E pabesueshme, grabitet vetura e funeralit bashkë me të vdekurin - Gazeta Express

E pabesueshme, grabitet vetura e funeralit bashkë me të vdekurin

Lajme

Gazeta Express

27/02/2020 22:14

Një makinë funerali me trupin e një gruaje të vdekur brenda saj, u grabit jashtë një kishe në Los Angelos, teksa brenda kishës po mbahej një meshë fetare për një tjetër të vdekur, shkruajnë mediat e huaja. Makina e funeralit, e llojit “Lincoln”, u grabit jashtë kishës së Shën Anthony në Pasadena të Los Angelos-it, ndërkohë që brenda saj ishte trupi i vdekur i një gruaje.

Mesha fetare ishte duke u mbajtur për një person tjetër të vdekur, ndërkohë që pas përfundimit të saj, do të mbahej dhe një meshë tjetër për gruan e ndjerë. Një punëtor i morgut të spitalit dërgoi njërin trup brenda kishës, ndërsa trupin tjetër e la brenda automjetit të parkuar në ambientet e jashtme të vendit të shenjtë. Por kur punëtori u rikthye për të marrë trupin e vdekur të gruas që ndodhej në makinë, u shokua kur nuk gjeti asgjë. Ndërkaq me anë të një njoftimi zyrtar policia i lutet hajdutit që të rikthej arkivolin.

“Nga të gjitha vendimet e këqija që keni marrë, të paktën të bëni një të mirë dhe ta ktheni personin e ndjerë”, njoftoi policia. Ndërkohë dhe Departamenti i Sherifit i bëri lutje grabitësit që të rikthente automjetin, ose të paktën trupin tek autoritetet. Ndërkaq policia sqaroi se në momentin që punëtori po bënte transportimin e trupave nga makina në drejtim të kishës, i kishte harruar çelësat brenda automjetit.

Gjithashtu autoritetet shprehen se është ende e paqartë, nëse grabitësi ishte në dijeni që në automjetin e vjedhur kishte një trup të vdekur gruaje, shkruajnë mediat e huaja.