Shkruan: Ben Andoni
Nëse do të vëresh sot realisht sesi sillet e Majta shqiptare, duhet të shikosh e ta ndjesh sesa pak zë vend ideologjia në ligjërimin e Partisë Socialiste. Është kaq e pakët dhe e pakuptueshme, kur bëhet qoftë edhe në artikulimin brenda radhëve të saj, saqë shumë syresh e kanë humbur idenë e të Majtës shqiptare.
Tani nuk përbën më asnjë habi që në ndonjë nga aktivitetet e ardhshme partiake një-kahëshe (monologon vetëm kryetari) të PS-së, kryetari Rama ashtu si kumtoi reformimin e parlamentit (me të drejtë), të shpallë edhe kalimin në një fashë tjetër ideologjike. Me gjasë: E Qendrës. Bashkëmbajtësi i kësaj status quo të politikës shqiptare, kolegu i tij Sali Berisha e bëri me një artikulim të thjeshtë në Foltore-1 të njëjtën lloj lëvizjeje, duke e çuar PD-në në kahun konservator, pa pyetur askënd. Gjithsesi, kur veprimet e Ekzekutivit të sotëm shkojnë me ideologjinë e pragmatizmit banal, atëherë s’ka më vend për kuptimin e të Majtës. Bën logjikë, ajo që thuhej dikur për ta nga konservatorët te “Psikologjia Evolucionare Pas Politikës”: “Asgjë nuk u flet më shumë Të Majtëve politikë sesa mediokriteti i mandatuar nga qeveria”.
Të gjitha këto bëhen pa strehën e ndonjë ideologjie(të Majtës, jo e jo), ndërkohë që përmendja e shpeshtë e Amnistive Fiskale (disa herë në fund të mandateve të qeverisjeve); peshën e PPP-ve, të cilat marrin pjesën më të madhe në buxhet; rritjen e vazhdueshme të rrogave (pa studime mirëfilli të politikave të punës dhe tregjeve) dhe forcimin jo aq logjik të Lekut; interesat publike të parealizuara, ku të ardhurat e shqiptarëve të zakonshëm shkojnë deri 40% mbase edhe më shumë për përballjen e ushqimeve bazike; mungesën e shfrytëzimit të fondeve të shtetit prej hetimeve dhe tashmë edhe alarmi, ku sistemi i socialistëve duket se është i korruptuar në asht, ashtu si shpërfaqet prej përgjimeve, ku struktura të tëra të burokratëve ndajnë tenderë, favore, koncesione dhe asete publike në qerthuj të ngushtë. Ndërkohë, shqiptari i thjeshtë përballet me ekspozimin ndaj krimit të organizuar që po e mban ekonominë informale, sidomos në ndërtime e turizëm dhe mungesën e shpresës për ndryshim.
Raporti i Komisionit Evropian e tregon hapur mungesën e ligjit, korrupsionin dhe sidomos nivelin e ulët të reformimit substancial, ku zbatimi i ligjit lë ende shumë për të dëshiruar. Indeksi i Krimit të Organizuar (2025) i tregon qartë po ashtu problematikat e mëdha të Shqipërisë duke treguar forcën e krimit dhe deri ku kanë shkuar forcat e errëta me kapjen e shtetit. Kjo gjendje nuk besohet se mund të ndryshojë dot nga qeverisja aktuale socialiste. Përgjimet ndaj krerëve të saj (të publikuara në media) kanë treguar nga sintaksa e përdorur të gjithë ngjyrën e ideologjisë së drejtimit Socialist, ku elementi patriotik është krejt e huaj.
Me këtë logjikë, Partia Socialiste duket se nuk i shpëtoi dot dhe trendit të partive të tjera të Majta evropiane, ato bashkohen në transformimin e identitetit drejt politikave të ashtuquajtura neoliberale. Bash këto politika për të qenë ndërkombëtarisht korrekt i bënë Partitë e Majta të humbnin identitetin e tyre dallues dhe shndërruan edhe logjikën mbi sjelljen tradicionale të votuesve. Shqipëria e trandur nga tërmeti dhe sidomos COVID-19 i ka lodhur njerëzit me këtë lloj drejtimi, e cila paradoksalisht vjen për të katërtën herë rresht. Nga ana tjetër, opozita shqiptare, një mal me gabime, ka kuptuar se trashëgimia e të Majtës mbahet falë një ADN-je të rrënjosur mirë. Jo aq rrallë, e Majta përmes eksponentëve të saj nuk e fsheh se data e tyre de facto e themelimit është 8 Nëntori 1941, e para për të shprehur kohë dhe identitet dhe e dyta për të demonstruar forcë dhe histori.
