E kemi rrejtë veten - Gazeta Express
string(19) "e-kemi-rrejte-veten"

E kemi rrejtë veten

OP/ED

Gazeta Express

14/06/2023 11:48

Për një dekadë, që nga arritja e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e kemi rrejtë veten se serbët në veri janë integruar. Ngjarjet e fundit atje dëshmojnë se gjithë procesi ka qenë veç një farsë.

Imer Mushkolaj

Lexo Edhe:

Serbë që dikur ishin pjesë të strukturave paralele të sigurisë dhe të tjerave në veri të vendit u përfshinë në sistemin kosovar pas marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të arritur më 2013 në Bruksel. Për një dekadë ata u paguan nga buxheti i Republikës së Kosovës dhe formalisht vepruan në kuadër të institucioneve kosovare. Por, pas kaq vjetësh u vërtetua se këta serbë janë të gatshëm t’i braktisin institucionet kosovare me një urdhër prej Beogradit. Gjashtë muajt e fundit dëshmuan se procesi i ashtuquajtur i integrimit të tyre ishte veç një farsë që i erdhi përshtati politikës, por asnjëherë nuk ishte një proces i qëndrueshëm.

Formalisht pjesë e institucioneve kosovare, por realisht në shërbim të politikës së Beogradit, një pjesë e madhe e “të integruarve” më tepër kanë punuar për Serbinë, se për Kosovën. Në fakt, gjatë dekadës së fundit, politikanët e Listës Serbe atje kanë pasur mundësi të bëjnë çfarë të duan, pa e pasur frikën e kontrollit nga Prishtina. Njësoj kanë vepruar edhe kontrabandistë e njerëz me të kaluar kriminale, të cilët e kanë shfrytëzuar situatën e krijuar për ta mbajtur veriun e vendit gjithnjë në një situatë të paqëndrueshme e të gatshme për shpërthim.

Kështu ndodhi javët e fundit, kur elementë të dyshimtë, që u identifikuan si protestues të dhunshëm, sulmuan ushtarë të NATO’s, policë të Kosovës dhe gazetarë. Të gjithë patën mundësinë të shohin se kush e bën ligjin vërtet në veri.

Lista Serbe nuk është gjë tjetër veçse një subjekt parapolitik, në të cilin bëjnë pjesë njerëz të rrezikshëm që nuk kanë të bëjnë asgjë me politikën, njerëz që janë padronët e vërtetë të verit të vendit dhe që kanë vepruar atje vite me radhë pa u trazuar nga askush. Andaj, reagimet nga serbët së fundi dhe jo vetëm duhet kuptuar edhe si prishje komoditeti për struktura kriminale atje.

* * *

I ashtuquajturi integrim i serbëve në veri nuk ka prodhuar atë që pritej ose që, të paktën, shpresohej – kthimin e tyre kah institucionet e shtetit të Kosovës. Për më keq, ata vetëm sa i kanë forcuar edhe më tej lidhjet me Beogradin por, në të njëjtën kohë, duke i shfrytësuar benefitet financiare dhe të tjera nga Prishtina.

Grupet kriminale në veri kanë vazhduar aktivitetin, ndërkohë që komunat kanë funksionuar “kokë më vete” – formalisht duke iu përgjigjur Prishtinës por, në realitet, duke vepruar si të jenë në Serbi. Për më tepër, në objektet e komunave kanë kryer punët e veta edhe të ashtuquajturat “organe të përkoshme”, që janë komuna paralele sipas sistemit të Serbisë.

Një dekadë pas marrëveshjes për normalizim dhe integrim të serbëve në institucione pyetja që duhet shtruar është: si është e mundur që gjithë investimi lokal e ndërkombëtar të rrëzohet si një kullë prej letre, me një shenjë të bërë nga Beogradi? Pse është dashur të vazhdohet deri më tash kjo “status quo”, e cila nuk ka prodhuar integrim, përkundrazi, ka shërbyer për betonimin e kundërshtive ndaj Republikës së Kosovës? A ka qenë qasja e Prishtinës e duhura, apo gjërat janë bërë vetëm formalisht, në letër, sa për të thënë se diçka po funksionon?

Tash, kur dëgjon partitë opozitare duke alarmuar se veprimet e qeverisë e paskan çuar poshtë investimin dhjetëvjeçar për integrimin e serbëve, pyetja që duhet bërë është: cilin integrim?

Po që se integrimi do të ishte i vërtetë, atëherë serbët nuk do t’i braktisnin institucionet sapo t’i urdhërojë Aleksandër Vuçiqi. Po të ishte integrim përnime, atëherë do të ishte krijuar një vetëdije e atillë ndër serbë atje se ata i takojnë këtij shteti dhe duhet të punojnë në të dhe për të.

Është e vërtetë se Prishtina asnjëherë nuk i është qasur seriozisht veriut dhe qytetarëve serbë shumicë atje. Andaj farsat, si kjo e integrimit, nuk bëjnë punë.

Nëse vazhdohet me qasjen e njëjtë, ka pak shpresa që gjendja do të ndryshojë për të mirë. Pyetja thelbësore tash është: Asociacioni do të krijohet për t’i afruar serbët me Prishtinën apo me Beogradin?