E pa ‘vdekjen’ me sy, Oscar pensionohet nga futbolli - Gazeta Express
string(49) "e-pa-vdekjen-me-sy-oscar-pensionohet-nga-futbolli"

Futboll

Gazeta Express

05/04/2026 8:40

E pa ‘vdekjen’ me sy, Oscar pensionohet nga futbolli

Futboll

Gazeta Express

05/04/2026 8:40

Oscar dos Santos Emboaba Junior, i njohur thjesht si Oscar, ka vendosur t’i japë fund karrierës së tij si futbollist profesionist.

Mesfushori brazilian, i cili ka luajtur për klube si Chelsea dhe ka pasur një periudhë të gjatë në Kinë, e njoftoi të shtunën tërheqjen në moshën 34-vjeçare.

Ish-reprezentuesi i Brazilit kishte mbetur jashtë fushave që nga nëntori, pasi pësoi një sinkopë vazovagale gjatë një stërvitjeje me Sao Paulo, klubin e tij të parë dhe të fundit në karrierë. Që nga ai moment, Oscar nuk luajti më asnjë minutë.

“Doja të jepja më shumë për Sao Paulo, doja të luaja më shumë. Mendoj se kisha ende futboll për të dhënë dhe moshë për të vazhduar, por fatkeqësisht ndodhi kjo. Tani do të tërhiqem dhe do të vazhdoj ta mbështes Sao Paulon si tifoz. Po i jap fund një karriere që më çoi në shumë vende, pothuajse në të gjithë botën. Dua të falënderoj të gjithë për dashurinë dhe mbështetjen, veçanërisht tifozët e Sao Paulos që më qëndruan pranë në këtë moment të vështirë,” thuhej në deklaratë.

Oscar e mbyll karrierën me 556 ndeshje si profesionist, ku realizoi 136 gola dhe 203 asistime në nivel klubesh. Ai luajti për Sao Paulo (në dy periudha), Internacional, Chelsea dhe Shanghai SIPG.

Në nivel ndërkombëtar, ai regjistroi 48 paraqitje me Brazilin, duke shënuar 12 gola, dhe ishte pjesë e ekipit olimpik të Brazilit në Londër 2012.

Vendimi për t’u tërhequr erdhi pas një momenti shumë të frikshëm në nëntor, kur ai humbi ndjenjat gjatë një stërvitjeje.

Vetë lojtari e përshkroi me emocione atë përvojë.

“Tani jam më mirë për të folur për këtë, sepse çdo herë që e kujtoja emocionohesha shumë. Po bëja testet dhe më pas humba ndjenjat – zemra, presioni i gjakut po binte, zemra po ndalonte. Më dhanë masazh kardiak për disa minuta. Pastaj kujtoj vetëm momentin kur rashë pa ndjenja. Thonë që kur je duke vdekur, del nga trupi… pata disa ndjesi të tilla. Ishte si një ëndërr shumë e mirë, shumë e shpejtë. Dhe pastaj pashë djalin tim duke më folur, sikur më thoshte: ‘Kthehu, babi’.”/GazetaExpress/

Advertisement
Advertisement
Advertisement