë e mirë. Për disa njerëz, është dita e fundit”, ka thënë Zelensky.
[13:17] Fjalët e para prekëse të Zelenskyt para eurodeputetëve: Dëshmojeni se nuk do të na lini të vdesim
Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelenskiy po merr pjesë virtualisht në seancën e jashtëzakonshme të Parlamentit Europian, ku është pritur me ovacion të jashtëzakonshëm.
Në fjalën e tij para eurodeputetëve që e duartrokitën aq gjatë, Zelensky tha se BE-ja duhet të dëshmojë se është me Ukrainën, raporton The Guardianm, përcjell Gazeta Express.
Duke iu drejtuar Parlamentit Evropian, Zelenskiy tha:
“Pa ty, Ukraina do të jetë e vetmuar… Ne kemi dëshmuar forcat tona. Ne jemi saktësisht të njëjtë me ju… Pra, dëshmojeni se jeni me ne. Dëshmoni se nuk do të na lini të vdesim. Dëshmoni se jeni vërtet europianë dhe se jeta do të fitojë mbi vdekjen dhe drita do të fitojë mbi errësirën.”
Presidenti ukrainas shtoi se “askush nuk do të na thyejë”. Zelensky tha para Pralamentit Europian se vendi i tij “po i jep njerëzit më të mirë” për t’u trajtuar si të barabartë dhe për çmimin e lirisë.”
[13:16] Të paktën 10 persona u vranë nga sulmi i trupave ruse në qendër të Kharkiv
Në qytetin e dytë më të madh të Ukrainës, Kharkiv, si pasojë e granatimeve 10 persona humbën jetën, ndërsa më shumë se 20 u plagosën, raporton Ukrinform, përcjell Express.
Në deklaratë thuhet se ekipet e shpëtimit dhe vullnetarët shpëtuan rreth 10 persona nga rrënojat, teksa shkallet dhe korridoret në të gjitha katet janë shkatërruar plotësisht.
Për më shumë rreth këtij lajmi, kliko KËTU.
[12:53] Gjashtë ditë të agresionit rus në Ukrainë, OKB del me numrin e viktimave civile deri tani
Të paktën 136 civilë janë vrarë, përfshirë 13 fëmijë dhe 400 janë plagosur që kur Rusia ka nisur agresionin e saj ndaj Ukrainës javën e kaluar sipas Zyrës për të Drejtat e Njeriut të OKB-së.
Zëdhënësja e kësaj zyre Liz Throssel tha se 253 nga viktimat janë në Donets dhe në Lugans rajone në lindje të Ukrainës, shkruan The Guardian, transmeton Gazeta Express.
[12:48] OKB: Më shumë se 660 mijë refugjatë ikën nga Ukraina
Më shumë se 660,000 refugjatë i kanë ikur luftës në Ukrainë për të kërkuar strehim në shtetet fqinje, ka thënë Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Refugjatë.
“Ne kemi tani 660,000 refugjatë që kanë ikur në shtetet fqinje të Ukrainës në gjashtë ditët e fundit”, ka thënë zëdhënësja, Shabia Mantoo para gazetarëve në Gjenevë.
[12:41] Shefi i NATO’s nga Polonia çon mesazh për Rusinë dhe Ukrainën
Shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg, i ka bërë thirrje Rusisë që t’i jap fund luftës në Ukrainë, duke shtuar se nuk do të dërgojë trupa apo avionë luftarakë për ta mbështetur Kievin, pasi pohon se alenaca që udhëheq nuk dëshiron të bëhet pjesë e konfliktit.
Këtë deklaratë kreu i NATO-s e ka dhënë pas takimit me presidentin polak Andrzej Duda.
Për më shumë rreth këtij lajmi, kliko KËTU.
[12:34] Njëri nga pilotët më të mirë, rusët vrasin “Ujkun Gri” të Ukrainës
Koloneli ukrainas Oleksandr Oksanchenko, i konsideruar si piloti më i mirë i Ukrainës, është vrarë nga rusët në një betejë në ajër gjatë natës së të premtës së javës së shkuar.
