E kaluara që dhemb - Gazeta Express
string(18) "e-kaluara-qe-dhemb"

E kaluara që dhemb

OP/ED

Gazeta Express

31/05/2021 10:41

Lëvizja Vetëvendosje nuk po dëshiron t’i përmenden qëndrimet e mbajtura në të kaluarën, e partitë që kanë qenë në pushtet s’po duan t’iu kujtohet keqqeverisja. E kaluara dhemb, por politikanët vlerësohen për premtimet e mbajtura dhe vendimet e marra.

Imer Mushkolaj

Lexo Edhe:

Po të realizoheshin premtimet e bëra ndër vite nga partitë politike, Kosova do të dukej krejt tjetërfare. Disa qindra mijëra vende të reja pune, qindra milionë investime, liberalizim vizash qysh para një dekade, luftim i korrupsionit, krimit të organizuar e nepotizmit, arsim cilësor e shëndetësi si duhet. Të gjitha partitë që kanë qenë në pushtet kanë premtuar, kush më pak e kush më shumë, diçka nga këto që u përmendën. Por pak nga to janë realizuar.

Tash, kur këto parti janë në opozitë, e kanë bezdi t’ua sjellësh ndërmend dhjetëra premtime të papërmbushura. Zyrtarë të tyre thonë se nuk duhet marrë me të kaluarën, paçka se qeverisjen në të kaluarën e kanë kartë të vetme suksesi a dështimi, e kanë identitet të menaxhimit të shtetit dhe shoqërisë. E kaluara i mban peng, ndonëse pa dashjen e tyre. E kaluara i ndjek nga pas, ndonëse përpiqen të lirohen nga ajo.

Mjafton të analizohen deklaratat e bëra në fushata elektorale, mjafton të lexohen programet qeverisëse, mjafton të sillen ndërmend dhjetëra, në mos qindra veprime e vendime të marra ndër vite, për të konstatuar se e kaluara e tyre në qeverisje nuk është fort e lavdishme madje, në plot raste, është e turpshme.

Arsim e shëndetësi të politizuara e dërmuara, kapje institucionesh që nga drejtësia deri te ndërmarrjet publike, politizim i skajshëm thuajse i çdo sektori, nepotizëm e korrupsion – këto janë disa nga “vlerat” që i karakterizuan qeveritë e deritashme. Për këtë shkak, përfaqësues të partive politike nuk kanë dëshirë t’u përmendet e kaluara, sepse doemos duhet sjellë ndërmend këto “vlera” dhe të tjera si këto. Ata “rekomandojnë” që të flitet për të tashmen dhe të ardhmen, sepse nuk janë në pushtet dhe shpresojnë të mos iu përmenden bëmat.

E bëma kanë plot: vjedhje milionash nga Thesari, vjedhje dëshmish në polici, skandale të njëpasnjëshme nëpër ministri e në diplomaci, dyshime për keqpërdorime milionëshe në tenderë, shkatërrim ndërmarrjedh publike dhe zhvatje milionëshe nga to për njerëz të pushtetit dhe të tjerë të lidhur me ta, privatizime të dyshimta, pasurim marramendës e çka jo tjetër.

E kaluara dhemb, por plot dhimbje ka shkaktuar edhe qeverisja e tyre, bashkë me dëme të pariparueshme.

* * *

Lëvizja Vetëvendosje nuk ka qenë deri tash në pushtet, por si parti opozitare ka bërë shumë premtime e zotime. Ato të fushatës për zgjedhjet e 14 shkurtit janë më “të freskëtat”. Ndër to edhe zotimi për vendosjen e reciprocitetit me Serbinë që, sipas Albin Kurtit, do të ishte punë ditësh e javësh, por “assesi muajsh” pas marrjes së qeverisjes. Tash, pas më shumë se dy muajsh në pushtet, zyrtarë qeveritarë po thonë se reciprociteti nuk qenka edhe aq urgjent dhe se problem me Serbinë do të provojnë t’i zgjidhin nëpërmjet mekanizmave si CEFTA.

Vetëm militantë që besojnë verbërisht mund të arsyetojnë këtë ndërrim diskursi, por një votues racional i Vetëvendosjes do të duhej shqetësuar për këtë që po ndodh. Siç do të duhej shqetësuar edhe për çështjen e dialogut me Serbinë, për të cilin vetë Kurti thoshte se nuk duhet të ndodh pa kërkuar Beogradi falje për krimet që ka bërë në Kosovë. Siç do të duhej shqetësuar edhe për legjitimimin e nepotizmit në institucione, me arsyetimin se familjarë e të afërm politikanësh mund të punësohen e emërohen në institucione po që se janë profesionistë. Një qëndrim ndryshe nga ai kur Vetëvendosje ishte në opozitë. Siç do të duhej shqetësuar edhe për të tjera zotime e parime, që tash po shkilen nga qeveria e re.

Më kujtohet një deklaratë skandaloze e një zyrtari të LDK’së, teksa përpiqej të arsyetonte mospërmbushjen e premtimeve të dhëna. “Ato kanë qenë premtime të fushatës”, pati thënë, duke “harruar” se qytetarët i votojnë partitë politike pikërisht për premtimet që bëjnë. Andaj politikanët, pa marrë parasysh se nga cila parti vijnë, duhet mbajtur për fjale për premtime e zotime, veprime e vendime. Një qytetar i përgjegjshëm nuk duhet të arsyetojë papërgjegjësinë e tyre.

* * *

Është gabim të legjitimohen veprimet e vendimet joparimore të qeverisë së re, vetëm pse qeveritë e mëparshme kanë vepruar njësoj. Po ashtu, është gabim të mendohet se duke kritikuar qeverinë e tashme, po provohet të njëjtësohet me ato të kaluarat.

Secila qeveri e secili kryeministër ka paguar dhe do ta paguajë faturën për punën që ka bërë. Natyrisht, dy muaj qeverisje janë pak për të rregulluar çfarë është bërë keq, por nuk janë pak për të parë e vlerësuar se çka mund të bëhet. Janë mjaft për të reaguar kur shkilen zotime e parime. E kaluara dhemb, por askush nuk mund ta fshijë. As ta tjetërsojë.