E para grua në krye të Ministrisë së Brendshme, Rama prezanton Koçiun: Moment historik, ndryshim radikal për tjetër qasje - Gazeta Express
string(118) "e-para-grua-ne-krye-te-ministrise-se-brendshme-rama-prezanton-kociun-moment-historik-ndryshim-radikal-per-tjeter-qasje"

Shqiperi

Gazeta Express

19/09/2025 17:54

E para grua në krye të Ministrisë së Brendshme, Rama prezanton Koçiun: Moment historik, ndryshim radikal për tjetër qasje

Shqiperi

Gazeta Express

19/09/2025 17:54

Kryeministri Edi Rama prezantoi sot ministren e Punëve të Brendshme, Albana Koçiu, në një ceremoni të organizuar në ambientet e kësaj ministrie.

Rama e konsideroi këtë një moment historik për Ministrinë e Punëve të Brendshme, pasi për herë të parë drejtimin e kësaj ministrie e merr një grua.

“Ministrja e re Albana Koçiu vjen sot në krye të Punëve të Brendshme me një profil krejt tjetër nga tërë paraardhësit e saj dhe me një mision shumë të qartë, ta kthejë këtë ministri nga një ministri tradicionalisht e Policisë sipas standardit shqiptar, në një ministri të Punëve të Brendshme sipas standardit europian”, shtoi Rama.

Kryeministri nënvizoi se Punët e Brendshme nuk janë kurrsesi thjesht dhe vetëm punët e Policisë së Shtetit, pavarësisht se Policia e Shtetit zë pjesën më të madhe të sferës së Punëve të Brendshme.

“Askush nuk e vë në diskutim këtë fakt, por ka ardhur koha që askush të mos vërë në diskutim as faktin tjetër, që ligji ynë dhe praktika e kudondodhur e vendeve demokratike e thonë në gjithë gjatësinë dhe gjerësinë e tyre: Ministria e Punëve të Brendshme nuk bën punë policore dhe Ministri i Brendshëm nuk është kryepolici i vendit”, shtoi Rama.

Kryeministri theksoi se kjo, jo vetëm pse ligji dhe praktika demokratike e thonë këtë, por mbi të gjitha për një sërë nevojash të mëdha serioze të paadresuara prej dekadash ashtu siç duhet në punët tona të brendshme.

“Ndryshimi radikal i profilit të Ministrit të Punëve të Brendshme është pikënisja logjike e ndryshimit përmbajtësor dhe cilësor që ministrja Koçiu duhet të sjellë në vizionin, qasjen dhe impaktin e kësaj ministrie në mbarëvajtjen e punëve të brendshme të Republikës së Shqipërisë”, tha Rama.