Presidenti Volodymyr Zelensky i dha atij pas vdekjes titullin Hero i Ukrainës, njoftoi komanda e Forcave Ajrore të Forcave të Armatosura të Ukrainës në Facebook.
Për më shumë rreth këtij lajmi, kliko KËTU.
[12:30] Mbi 20 të plagosur në sulmin në Kharkiv dhe disa të mbetur nën rrënoja
Më shumë se 20 persona janë plagosur në një shpërthim në qytetin e dytë më të madh të Ukrainës, Kharkiv, tha Shërbimi Shtetëror i Emergjencave të Ukrainës në një video të postuar në llogarinë e tij zyrtare në Facebook të martën, raporton CNN.
Gjithashtu, raportohet se ka persona të cilët kanë mbetur nën rrënoja, përcjell Gazeta Express.
“Si pasojë e granatimeve me artileri, një ndërtesë e administratës shtetërore dhe godina ngjitur u dëmtuan. Njerëzit janë bllokuar nën rrënoja. Shefi i operacioneve të shpëtimit mësoi se mbi 20 persona janë plagosur”, tha një pjesëtar i shërbimit në video.
Kryeqyteti ukrainas Kiev, që po synohet të merret nga forcat ruse tani do ta ketë për kryetar një ushtarak, njoftoi parlamenti i Ukrainës.
Presidenti Zelenskyi ka caktuar Gjeneral Mykola Zhernov si kryetar të administratës ushtarake të Kievit, raporton Gazeta Express.
“Gjatë luftës, Volodymyr Zelensky ka caktuar Gjeneral Mykola Zhernov kryetar të administratës ushtarake të Kievit. Kryetari i Kievit Vitaly Klitschko do të punojë me kryetarin ushtarak”, thuhet në njoftim.
“Një foto që duhet ta shohë e gjithë bota!”. Kështu e përshkruan Parlamenti i Ukrainës një fotografi të fëmijëve jetimë të strehuar në një bodrum, përcjell Gazeta Express.
Teksa shumë fëmijë me familjet e tyre janë larguar nga Ukraina, janë disa fëmijë jetimë që mbeten nën mëshirën e përkujdesësve të tyre, përveçse nën mëshirën e fatit për të mos u vrarë nga forcat ruse.
Për të shikuar fotografinë, kliko KËTU.
[11:55] Rusët kryen krim lufte duke përdorur bombën me vakum, reagon zëdhënësi i Putin
Sanksionet e Perëndimit nuk do ta bëjnë kurrë Rusinë ta ndryshojë qëndrimin e saj ndaj Ukrainës, kanë thënë sot nga Rusia, raporton The Guardian.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov tha se ndërsa negociatat e drejtpërdrejta midis Moskës dhe Kievit kanë nisur, nuk ka plane për bisedime midis presidentëve të të dy vendeve, përcjell Gazeta Express.
Peskov hodhi poshtë akuzat për sulme nga Rusia ndaj objektivave civile dhe përdorimin e bombave me vakum si të pavërteta, raporton Reuters.
Për më shumë rreth këtij lajmi, kliko KËTU.
[11:38] Raketa ruse në qendër të Kharkivit, Zelensky: Rusia është shtet terrorist
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka thënë se raketa ruse që ka rënë në mes të sheshit të qytetit Kharkiv tregon se Rusia është një shtet terrorist.
Ai thotë se një akt të tillë s’do ta harrojnë dhe nuk do ta falin.
“Raketa në sheshin qendror të Kharkiv është një terror i hapur. Pas një akti të tillë, Rusia është një shtet terrorist. Askush nuk do ta falë, askush nuk do ta harrojë”, ka shkruar Zelensky në profilin e tij zyrtar.
Për më shumë rreth këtij lajmi, kliko KËTU.
[11:36] Ushtria ukrainase i rrëzon edhe dy helikopterë rusë
Ushtria ukrainase ka hyrë në ditën e gjashtë të luftimeve për mbrojtjen e vendit teksa Rusia duket se e ka intensifikuar pushtimin.
