Ardon Jashari e kaloi një sezon të jashtëzakonshëm në Belgjikë.
Dje, ylli kosovar u zgjodh futbollisti më i mirë i sezonit në “Jupiter Pro League” pas paraqitjeve të shkëlqyeshme me Club Brugge.
E tash, “Sky Sport DE” përmes gazetarit gjerman Florian Plettenberg raporton se interesim për përfaqësuesin zviceran ka shfaqur Manchester City, përcjell “Gazeta Express”.
Nëse gjithçka shkon sipas parashikimeve, 22 vjeçari do të nënshkruajë kontratë katërvjeçare, më saktësisht deri në verën e vitin 2029 me ekipin e Pep Guardiolës.
Ndërsa, për kartonin e mesfushorit defanziv “Citizens” pritet t’i paguajnë më shumë se 35 milionë euro.
Gjithashtu, interesim për ish-futbollistin e Luzernit kanë shfaqur edhe dy klubet e Bundesligës, Borussia Dortmundi dhe Bayer Leverkuseni, ku do të mundë të bëhej shok skuadre me Granit Xhakën, me të cilin luajnë së bashku edhe tek “Helvetikët”.
Futbollisti i lindur në vitin 2002 i ka zhvilluar 52 ndeshje me Club Brugge në këtë sezon, përfshirë këtu 11 në Ligën e Kampionëve, ndërsa i ka realizuar 4 gola dhe ka kontribuuar me 6 asistime.
Bashkë me Granit Xhakën e Xherdan Shaqirin, Jashari ishte pjesë e Kombëtares së Zvicrës në Kupën e Botës 2022, e cila u mbajt në Katar.
Jashari është sot pa dyshim njëri prej mesfushorëve më kualitativë shqiptarë. /Gazeta Express