string(69) "e-kritikuan-ne-met-gala-bebe-rexha-jam-shume-e-lodhur-mbeta-shtatzene"

Yjet

Gazeta Express

07/05/2025 19:07

E kritikuan në Met Gala, Bebe Rexha: Jam shumë e lodhur, mbeta shtatzënë…

Yjet

Gazeta Express

07/05/2025 19:07

“Nuk i detyrohem askujt të vërtetën time, por ndoshta do t’ju bëjë të mendoni dy herë përpara se të komentoni trupin e dikujt”

Këngëtarja e famshme me origjinë shqiptare, Bebe Rexha, ka ndarë një përditësim personal dhe emocional, pasi u përball me kritika mbi pamjen e saj gjatë paraqitjes në “Met Gala 2025”.

Artistja e nominuar për “Grammy” reagoi përmes një postimi në X (ish-Twitter), i cili më pas u fshi, duke u shprehur:

“Jam shumë e lodhur nga komentet për peshën time. Kam PCOS dhe përballem me infertilitet. Mbeta shtatzënë, dhe nuk funksionoi. E kam mbajtur këtë dhimbje në heshtje”, shkroi ajo, duke shtuar:

“Nuk i detyrohem askujt të vërtetën time, por ndoshta do t’ju bëjë të mendoni dy herë përpara se të komentoni trupin e dikujt”.

Këngëtarja e hitit “In the Name of Love”, e cila bëri debutimin e saj në “Met Gala” më 5 maj me një veshje të Christian Siriano, iu përgjigj gjithashtu komenteve të Azealia Banks në X, përpara se të mbyllte reagimin e saj me një mesazh për ndjekësit:

“Tani do të vazhdoj ditën time. Ju dua, kalofshi bukur”.

Bebe Rexha ka qenë e hapur ndër vite për betejën me sindromën e vezores policistike (PCOS), një çrregullim hormonal që ndikon në funksionin e vezoreve te gratë. Në maj të vitit 2024, ajo rrëfeu në rrjetin social “TikTok”, se ishte përballur me një dhimbje të fortë që e çoi në urgjencë:

“Mjeku mendoi se ishte apandesit, por në fakt ishte një kist që kishte shpërthyer. Më vinte për të vjellë nga dhimbja. E vetmja gjë që më ndihmoi ishte një jastëk ngrohës”, shtoi ajo, duke u dhënë një këshillë të vlefshme edhe vajzave që përballen me të njëjtin problem.

Pavarësisht vështirësive shëndetësore dhe kritikave në rrjete sociale, këngëtarja përpiqet të ruajë një qëndrim pozitiv.

“E di që kam shtuar peshë. Njerëzit kalojnë nëpër ndryshime. Nuk do të gënjej, më mërzit kur lexoj disa komente, por kjo vjen me këtë profesion. Po mësoj të mos e gjykoj veten dhe të pranoj veten, ndërsa përpiqem të bëj zgjedhje më të shëndetshme. Ajo që kam mësuar është se nuk të përcaktojnë numrat, por zemra jote”, shkroi ajo në “Instagram” në qershor të vitit 2023.