Megjithatë, autoritetet ukrainase vazhdojnë të flasin për fitore. Në një video të publikuar nga “Nexta”, shihen dy aeroplanë rusë teksa rrëzohen, ndërsa aksioni komentohet me entuziazëm: “Yes, yesss!”.
Two #Russian helicopters will no longer take to the air. pic.twitter.com/ohggPrQqGG
— NEXTA (@nexta_tv) March 1, 2022
[11:26] Krim lufte, Rusia përdori bombën e ndaluar, me të vrau 70 ushtarë ukrainas
Rusia ka përdorur bombën me vakum gjatë agresionit të saj në Ukrainë. Kështu ka deklaruar ambasadorja e Ukrainës në ShBA, Oksana Markarova gjatë një prononcimi për gazetarë pas takimit që ka pasur me kongresmenë amerikanë.
Bomba me vakum apo siç njihet, arma termobarike, funksionon duke e përdorur oksigjenin për të krijuar eksplodim të fuqishëm me temperaturë të lartë. Nëse kjo armë përdoret në civilë të pafajshëm konsiderohet si krim lufte, shkruan Politico, transmeton Gazeta Express.
“Ata kanë përdorur sot bombën me vakum”, ka deklaruar Markarova.
Bomba me vakum e përdorur nga ushtria ruse ka shkatërruar një bazë ushtarake ukrainase në verilindje të vendit në qytetin Okhtyrka, duke vrarë 70 ushtarë ukrainas.
[10:55] Ambasada e Ukrainës del me detaje për vullnetarët shqiptarë që duan t’i bashkohen luftës
Ambasada e Ukrainës në Tiranë u ka bërë thirrje vullnetarëve shqiptarë që dëshirojnë të bashkohen në luftën kundër Rusisë të kontaktojnë ambasadën përmes emailit
Tashmë është formuar Legjini Ndërkombëtar i Mbrojtjes Territoriale të Ukrainës, ku vullnetarë nga e gjitha bota po i bashkohen forcave të armatosura të Ukrainës në luftë kundër agresionit rus, raporton Gazeta Express.
“Vullnetarët që dëshirojnë të bashkohen me Legjionin Ndërkombëtar i Mbrojtjes Territoriale të Ukrainës, ju lutem dergoni një në e-mail në adresën e mëposhtme: [email protected]”, thuhet në postim.
[10:19] Pushtimi nuk po i shkon siç e mendonte Putin, krejt çka humbi Rusia për 6 ditë në Ukrainë
Gazeta ukrainase The Kyiv Independent ka publikuar humbjet që ushtria ukrainase ia ka shkaktuar Rusisë për 6 ditë luftë.
Kjo gazetë duke cituar Ministrinë e Mbrojtjes së Ukrainës ka thënë se Rusia ka humbur deri tani 5710 ushtarë, 198 tanke dhe 29 aeroplanë luftarakë, raporton Gazeta Express.
[10:18] Lukashenko: Bjellorusia nuk do t’i bashkohet pushtimit rus
Presidenti i Bjellorusisë, Alexander Lukashenko, ka thënë për mediat shtetërore se forcat e tij nuk do të bashkohen me trupat ruse në pushtimin e Ukrainës.
Lukashenko, i cili është një aleat i ngushtë i Vladimir Putin, tha se “ushtria bjelloruse nuk po merr pjesë në aksione ushtarake kundër Ukrainës dhe kurrë nuk ka marrë pjesë”, raporton BBC.
“Ne mund t’ia dëshmojmë këtë kujtdo. Për më tepër, udhëheqja ruse nuk e ngriti kurrë këtë çështje me ne – përfshirjen tonë në konfliktin e armatosur. Dhe ne nuk kemi ndërmend të marrim pjesë në këtë operacion special në Ukrainë në të ardhmen”, u shpreh Lukashenko.
[10:03] Vriten 70 ushtarë të Ukrainës
Nata e kaluar ka qenë e përgjakshme në Ukrainë teksa Rusia vazhdon pushtimin të paktën 70 ushtarë ukrainas u vranë në Okhtyrka në veri-lindje.