Gjithsesi, nën qeverisjen Rama, Shqipëria është nga më të bindurat ndaj retorikës së BE-së dhe madje motoja fituese e mandatit të katër qeverisës mbetet Integrimi Evropian. Nuk mohohet se vendi ka një rritje të qëndrueshme ekonomike, gati prej 4% të PBB dhe Rama synon ta modelojë vendin për anëtarësim të plotë në BE deri në vitin 2030. Në dukje e motivojnë statistikat e uljes së varfërisë dhe zgjerimi i numrave të turizmit, paçka se në thellësi ka pabarazi të madhe. Lëbyrja ndërkombëtare prej Shqipërisë vjen edhe nga projekte madhore infrastrukturore, si aeroportet (dy nga ato syresh që u inauguruan nuk funksionojnë) nga autostradat dhe politikat energjetike, të cilat e kanë ndryshuar shumë perceptimin ekonomik, por që shqiptarët po shikojnë se nuk janë si duken.
Raporti i Zgjerimit i Komisionit Europian (2025) jo thjesht ia respektoi reformat Shqipërisë, por tashmë anëtarësimi brenda pesë viteve është një synim i realizueshëm dhe artikulohet nga zyrtarë të ndryshëm. E jashtëzakonshme dhe gati e pamendur ka qenë një vit nga sot ideja e hapjes së të gjitha kapitujve, e cila nuk mendohej as në mendjet më të çartura. Kurse goditjet e ashpra të SPAK-ut (Meta, Ahmetaj, Veliaj dhe Balluku s’janë raste të vogla) kanë sjellë një ndjenjë vlerësimi dhe kanë gjeneruar debat publik. Këto përpjekje të Shqipërisë dhe sidomos performaca e mirë e Kryeministrit Rama jashtë vendit kanë gjetur vlerësim të mirë ndërkombëtar. Por, nuk është se e kanë zbritur zhgënjimin e brendshëm.
Përpos të tjerave, socialistëve të sotëm u mungon një dimension patriotik, në atë sesi vendi po përfiton realisht. Kur kujton se kemi treçerek milioni banorë të larguar në dy dekadat e fundit dhe zbrazjen territoriale të vendit, kupton që ka një disakordancë të madhe të shifrave dhe mënyrës sesi jetojnë shqiptarët. E Majta është jo vetëm larg sensit të barazisë, por edhe idesë se do të punoj për ndryshimin e vërtetë. PS-ja është zhvendosur më shumë te interesat e privatit dhe e një grupi të ngushtë. E Majta në Shqipëri, e përfaqësuar nga ata, nuk ka më ideologji, e para sepse nuk kanë ideologë të ndijnë ose të shpjegojnë politikat e Ramës dhe shpurës së tij dhe e dyta, se korrupsioni dhe cinizmi i tyre nuk të jep më mundësi t’u besosh. Duke shpjeguar rastin amerikan, politologu Samuel P. Huntington u mundua ta tregojë trendin e të Majtëve të sotëm me qëndrimet antipatriotike të liberalëve dhe sidomos të botës akademike të vendit të tij.
“Këta të majtë kanë bërë ‘shumë të mira për… gratë, afrikanoamerikanët, burrat gej dhe lezbiket… Por ka një problem me këtë lloj të Majte: Është jopatriotizmi. Ajo mohon idenë e një identiteti kombëtar dhe emocionin e krenarisë kombëtare’. Nëse e majta do të ruajë ndikimin, duhet të pranojë se një ‘ndjenjë e identitetit të përbashkët kombëtar… është një komponent absolutisht thelbësor i qytetarisë’. Pa patriotizëm, e Majta nuk do të jetë në gjendje të arrijë qëllimet e saj për Amerikën. Liberalët, shkurt, duhet ta përdorin patriotizmin si një mjet për të arritur qëllimet liberale”. A mundet që fryma liberale në Shqipëri ta përçojë këtë mësim?! Koha ka treguar se jo, pasi patriotizmi si temë ka shtegtuar prej Shqipërisë dhe territoreve të shqiptarëve, sidomos në kohën e drejtimit të tyre.
(Homo Albanicus)
/Gazeta Panorama
Next to Vala Mar Premium, projekti që po transformon bregdetin shqiptar dhe vlerën e investimit në Adriatik, 50% e...