Zyrtarët ukrainas kanë konfirmuar se të paktën 70 ushtarë u vranë në një sulm artilerie ruse në bazën e tyre ushtarake të dielën, raporton BBC.
Sulmi ndodhi në Okhtyrka, në rajonin Sumy, i cili aktualisht është nën rrethim nga forcat ruse.
[09:51] Sulmi me raketa në Kharkiv, 6 të plagosur mes tyre një fëmijë
Të paktën gjashtë persona janë plagosur, duke përfshirë një fëmijë, në një shpërthim në qytetin e dytë më të madh të Ukrainës, Kharkiv, shkruan CNN.
Shpërthimi shkatërroi një ndërtesë qeveritare, sipas videove të postuara nga Ministria e Punëve të Jashtme të Ukrainës (MOFA) dhe zyrtarë të qeverisë ukrainase.
Për t’i shikuar dëmet nga sulmi me raketa në Kharkiv, kliko KËTU.
[08:46] Sulmet ruse godasin qendrën e qytetit të dytë më të madh të Ukrainës
Qendra e Harkivit është goditur nga raketat ruse. Në mëngjesin e së martës është thënë të jenë shënjestruar zyrat qeveritare në Sheshin Liria në qendër të qytetit.
Në disa pamje në rrjetet sociale shihet sesi raketat godasin ndërtesën e administratës rajonale.
Për t’i shikuar pamjet nga sulmi me raketa në një ndërtesë qeveritare në Kharkiv, kliko KËTU.
[08:22] Krejt çka ndodhi gjatë natës në Ukrainë
Përmbledhje e zhvillimeve që kanë ndodhur gjatë natës në Ukrainë.
Nata e kaluar ka qenë e përgjakshme në Ukrainë teksa Rusia vazhdon pushtimin.
Për të lexuar më shumë rreth këtij lajmi, kliko KËTU.
[08:17] Agjencia ukrainase e lajmeve: Një konvoj rus i gjatë 64 kilometra është nisur drejt Kievit
Një kolonë me automjete ushtarake ruse e drejtuar për në Kiev vlerësohet të jetë 64 kilometra e gjatë, njoftoi agjencia ukrainase e lajmeve UNIAN të martën herët duke cituar imazhe satelitore.
Karvani i tankeve dhe automjeteve të tjera ushtarake është edhe më i gjatë se sa mendohej më parë.
Ai shtrihet nga Aeroporti Hostomel në Kievin veriperëndimor deri në fshatin Prybirsk, i cili ndodhet midis Kievit dhe Çernobilit.
Për t’i shikuar pamjet nga lart të konvojit rus, kliko KËTU.
[08:06] Rreth 350 mijë refugjatë kanë hyrë në Poloni nga Ukraina
“Rreth 350,000 mijë persona kanë hyrë në Poloni nga Ukraina prej kur Rusia ka pushtuar këtë shtet”, ka thënë zëvendësministri i Brendshëm polak, Maciej Wasik.
[07:46] Forcat ruse rrethojnë Kherson, qytet në jug të Ukrainës
Forcat ruse këtë të martë kanë rrethuar qendrën rajonale të Khersonit në Ukrainën jugore.
BBC raporton se trupat ruse kishin nisur një sulm tokësor në qytetin, që ndodhet pranë Krimesë të kontrolluar nga Moska.
“Ushtria ruse po vendos postblloqe në hyrjet e Khersonit, por qyteti ka qenë dhe do të mbetet ukrainas”, ka thënë kryebashkiaku Igor Kolykhayev.
[07:36] Sirenat e alarmit zgjojnë ukrainasit në ditën e 6 të luftimeve
Për të gjashtën ditë me radhë sirenat e alarmit kanë nisur mëngjesin e kësaj të marte për ukrainasit.
Mediat e huaja bëjnë me dije se sirenat e alarmit janë ndjerë në të gjithë vendin.
Përveç Kievit, alarmet kanë rënë në qytetet perëndimore të Ternopil, Vinnytsia, Rivne, si dhe qytetet qendrore të Cherkasy dhe Kropyvnytskyi, sipas shërbimit ukrainas të BBC-së.